2015-09-11 14:58:00

Papa: klima, çështje drejtësie e solidariteti ndaj të varfërve


Ndryshimet e klimës, ngrohja globale dhe shtimi i ngjarjeve meteorologjike të skajshme tregojnë se “klima është pasuri e përbashkët, që sot, kërcënohet rëndë”. Papa Françesku i kthehet temës së mbrojtjes së ambientit, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Takimit të Fondacionit për zhvillimin e qëndrueshëm, me temë “Drejtësinë ambientale dhe ndryshimet e klimës”.

Ndryshimet e klimës varfërojnë të varfërit

         Pse Kisha duhet të merret me klimën? – pyet Papa. Sepse pasojat e ndryshimeve të saj janë shoqërore, përgjigjet vetë. Janë të varfërit, që i vuajnë më tepër se të tjerët:

         “Çështja e klimës është çështje drejtësie; e edhe solidariteti, që nuk duhet ndarë kurrë nga drejtësia. Është në lojë dinjiteti i njeriut, si popuj, si bashkësi, si burra e gra”.

Të mendojmë për të mirën e brezave të ardhshëm

         Në duart e njerëzve, vërejti Ati i Shenjtë, është grumbulluar një pushtet i paparë, dhënë atyre nga shkenca e teknologjia. Është detyrë e jona ndaj mbarë njerëzimit, sidomos ndaj më të varfërve dhe ndaj brezave të ardhshëm, ta përdorim për të mirën e përbashkët:

         “Pavarësisht nga kontradiktat e shumta të kohës sonë, kemi arsye të mjaftueshme për ta ushqyer shpresën se do t’ia arrijmë. E nga kjo shpresë duhet të udhëhiqemi. Në realizimin e kësaj detyre, uroj që secili prej jush të provojë shijen e pjesëmarrjes në vepra, që transmetojnë jetën. Gëzimi i Ungjillit banon edhe këtu”.

Të dëgjohet zëri i të varfërve

         Papa u kërkon të gjithëve të impenjohen personalisht, në të gjitha fushat e jetës së vet, jo me receta të gasthme që s’i ka askush, por duke marrë pjesë në diskutimin global me ç’di e me ç’ka kuptuar, pa hipokrizi, duke pranuar se rezultati është fryt i punës së përbashkët. Ati i Shenjtë kërkon të dëgjohet zëri i të varfërve edhe në instancat ndërkombëtare:

         “I ftoj të gjithë fuqishëm të bëjnë çdo përpjekje, që në tryezën ku kërkohet mënyra për të zgjidhur krizën e vetme e të ndërlikuar shoqëroro-ambientale, të ulen edhe më të varfërit, si vende, ashtu edhe njerëz: edhe kjo është detyrë e drejtësisë ambientale. Para emergjencës së ndryshimit të klimës e me vështrimin e ngulur në takimet e rëndësishme të muajve të ardhshëm – miratimi i Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm nga OKB-ja në fund të këtij muaji e sidomos Konferenca e Parisit mbi klimën (COP 21) në fillim të dhjetorit – propozoj që ky dialog të kthehet në një besëlidhje të vërtetë për të arritur marrëveshje ambientale globale realisht domethënëse e të frytshme”.

Impenjim personal i Papës dhe i Kishës

         Në përfundim të audiencës, Papa Françesku siguroi impenjimin e tij personal e të të gjithë Kishës, duke filluar nga lutja që njerëzimi të dijë të dëgjojë britmën e tokës e të të varfërve, që banojnë në të, e më në fund, të kujdeset për ta:

         “Sot, toka jonë mëmë është ndër të braktisurit e shumtë, që i lartojnë britmën qiellit për ndihmë. Toka jonë mëmë është e braktisur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.