2015-09-13 18:30:00

Comastri: në Vatikan, të impenjuar për pritjen e refugjatëve


Të gjithë e njohin tashmë, thirrjen e Papës Françesku që çdo famulli, çdo kunvend apo shenjtërore katolike të presë të paktën një familje refugjatësh. Vatikani, me dy famullitë e tij, atë të Shën Pjetrit dhe atë të Shën Anës, u aktivizua menjëherë. Nga Karitasi i Agrigento-s dhe nga ai i Lampedusa-s do të sinjalizohen dy familje, që do të strehohen në dy apartamente, për të cilat do të kujdesen famullitë dhe Lëmoshtari papnor. Kardinali Angelo Comastri, vikari i përgjithshëm i Papës për Vatikanin, flet në mikrofonin tonë:

Së pari, dua të bëj një saktësim përsa i përket habisë me të cilën u prit në botë nisma e Papës. Kisha Katolike ka qenë dhe është gjithmonë shtëpia e bamirësisë, sepse ne gjykohemi dhe stimulohemi nga një urdhërim mëse i njohur: “Duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë juve”. E nxitja për të dashur siç na ka dashur Jezusi, krijon brenda nesh një tension pa kufi. Edhe Papa e ndjen këtë. E para dramës së emigrantëve, që po bëhet diçka e jashtëzakonshme, ndjeu nevojën të ndërhyjë e të përfshijë të gjitha bashkësitë katolike të Evropës për të dhënë një shembull të bukur për Kishën Katolike. Edhe ne, me dy famullitë e Vatikanit, e kemi për detyrë të përgjigjemi të parët. Papa dëshiron që dy apartamentet e refugjatëve të jenë pranë Vatikanit, në mënyrë që të ndjehet dora e tij atërore. E dëshiron që edhe për asistencën shëndetësore të mos rëndojë mbi Italinë, por këto familje të kenë të njëjtën asistencë me punonjësit e Selisë së Shenjtë, që nuk varet nga Italia. Duam të mirëpresim dy familje nga të fundit, që kanë arritur në brigjet e Italisë, sepse sigurisht janë më tepër në vështirësi se të tjerat, që njëfarësoj janë sistemuar.

Si u prit thirrja e Papës në Vatikan?

Më duket, shumë mirë. U befasuam, por u mësuam tashmë me të papriturat e Papës Françesku. Askush nuk dinte gjë për këtë nismë, por përgjigjja qe e menjëhershme dhe entuziaste. Secili prej nesh është i lumtur të hedhë një pikë bamirësie në detin e vështirësive, të cilin natyrisht nuk mund ta thajmë vetëm me kaq. Por, Nënë Tereza thoshte: “Oqeani është bërë me pika, edhe një pikë e vetme ka rëndësinë e vet” e, kjo është e vërtetë.

Përmendët Nënë Terezën, të Lumen shqiptare të bamirësisë e të dashurisë së krishterë. Sipas jush, ç’mund të bëjë secili prej besimtarëve para këtij deti me emigrantë e refugjatë?

Unë do të thosha se secili duhet të shohë rreth vetes e të gjejë vëllezërit. Jetojmë në një shoqëri shumë egoiste, që mbyllet në vetvete. Nënë Tereza, në periudhën e fundit të jetës thoshte: “Perëndimi vuan nga varfëria më e tmerrshme që mund të ekzistojë, nga varfëria e dashurisë. Njerëzit nuk dinë më të duan”. E, po Nënë Tereza, shtonte: “Shpërthen lufta, sepse njerëzit nuk dinë më të duan” e, edhe popujt nuk dinë të duhen. Ka dhunë nëpër rrugë, sepse familjet nuk dinë të duhen e thoshte: “Familjet ndahen jo sepse mbaron dashuria, por sepse njerëzit nuk dinë të duan e dashuria s’ka ekzistuar kurrë mes tyre”. Atëherë, duhet ta rizbulojmë bukurinë e takimit me tjetrin, ta ndjejmë sa mrekulli është kur bëjmë mirë, sepse vetëm kështu mund të jemi të lumtur. Unë e di se në të gjithë Evropën, katolikët po mobilizohen për ta bërë konkrete thirrjen e Papës. Ajo është kërkesë e dashurisë së krishterë, e cila duhet vënë në zbatim për të qenë e vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.