2015-09-09 18:48:00

Përvjetori i kryengritjes së Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Shqipëri


Kujtojmë sot  më 9 shtator kryengritjen antikomuniste organizuar në Postribë. Ishte pra, 9 shtatori i vitit 1946, që shënoi revoltën e parë antikomuniste e me përmasa të mëdha, pasi në të u përfshinë me armë në dorë burra të Postribës, Shkodrës, Gurit të Zi,  Rrethinave, Oblikës e më gjerë, e kështu u shtri në një kryengritje të vendosur shqiptare antikomuniste, e cilësuar si e para e këtij lloji në Shqipëri e në Evropë. Një pjesë e protagonistëve e asaj ngjarje historike dhanë jetën për Shqipërinë, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve të errëta e mizore të diktaturës komuniste ateiste.

Kryengritja e Postribës e 9 shtatorit 1946, qe e motivuar me ideale të forta e të shnejta dhe e organizuar. Që në fillim postribasit dhe jo vetëm ata ishin të vetëdijshëm se e ardhmja e tyre dhe e Atdheut nuk ishte diktatura e komunizmit. Ata e dinin se të drejtat më themelore të njeriut mohoheshin e shkeleshin, se prona nuk do te ishte më e tyre, e dinin se komunistët nuk e pranonin besimin fetar në Zotin, i cili u vërtetua me një përndjekje të tmerrshme dhe tortura të pashembullta, e kështu qytetarët sakrifikuan jetën e tyre dhe atë të familjeve. Në kryengritje të Pastribës nuk morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, as vetëm ata që u prekën nga komunizmi, por gjithë populli i zonës, duke shënuar kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri

Kur përkujtojmë këtë ngjarje, vlerësojmë faktin se shqiptarët qenë gjithmonë qytetarë që e deshën dhe kërkuan lirinë, qenë të parët që flijuan deri edhe jetën për liri dhe ofruan vërtet paguan një sakrificë të madhe me gjak, me jetë, me sulme e përndjekje që regjimi komunist i bëri Postribës, Shkodrës. Pastaj për ta mbajtur nën hijen e frikës dhe burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, të gjithë qytetarët shqiptarë, kaluan një kalvar të tmerrshëm, një periudhë nën errësirë të plotë vlerash antinjerëzore, antishpirtërore, antimorale e antishqiptare. 

S’ka dyshim se kryengritja e Postribës shënohet në historinë e shqiptarëve, si ngjarja me e madhe nga viti 1944 deri në vitin 1990. Kujtimi i përvjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës është me shumë vlerë, është një rast i volitshëm për të hedhur dritë mbi ngjarjet e përgjakshme të diktaturës, për të nderuar antikomunistët dhe demokratët e parë, dhe për t’u treguar brezave të rinj të vërtetën mbi sakrificat që kanë bërë shqiptarët për liri.








All the contents on this site are copyrighted ©.