2015-09-13 16:39:00

Shenjtorët e javës 13- 20 shtator


E diel 13 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 13 shtator kalendari përkujton shën Gjon Gojartin apo Krizostomin, ipeshkëv e doktor i Kishës. Ungjilli i kësaj së diele na fton të ndjekim Jezu Krishtin në udhën e përditshme duke përshkuar gjurmët e Tij, që çojnë në lavdi përmes kryqit. Leximet biblike të kësaj së diele na kujtojnë se feja dhe veprat shkojnë së bashku, nuk mund të ndahen. Besimi në Zotit duhet të mishërohet në jetën e përditshme e jeta e përditshme të frymëzohet e mbruhet nga feja.

Të hënën më 14 shtator, kalendari i Kishës kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, siç njihet tek popullit shqiptar, festa e Shëna Kryqit. Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Kostandinit e nënës së tij Helenës, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalemi Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezus Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe personat. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na është dhënë të gjithëve jeta e amshuar. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë.

Të martën më 15 shtator, kalendari përkujton festën e të Zojës së Bekuar të Dhimbshme. Përkujtimi i Zojës së Dhimbshme na thërret të përjetojmë çastin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën qiellore, e cila u bashkua me mundimet e të Birit, pranë të cilit ndenji besnikërisht në orën e kryqit. Amësia e saj u bë, në Kalvar, amësi universale. Ky përkujtim me zanafillë devocionale hyri në kalendarin romak me vendim të Papës Piu VII (1814). Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur, është Maria Virgjër nën kryqin e të Birit Jezus. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori të madhe besimtarësh në Krishtin.

Të mërkurën më 16 shtator, kalendari përkujton shenjtorët Kornelin papë e Çiprianin ipeshkëv, martirë, Eufeminë martire e Vitorin, papë.

Të enjten më 17 shtator, kalendari përkujton shën Robert Belarminin.

Të premten më 18 shtator, kalendari përkujton shën Jozefin nga Kopertino, shën Arianën.

Të shtunën më 19 shtator, kalendari përkujton shën Gjenarin, ipeshkëv e martir, shën Marjanin, shën Çiriakun.

Të dielën e ardhshme më 20 shtator, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 25-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 20 shtator, kalendari përkujton shenjtorët Andrea Kim, Pali Chong e shokët  martirë.

“Biri i njeriut do të dorëzohet në duar të njerëzve e do ta vrasin...por pas tre ditësh do të ringjallet”. Me këto, siç rrëfen Ungjilli i kësaj së diele, Jezusi njofton mundimet e tij, tashmë të paralajmëruara nga profeti Izaia. Madhështia e Jezusit dhe e dishepullit të tij qëndron në përmbushjen, pra në kryerjen e vullnetit të Atit Qiellor e në shërbimin e vëllezërve, posaçërisht të më vegjëlve.








All the contents on this site are copyrighted ©.