2015-09-14 14:11:00

Papa: Të refuzohet mendësia mondane. Problemet e punës të zgjidhet në dobi të familjes


Të refuzohet ajo mendësi mondane që e vendos unë-in dhe interesat vetjake në qendër të ekzistencës, e të ndjekim Krishtin e Ungjillin, në një jetë të “ripërtërirë e të vërtetë”. Kështu pohoi Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, gjatë së cilit uroi që problemet e botës së punës të përballohen mbi bazën e kërkesave që ka familja. Mendimi i Atit të Shenjtë Bergoglio shkoi edhe te figura e Samuel Beendict Daswa, i cili dje në Tohoyando u shpall i Lumt, është i Lumi parë në historinë e Kishës së Afrikës së Jugut.

Problemi i punës duhet zgjidhur sipas kërkesave që kanë familjet

Një thirrje për ta përshkuar udhën e “vështirë” e cila nuk është ajo e “suksesit apo e lavdisë kalimtare”, por ajo që të çon në “lirinë e vërtetë”, dhe një mendim për botën e punës, që po kalon kohë të vështira. Një reflektim gjithëpërfshirës, ai i Papës, mbajtur dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. 

Të refuzohet mentaliteti mondan

Uroj që problemet e punës të trajtohen duke pasur para sysh në mënyrë konkrete familjen dhe kërkesat e saj”. Me këto fjalë Papa përshëndeti punëtorët në gjendje pune të pasigurt, të cilët dje kishin ardhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan nga Sardegna. Këndej Ati i Shenjtë Bergoglio bëri thirrje të lirohemi “nga egoizmi e nga mëkati”, e të vihemi “gjurmëve të Jezusit”, çka do të thotë ta marrim atë “kryq” të cilin “të gjithë” e kemi, për të na shoqëruar gjatë udhëtimit tonë:

Është fjala për ta refuzuar në mënyrë të prerë atë mentalitet mondan që e vë unë-in dhe interesat vetjake në qendër të ekzistencës: jo, kjo nuk është ajo çka Jezusi do prej nesh! Përkundrazi, Jezusi na thërret ta dhurojmë, madje ta humbim jetën tonë personale për Të, për Ungjill, për ta rimarrë të ripërtërirë, të realizuar e të vërtetë”.

Të ndjekësh Zotin

Duke falënderuar Jezusin, shpjegoi Papa Françesku, kjo rrugë të çon “në jetën e plotë dhe përfundimtare me Hyjin”: Të vendosësh për ta ndjekur Atë, Mësuesin dhe Zotin tonë, që është bërë Shërbëtor i të gjithëve, kërkon të ecësh pas Tij e ta dëgjosh me vëmendje në Fjalën e tij – e mos harroni: lexojeni çdo ditë një fragment të Ungjillit – e ta përcjellësh Atë në Sakramente”.

Të bëhemi shërbëtorë si Krishti

Duke komentuar fragmentin e Ungjillit të së dielës nga Marku, në të cilin Jezusi i pyet dishepujt mbi atë se kush është Ai për ta, “për të verifikuar fenë e tyre”, Papa shpjegoi se si Krishti e kupton se në ta – dhe në “çdonjërin prej nesh” – “falë Atit Qiellor” mund t’i kundërvihemi “tundimeve të të Keqit, i cili dëshiron të na largojë nga vullneti i Zotit”:

“Paralajmërimi se do t’i duhet të vuaj e të vdes për t’u ngjallur, Jezusi dëshiron që ata të cilët e ndjekin, ta kuptojnë se Ai është një Mesi i përvujtë e shërbëtor. Është Shërbëtor i bindur ndaj fjalës e ndaj vullnetit të Atit Qiellor, deri në flijimin e plotë të jetës së tij personale. Për këtë arsye, duke iu drejtuar turmës që ishte atje, Jezusi deklaron se kush do të jetë nxënës i tij, duhet të pranojë të jetë shërbëtor, ashtu siç është bërë Ai shërbëtor”.

Të rinj lejoni Zotin të ju flas

Duke iu drejtuar drejtpërdrejtë të rinjve të pranishëm dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku u kërkoi nëse ata e kanë ndie “dëshirën për ta pasur dhe ndie më afër tyre Jezusin”:

Mendoni. Lutuni. E leni që Zoti të ju flasë”.

I Lumi i parë jugafrikan e të krishterët e persekutuar

E Zoti i foli dhe e udhëhoqi Samuelin Beendict Daswa, i cili dje në Tohoyando të Afrikës së Jugut u shpall i Lum, kujtoi Papa: ai “vetëm 25 vjet më parë” qe vra më 1990 “për shkak të besnikërisë së tij ndaj Ungjillit”; në jetën e tij – vuri në pah Papa Françesku – ai tregoi gjithmonë një “koherencë të madhe”, duke marrë me guxim qëndrime të krishtera e duke refuzuar zakone e doke “mondane e pagane”:

Dëshmia e tij bashkohet me dëshminë e shumë vëllezërve e motrave tona, të ri, të moshuar, fëmijë, të persekutuar, të dëbuar, të vrarë për shkak se e kanë dëshmuar Jezu Krishtin. Të gjithë këta martirë, Samuel Benedict Daswa e të gjitha të tjerët, i falënderojmë për dëshminë e tyre dhe atyre u kërkojnë të ndërmjetësojnë për ne pranë Hyjit të Mëshirshëm”.

Së fundi, Papa i kërkoi Virgjërës Mari të na ndihmojë për ta “pastruar gjithmonë fenë tonë prej imazheve të rremeve të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.