2015-09-11 12:26:00

Françesku: askush nuk duhet të jetë hipokrit, as Papa


Për të pasur mëshirë për të tjerët, duket të kemi guximin për të akuzuar vetveten. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se duhet të mësojmë veten të mos gjykojmë të tjerët, përndryshe kthehemi në hipokritë. Një rrezik, vërejti, para të cilit ndodhen të gjithë, duke filluar nga vetë Papa.

         “Bujaria e faljes, bujaria e mëshirës”. Papa Françesku nënvizoi se këto ditë, liturgjia reflekton mbi stilin e krishterë, të veshur me ndjenja dhembshurie, mirësie, ëmbëlsie, stil, që na nxit ta durojmë njëri-tjetrin.

Guxim për të akuzuar vetveten

         Zoti, theksoi Ati i Shenjtë, na flet për “shpërblimin”: mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni:

         “E ne mund të themi: ‘kjo është gjë e bukur, eh?’. E secili prej nesh mund të përgjigjet: ‘Po more Atë, kjo është gjë e bukur, por si i bëhet, nga t’ia fillojmë? E cili është hapi i parë në këtë rrugë?’. Hapin e parë e shohim sot, si në Leximin e parë, ashtu edhe në Ungjill. Hapi i parë është akuza kundër vetvetes. Guximi për të akuzuar vetveten, para se të akuzojmë të tjerët. E shën Pali i thur lavde Zotit, sepse ka vënë gishtin mbi të dhe e ka zgjedhur, sepse – thotë shenjti – ‘më ka dhënë besim duke më vënë në shërbim të Tij, pasi unë isha blasfem, persekutues e njeri i dhunës’. Por Zoti pati mëshirë”.

Kujdes, të mos jemi hipokritë, as Papa

         Shën Pali, vijoi Papa reflektimin e tij, na mëson të akuzojmë vetveten. E Zoti, me atë qimen, që shohim në syrin e tjetrit, pa e parë traun në syrin tonë, na mëson të njëjtën gjë. Më parë, duhet të heqim traun nga syri ynë, ky është hapi i parë e jo të bëhemi gjykatës për të tjerët:

         “E Jezusi përdor një fjalë, që e përmend vetëm për njerëzit me dy fytyra, me shpirt dyfaqësh: ‘Hipokrit!’. Hipokrit. Burri e gruaja, që nuk mësojnë të akuzojnë vetveten bëhen hipokritë. Të gjithë eh? Të gjithë. Që nga Papa e poshtë: të gjithë. Nëse ndonjëri prej nesh nuk e ka aftësinë për të akuzuar vetveten, por shkon t’i thotë gjërat e të tjerëve kujt i duhen thënë, nuk është i krishterë, nuk merr pjesë në këtë vepër kaq të bukur të pajtimit, të paqtimit, të dhembshurisë, të mirësisë, të faljes, të zemërgjerësisë, të mëshirës, që na ka sjellë Jezu Krishti”.

Të frenohemi me kohë, kur na vjen të flasim me tepri për të tjerët

         Pra, nënvizoi Papa Françesku, hapi i parë është akuza kundër vetvetes. T’i lutemi Zotit, që kur na vjen ndërmend të kritikojmë të tjerët, të ndalemi, t’i vemë fre gjuhës:

         “Kur më vjen t’i them dikujt mungesat e të tjerëve, të ndalem. Po unë? – ta pyes veten. E të kem guximin, që pati shën Pali: ‘Isha blasfem, persekutues, njeri i dhunës’… Sa gjëra mund t’i themi vetvetes? T’i lemë mënjanë komentet për të tjerët e të bëjmë komente për vetveten. Ky është hapi i parë në udhën e shpirtmadhësisë. Sepse, ai që di të shohë vetëm qimen në syrin e tjetrin, bëhet meskin: një shpirt meskin, plot me vogëlsira, plot me thashetheme”.

         T’i lutemi Zotit, përfundoi Ati i Shenjtë, që të ndjekim këshillën e Jezusit: të jemi bujarë kur duhet të falim e të tregojmë mëshirë. Papa dha shembullin e shpalljes shenjt të një personi, për të cilin ka një proces, është e nevojshme një mrekulli e të tjera. Por, vërejti, nëse nuk ka folur kurrë e asnjëherë keq për të tjerët, mund të shpallej shenjt menjëherë.








All the contents on this site are copyrighted ©.