2015-09-10 14:47:00

Papa, Ekipeve Notre-Dame: mëshirë për familjet në vështirësi


Familjet e krishtera të impenjohen me familjet e tjera, të kenë mëshirë për ato në vështirësi ose të brengosura nga dështimi i martesës dhe, t’u vënë fre kolonizimeve ideologjike. Papa Françesku paralajmëroi disa nga temat e Sinodit të Ipeshkvijve për Familjen, duke pritur sot paradite pjesëmarrësit e Takimit Botëror të “Équipes Notre-Dame”, lëvizje laikësh, lindur në Francë, në vitin 1938, që ka në qendër përshpirtërinë bashkëshortore.

Familjet kërcënohen nga një atmosferë e vështirë

         Çiftet dhe familjet e krishtera, kujtoi Papa, ndodhen shpesh në kushtet më të përshtatshme për t’u kumtuar Jezu Krishtin familjeve të tjera, për t’i mbështetur, për t’i përforcuar në fe e për t’i inkurajuar. Prandaj, nënvizoi Ati i Shenjtë, pas pak javësh kam mbledhur në Romë Sinodin për Familjen:

         “…në mënyrë që Kisha të reflektojë me vëmendje gjithnjë e më të madhe për jetën e familjeve, qeliza të gjalla të shoqërive e të Kishës, të cilat, siç e dini, kërcënohen gjithnjë e më tepër nga konteksti kulturor i vështirë”.

Protagonizmi misionar i familjeve

         Papa i fton familjet për një protagonizëm të ri misionar, përmes dëshmisë e komunikimit të gjithçkaje u bën Zoti të provojnë në “intimitetin shtëpiak, ndër gëzime e dhimbje”, në mënyrë që edhe të tjerët t’i ndjekin në të njëjtën udhë:

         “Ky mision, që u është besuar atyre, është kaq i rëndësishëm, sepse imazhi i familjes – ashtu si e do Zoti, të përbërë nga një burrë e një grua, të orientuar kah e mira e bashkëshortëve dhe kah lindja e edukimi i fëmijëve – është deformuar nga plane të fuqishme të kundërta, mbështetur nga kolonizime ideologjike”.

Pranë familjeve në vështirësi

         Papa Françesku i këshilloi anëtaret e “Équipes Notre-Dame” të formojnë në fe sidomos çiftet e reja, para dhe pas martesës; t’u qëndrojnë pranë familjeve në vështirësi për shkak të ndonjë zie, për shkak të të papunësisë, të varfërisë, të shqetësimeve për fëmijët, të çekulibrimeve për arsye të atmosferës së dhunshme, të krijuar brenda tyre:

         “Duhet të kemi guxim e të hyjmë në marrëdhënie me këto familje, në mënyrë diskrete por bujare, materialisht, njerëzisht e shpirtërisht, në ato rrethana ku ato ndjehen më të brishta”.

Mjete të mëshirës së Zotit

         Ati i Shenjtë kërkoi edhe që familjet e krishtera të jenë mjete të mëshirës së Krishtit e të Kishës ndaj çifteve, që përjetojnë dështimin e martesës:

         “Një çift i bashkuar dhe i lumtur mund ta kuptojë më mirë se kushdo tjetër, si të ishte vetë brenda, plagën e vuajtjen që shkakton braktisja, tradhëtia, dështimi në dashuri”.

Mos harroni vuajtjen e fëmijëve

         Pa harruar vuajtjet e fëmijëve:

         “Mos harroni as vuajtjen e patregueshme të fëmijëve, që përjetojnë këto gjendje të dhimbshme familjare: atyre, ju mund t’u jepni shumë”.

Kujtojmë se “Équipes Notre-Dame” është një lëvizje laikësh të krishterë, themeluar në Francë me nxitjen e atë Enrico Caffarel, për të cilin ka përfunduar faza dioqezane e procesit të lumnimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.