2015-09-13 18:34:00

Takim për klimën në Romë. Pjesëmarrësit, tek Papa


Në përgatitje të Konferencës ndërkombëtare për klimën në Paris, në dhjetor, Kisha Katolike u konfrontua më 10 e 11 shtator, në Romë, me ekspertë nga e gjithë bota, për të kuptuar gjendjen aktuale të ambientit dhe për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve pozitive. Organizuar nga Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, nga ai për Veprimtarët e Shëndetësisë, si edhe nga Fondacioni për zhvillimin e qëndrueshëm, takimi pati për temë “Drejtësia ambientale dhe ndryshimet e klimës”. Pjesëmarrësit u takuan të premten me Papën Françesku, i cili bëri thirrje që në mbledhjet ndërkombëtare mbi ambientin të dëgjohet edhe zëri i të varfërve, ashtu siç kërkon edhe në Enciklikën e tij të fundit “Lëvduar qofsh”. Por cila është gjendja aktuale? Të dëgjojmë kryetarin e Fondacionit organizator, Edo Ronchi:

         “Nuk kemi më kohë. Emetimet e gazit vazhdojnë të shtohen, pavarësisht se në vitin 2014 janë stabilizuar disi. Duhet të arrijmë një marrëveshje që ta sjellë botën në trajektoren e dy gradëve. Tani po shkojmë drejt trajektores së rritjes së temperaturës me mëse katër gradë. Impenjimet e marra në prag të Konferencës së Parisit janë të pamjaftueshme. Kina nuk mund të presë vitin 2030 për të zvogëluar emetimin e gazit, është tepër vonë. Ekziston një studim shkencor, ku dokumentohet se kjo duhet bërë më parë e pasojat ekonomike nuk janë aq shqetësuese. SHBA-të nuk e kanë zbatuar Protokollin e Kiotos për reduktimin e gazeve me 7%. Nga vitet ’90 deri në vitin 2012 ato e kanë rritur emetimin me 10%. Evropa është në trajektore, por duhen përpjekje më të mëdha për ta përmirësuar impenjimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.