2015-09-10 15:11:00

Papa ipeshkvijve të ri: jini dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, kujdesuni për të afërt e të largët.


Ipeshkvijve të shuguruar gjatë këtij vitit Papa Françesku ua besoi misionin për të shkuar në kërkimin e njerëzve që janë larg bashkësisë së krishterë. Globalizimi, emigracioni, mjedisi e puna, janë sfidat dramatike me të cilat duhet ballafaquar.

Kujdesuni edhe për “vëllezërit e largët” që nuk e njohin Jezusin apo e kanë “refuzuar gjithmonë”. Kështu u tha mes tjerash Papa Françesku ipeshkvijve të rinj të emëruar gjatë vitit, të cilët këtyre ditëve kanë marrë pjesë në një simpozium organizuar nga Kongregata e Vatikanit për Ipeshkvijtë dhe për Kishat Lindore, udhëhequr nga kardinali Marc Ouellet e Leonardo Sandri.

Të shoqëruar e të përforcuar nga “prania” e Krishtit të Ngjallur,  ipeshkvijtë janë të thirrur për një mision që nuk mund t’i “rëndojë” e t’i “dërrmojë”: prandaj dëshmojeni Jezusin me “gëzimin e Ungjillit” ndaj atij njeriu që tashmë e frekuenton komunitetin, si dhe ndaj atij që është larguar, e ndaj atij tjetrit që është njëri prej “vëllezërve të largët” që “nuk e njeh” Krishtin. Këto fjalë, sot në sallën Klementine në Vatikan, Papa ia drejtoi 108 ipeshkvijve të Kishës, 17 të ritit lindor, të cilët “janë emëruar e shuguruar” kohë më parë, pra gjatë vitit të fundit. Me ta Papa Françesku deshi të shkonte përtej një “katalogu problematikash” për ipeshkvijtë:

“Nuk dua të përqendrohem mbi një agjendë të tillë detyrash sepse nuk dua të ju frikësoj e as të frikësohem. Jeni ende në periudhën e hënës së mjaltë!”.
E megjithatë, duke përvijuar “detyrën parësore e të pazëvendësueshme” të ipeshkvijve, atë të të qenurit “dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur”, e cila është “pasuria e vetme që Kisha trashëgon e transmeton pavarësisht prej duarve tona të brishta”, Papa analizoi realitetin e sotëm:

“Bota është kaq e kënaqur me realitetin e vet të tanishëm, së paku në dukje, me atë që është në gjendje të siguroj e që ka, sa që në anën tjetër i duket e dobishme t’ia zë frymën pyetjes mbi atë që është përfundimtare” në jetën e njeriut.

Duke ju drejtuar ipeshkvijve me përshëndetjen “paqja qoftë me ju”, me përshëndetjen që vetë Krishti u pati drejtuar dishepujve me Ngjalljen, mbrëmjen e “ditës pas të shtunës”, Papa Françesku shpjegoi se njerëzit bashkëkohor e kanë “harruar amshimin”, janë të “hutuar, të zhytur e të përqendruar”, në atë që “administrojnë në kohën e tanishme, në realitetin e përditshëm, duke shtyu atë do të vijë” në mbarim të ekzistencës tokësore. Ecin e jetojnë në saje të asaj “që shohin”, e janë të “rrëmbyer në llogaritjen cinike të mbijetesës personale” e kështu vlera transcendentale e jetës tashmë – vërejti Papa – është bërë aq “indiferente e, jo radhë herë, e padepërtueshme në realitetin e përditshëm të njerëzve, sa që përjashtohet edhe vetë mundësinë e jetës që nuk vdes”:

“Megjithatë, jemi të kapluar prej pyetjeve, përgjigja ndaj të cilave nuk mund vije përveç se nga e ardhmja përfundimtare. Janë pyetje, vërtetë, kaq impenjuese që nuk do të dinim si t’u përgjigjemi duke përjashtuar atë ‘ditë pas së shtunës’, duke anashkaluar horizontin e amshimit që ajo ditë na hap përpara, duke u kufizuar me logjikën e mangët të realitetit të tanishëm të mbyllur, në të cilin mbesim të burgosur pa dritën e asaj dite”. Përgjigjja, pra, vjen vetëm nga përmasa e amshimit, vetëm nga Hyji.

Pastaj Papa u ndal te “sfidat dramatike” të realitetit bashkëkohor, si globalizimi, “fenomeni epokal i emigracionit”, shfrytëzimi i “verbër e shpesh plaçkitës” i ambientit natyror, dinjiteti dhe e ardhmja e punës njerëzore, “puna që u mungon breznive të tëra, e cila tashmë është bërë fenomen i reduktuar në statistika”, pastaj  “shkretëtimi i marrëdhënieve” ndërnjerëzore, humbja e të rinjve dhe vetmia e të moshuarve.  

Para një realiteti të tillë plot sfida, Papa i fton ipeshkvijtë të “interesohen për jetën e njerëzve me një zemër prej Bariu”, të bëjnë të pamundurën për të ndihmuar rimëkëmbjen e jetës së njerëzve, në të gjitha aspektet e saj, e në anën tjetër t’i “marrin për dore” ata njerëz që frekuentojnë komunitetin e tyre, e të bëhen “pedagogë, udhëheqës shpirtëror e katekistë”.

“Mos i kurseni energjitë për t’i shoqëruar në një rrugëdalje. Mos i leni të dorëzohen apo të demoralizohen para realitetit të përditshëm. Me delikatesë e kujdes ndihmoni t’i hapin veshtë e tyre për ta dëgjuar Zotin që pohon: ‘Ky është Biri im, i dashuri: në të kam gëzimin tim’”.
Pra, kujdesi ndaj atyre personave që “janë larguar sepse të zhgënjyer nga premtimet e fesë apo sepse tepër impenjuese iu është dukur udha për t’i arritur ato”.

Ftesa e Papës është që ipeshkvijtë të punojnë në atë mënyrë që të mos i lejojmë njerëzit të shkandullohen prej dhimbjeve, zhgënjimeve e vështirësive të ndryshme, por të ngushëlluar, të përforcuar me fjalë atërore e dëshminë e një jete shembullore të barinjve shpirtëror, ta zbulojnë dhe njohin Krishtin Zot. Kujdesuni e ruajeni komunitetin tuaj prej rreziqeve, duke e pasuruar me dëshmimin e Ungjillit. Kërkoni e ndihmoni edhe ata njerëz që “nuk e njohin Jezusin apo e kanë refuzuar gjithmonë” e shkoni në “drejt tyre”,  takoni pa frikë e pa ngurrim”:

“Nuk mund të mos interesohemi për këta vëllezër të largët. Sidomos në kuadrin e Vitit jubilar të Mëshirës, përfundoi Papa, komunitetet tona “do të pasurohen me atë që këta kanë për të ndarë bashkë me ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.