2015-09-14 14:15:00

Intervistë e Papës për Radio Milenium të Buenos Airesit


Papa Françesku i dha një intervistë gazetarit të fesë protestante ungjillore, Marcelo Figueroa, mik i tij personal. Në intervistën e transmetuar nga Radio Milenium i Buenos Airesit, Ati i Shenjtë flet për miqësinë, takimin, dialogun dhe kujdesin për Gjithësinë, e krijuar nga Zoti. “Ti ungjillor e unë katolik punojmë së bashku për Jezusin”, nënvizoi Ati i Shenjtë që në fillim, duke vënë në dukje menjëherë kuptimin e miqësisë së thellë, asaj që të bën pjesëmarrës në jetën e tjetrit aq sa, edhe sikur të mos e shohësh prej shumë kohësh, kur e takon, të duket sikur je ndarë me të të djeshmen. Kritikoi edhe miqësinë me interes. “Nuk kam pasur kurrë kaq ‘miq’ sa tani”, foli me ironi, duke përmendur politikanët, që shfrytëzojnë fotografitë me Papën për qëllimet e tyre.

Të punojmë për kulturën e takimit

 Nga miqësia, Papa Françesku kaloi tek koncepti më i gjerë i kulturës së takimit, duke kërkuar ta lejojmë Jezu Krishtin të bëhet mik me ne, sepse është i vetmi, që mund të na e hapë zemrën për të tjerët. Përballë kulturës së armiqësisë, tha Papa duke e shtrirë mendimin në fushën e dialogut ndërfetar, duhet të punojmë për kulturën e takimit, pra, për vëllazërimin, pa gjykuar, sepse ai që gjykon është vetëm Zoti. Duke vënë gishtin mbi fundamentalistët, të cilët “përpiqen të shkatërrojnë, sepse janë besnikë ndaj një ideje e jo ndaj një realiteti”, Papa nënvizoi se ata paraqesin një rrezik, që e zhduk horizontin para nesh e na bën të mbyllemi në vetvete. Ky është mur, jo takim, theksoi.

Meshtari të ndërtojë ura, pa u izoluar

Gjithnjë, duke folur për takimin me njerëzit, i pyetur nga gazetari, Ati i Shenjtë përshkroi përqafimin e tij me besimtarët, të cilin e ndjen si përqafim të Jezusit. “Unë kam nevojë për besimtarët – këto fjalët e Papës – ata më dhurojnë jetën e tyre… Prifti duhet të jetë urë e të mos izolohet e kur them prift, nënkuptoj edhe ipeshkvijtë e vetë Papën”.

Gazetari i tha Françeskut se është shembull për krerët e feve të tjera, por ai u përgjigj: “Nuk është fjala për shembull, është identiteti im. Unë ndjehem meshtar, më vjen natyrshëm. Përndryshe, do të isha nëpunës i Kishës”. E kur i thonë se është pikë referimi botërore për paqen, përgjigjet: “Unë e di se jam mëkatar e kur flas me Jezusin, i them: ‘Sa të mirë janë njerëzit me mua’. Po ç’kam të mirë në vetvete ia detyroj Atij. Është dhuratë e Zotit”.

Bariu i Kishës nuk ka kufi

Shumë ateistë, pavarësisht se nuk besojnë në Zot, kanë simpati për Papën Françesku. Atëherë gazetari e pyeti Atin e Shenjtë si e sheh misionin e tij jashtë Kishës Katolike. “Një bari – qenë fjalët e Bergoglio-s – cilido besimi t’i përkasë, nuk ka kufi. Është bari e aq. E secili duhet të luftojë me egoizmin e vet – që e kam edhe unë – që të mos e zhdukë atë, që Jezusi ta kërkon si bari: të rrish në mesin e Popullit të Tij”.

Miq të Gjithësisë

Së fundi, Papa foli për miqësinë ndaj Gjithësisë së krijuar nga Zoti, duke iu përgjigjur pyetjes mbi Enciklikën “Lëvduar qofsh”. “Është e qartë se e keqtrajtojmë Gjithësinë – tha ai. Nuk jemi miq të Gjithësisë, nganjëherë e trajtojmë si të ishte armiku më i keq”. Ja pse duhet të bëhemi të vetëdijshëm e ta kundërshtojmë sistemin e sotëm mbizotërues, i cili nuk ka më në qendër njeriun, por paranë. Kjo ka sjellë skllavërinë nga puna e moskujdesin për Gjithësinë, duke lënë mënjanë edhe Mbretin e Gjithësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.