2015-09-10 12:31:00

Papa Françesku: Jezusi është i mëshirshëm, kush nuk fal nuk është i krishterë


Paqja e pajtimi. Papa Françesku e shtjelloi homelinë e Meshës së këtij mëngjesi kremtuar në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, duke u nisur nga ky binom: paqe e pajtim. Ati i Shenjtë Bergoglio ka dënuar ata njerëz që prodhojnë armë për të vrarë në luftëra, por edhe tërhoqi vëmendjen ndaj konflikteve që ekzistojnë edhe brenda komuniteteve të krishtera. Nga Papa, mëtej, nxitja e re drejtuar priftërinjve të jenë të mëshirshëm siç është vetë Zoti.


Jezusi është princi i paqes sepse e mbjell paqen në zemra tona. Papa Françesku mori shkas nga leximet biblike të liturgjisë së ditës së sotme për t’u ndalur mbi binomin paqe-pajtim. E menjëherë pyeti nëse “ne e falënderojmë mjaft” Hyjin për “këtë dhuratë të paqes që kemi marrë në Jezusin”. Paqja, tha ai, “është na është dhuruar, por nuk është pranuar”.

Edhe sot, çdo ditë, “në lajme të tv, në gazeta – konstatoi me hidhërim Papa – shohim se ka luftëra, shkatërrime, urrejtje, armiqësi”.
“E ka edhe burra e gra që punojnë kaq shumë – e vërtetë punojnë aq shumë! – për t’i fabrikuar armët për vrasje, armë që së fundi lagen në gjakun e sa e sa njerëzve të pafajshëm, të sa shumë njerëzve. Ka luftëra! Ka luftëra e ekziston ajo ligësi e mbrapsht për të përgatitur luftën, për të prodhuar armë kundër tjetrit, për të vrarë! Paqja shpëton, paqja të bënë të jetosh, të bënë të rritesh; lufta të asgjëson, të çon poshtë”.

Megjithatë, shtoi Papa, lufta nuk është kjo e vetëm kjo, “ekziston edhe në komunitete të krishtera, ndër ne”. E ky, nënvizoi Papa, është “këshilli” që sot na jep liturgjia: “Pajtohuni mes jush”. Falja, shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio, është “fjala kyçe”: “Siç ju ka falur Zoti, kështu bëni edhe ju”.

“Nëse ti nuk di të falësh, ti nuk je i krishterë. Mund të jesh një burrë i mirë, një grua e mirë...përse,pra, nuk e bënë atë që Zoti ka bërë me ty. E po kështu: nëse ti nuk fal, ti nuk mund të marrësh paqen e Zotit, faljen e Zotit. E çdo ditë, e lusim uratën Ati Ynë: ‘Na fal, siç kemi falur ne....’. është një ‘kusht’ . Mundohemi ta ‘bindim’ Zotit të jetë i mirë me ne, siç ne jemi të mirë duke falur: përkundrazi. Fjalë, apo jo? Siç këndohej në atë këngën e bukur: ‘Fjalë, fjalë, fjalë’, apo jo? Mendoj se e këndonte Mina....Fjalë! Falni njëri tjetrin! Siç ju ka falur Zoti, ashtu bëni edhe ju”.

E duke vijuar homelinë Papa shtoi: kemi nevojë për “durimin e krishterë”. “ Sa gra heroike ka në popullin tonë – tha Ati i Shenjtë – që durojnë për të mirën e familjes dhe të bijve sa shumë brutalitet, sa shumë padrejtësi: durojnë e shkojnë përpara me familjen”. Ka burra “heroik në popullin tonë të krishterë – vijoi ai – që me durim çohen herët në mëngjes e shkojnë në punë – sa herë në punë të padrejtë, keq të paguar – për t’u kthyer në mbrëmje vonë, për të mbajtur gruan e fëmijët. Këta janë të drejtët”. Por, qortoj ai, ka edhe të tillë që e “bëjnë gjuhën të punojë e bëjnë luftë”, sepse “gjuha shkatërron, bënë luftë!”.

Është edhe një tjerë fjalë kyçe, tha pastaj Papa Françesku, “që Jezusi na thotë në Ungjillin” e sotëm: “mëshira”. Prandaj është më rëndësi “t’i kuptojmë të tjerët, jo t’i dënojmë”.

“Hyji, Ati ynë Qiellor është kaq i mëshirshëm – pohoi Papa – sa që na fal gjithmonë, përherë dëshiron të pajtohet me ne”. Mirëpo, “nëse ti nuk je i mëshirshëm – paralajmëroi Papa – rrezikon që Zoti të mos jetë me ty i mëshirshëm, sepse ne do të gjykohemi me të njëjtën masë me të cilën ne i gjykojmë të tjerët”:

“Nëse ti je prift e nuk e ndjen veten të jesh i mëshirshëm, thuaj ipeshkvit tënd të të japi një punë administrative, por mos shko në rrëfyestore, të lutëm! Një prift që nuk është i mëshirshëm bënë kaq shumë keq në rrëfyestore! Keqtrajton njerëzit. ‘Jo, Atë, unë jam i mëshirshëm, por jam pak nervoz...’. ‘Është e vërtetë...është diçka që mund të ndodhi....por para se të shkosh në rrëfyestore, shko te mjeku që të japi një ilaç kundër nervave! Por ji i mëshirshëm!’. Edhe mes nesh të jemi të mëshirshëm. ‘Po ai ka bërë këtë...Unë çka bëra?’; ‘Ai është më mëkatar se unë!’: kush mund ta thotë këtë, që tjetri qenka më mëkatar se unë? Askush prej nesh nuk mund ta thotë këtë gjë! Vetëm Zoti e di”.

Siç na mëson Shën Pali, vuri në pah Papa, duhet të vishemi me “ndjenja të butësisë, të mirësisë, të përvujtërisë, të dashamirësisë, të bujarisë”. Ky, tha Papa Françesku, “është stili i të krishterit”, “stili me të cilin Jezusi na ka dhuruar paqen e pajtimin”. “Nuk janë mendjemadhësia, krenaria, dënimi, të thashethemet për tjerët” që na ofrojnë dhuratën e paqes e të pajtimit. Pra, Zoti na dhashtë të gjithëve hirin e durimit të anasjelltë, të faljes, të të qenurit të mëshirshëm, siç është Hyji i mëshirshëm me ne!.








All the contents on this site are copyrighted ©.