2015-09-09 14:31:00

Papa Françesku: është urgjente aleanca ndërmjet familjeve e famullive, jo kishave-muze


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku gjatë katekizmit të tij foli mbi lidhjen ndërmjet familjes e komunitetit të krishterë, një aleancë vendimtare për t’i kundërshtuar qendrat e pushtetshme ideologjike, financiare e poltike. “Është një lidhje kjo, të themi kështu, e ‘natyrshme’, sepse Kisha është një familje shpirtërore dhe familja është një Kishë e vogël (krh Lumen gentium, 9). Sot, tha Papa, është e domosdoshme të “rigjallërohet aleanca ndërmjet familjes dhe komunitetit të krishterë”.

Duke iu referuar fenomenit të emigracionit dhe Kishës, Papa Bergoglio vuri theksit te lidhja e familjeve me famullitë kishtare dhe ripohoi se Kishat duhet të jenë shtëpi mikpritëse, të jenë me  dyer të hapura, përndryshe bëhen muze. Pastaj Papa nxiti për të përforcuar lidhjen ndërmjet familjeve e kishave kundër “qendrave të pushtetit” që ka shoqëria sonë.
“Ngjarjet e mëdha të fuqive botërore shkruhen në libra të historisë, e aty mbetën. Mirëpo historia e ndjenjave dhe dashurive njerëzore shkruhet drejtpërdrejtë në zemër të Zotit: e është histori që qëndron përjetësisht”. Papa Françesku e nisi katekizmin e tij me një imazh të veçantë poetik. Edhe një herë, në takimin e së mërkurës me besimtarë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjt Bergoglio u ndal te familja, kësaj radhe me një vështrim mbi marrëdhënien e familjes me komunitetin e krishterë.

Një lidhje kjo, vëren Papa, e “natyrshme”, sepse Kisha është një familje shpirtërore e familja është një Kishë e vogël”. Ati Shenjtë Françesku kujtoi kështu se vetë Jezusi e mësoi historinë njerëzore përmes kësaj udhe familjare dhe e përshkoi atë deri në fund (krh Hb 2,18;5,8):

“Është bukur të kthehesh e ta kundrosh Jezusin dhe shenjat e kësaj lidhjeje! Ai lindi në një familje e aty e njohu dhe “mësoi botën”: një dyqan, katër sende, në një vend të vogël jo të rëndësishëm. E megjithatë, duke jetuar për tridhjetë vjet këtë eksperiencë, Jezusi përvetësoi kushtet njerëzore duke i marr në bashkimin e tij me Atin dhe misionin e tij apostolik”.

Në vijim, shtoi Papa, kur Jezusi e la Nazaretin dhe nisi jetën publike, Ai formoi rreth vetes një komunitet, një ‘asamble’, me fjalë tjera një bashkë-thirrje njerëzisht. Kjo është domethënia e fjalës ‘kishë’”. Asambleja e formuar nga Krishti Zot, nënvizoi Papa, e ka “trajtën e një familjeje mikpritëse, jo të një sekte ekskluzive, të mbyllur”. Jezusi, theksoi, nuk “pushon së prituri dhe së foluri me të gjithë” e ky stil i Tij, vërejti Papa, “është një mësim i fuqishëm për Kishën”. Nga këtu inkurajimi për ta “rigjallëruar aleancën ndërmjet familjes e komunitetit të krishterë”:

“Mund të themi se familja e famullia kishtare janë dy vende ku realizohet ai bashkim dashurie që gjen burimin e vet të mbramë në vetë Zotin. Një Kishë vërtet sipas Ungjillit nuk mund të mos e ketë trajtën e një shtëpie mikpritëse, me dyer të hapura, gjithmonë. Kishat, famullitë kishtare, institucionet, me dyer të mbyllura nuk duhet të quhen kisha, por duhet të quhen muzeume!”.

Sot, vijoi Papa, kjo ndër familjes e kishave është “një aleancë vendimtare kundër qendrave të pushteteve ideologjike, financiare, politike”. Ne, nxiti Papa, jemi të thirrur ta mbështesim shpresën tonë “në qendra të dashurisë”, e këto qendra janë familjet, “të pasura me ngrohtësi njerëzore, të mbështetura mbi solidaritetin e pjesëmarrjen”. Sigurisht, pranoi Papa, se “kemi nevojë për një fe bujare për të rigjetur inteligjencën e guximin për ta përtërijë këtë aleancë”:

“Familjet nganjëherë sprapsen, duke thënë se nuk janë në gjendje e në lartësi të asaj që kërkohet: ‘Atë, jemi një familje e varfër e pak edhe e ‘ shkatërruar’, e ‘shpartalluar’, ‘Ne nuk jemi në gjendje të bëjmë diçka’, ‘Kemi kaq shumë probleme në shtëpi’, ‘Nuk kemi forca’. Kjo është e vërtetë. Po, po, askush nuk është i denjë, askush nuk është në gjendje, askush nuk ka forca të duhura! Pa hirin e Zotit, nuk mund të bëjmë asgjë. Gjithçka na dhurohet, falas na jepet! E Zoti nuk vjen kurrë në një familje pa bërë ndonjë mrekulli”.

Natyrisht, shtoi Papa Françesku, “edhe komuniteti i krishterë duhet ta bëjë pjesën e vet që i takon”, duke u munduar t’i “tejkalojë sjelljet tepër urdhëruese e tepër funksionale”. Në njëjtën kohë, vijoi, “familjet le të marrin nisma e ta ndjejnë përgjegjësinë e bartjes së dhuratave të tyre të çmueshme që kanë për komunitetin”:

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se feja e krishterë luhet dhe jetohen në fushë të hapur të jetës së bashkëndarë me të gjithë, familja e famullia kishtare duhet të ndërtojnë e bëjnë mrekullinë e një jete komunitare për të mirën e mbarë shoqërisë”.

E në fund të katekizmit të audiencës, në momentin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve të pranishëm, Papa kujtoi përkujtimin liturgjik të ditës, që kujton jezuitin Shën Pjetrin Klaver, pajtorin qiellor të misioneve të Afrikës. “Të dashur të rinj – pohoi Papa – shërbimi i tij i palodhur ndaj të mënjanuarve, ju nxitë të gjithëve t’i ndihmoni me bujari nevojtarët; zelli i tij shpirtëror ju ndihmoftë ju, të sëmurë të dashur, ta bartni kryqin me guxim; dashuria e tij për Krishtin qoftë shembull për ju, të dashur të ri sapomartuar, në mënyrë që dashuria të jetë thelbi e qendra e familjes tuaj të re”.








All the contents on this site are copyrighted ©.