2015-09-09 13:41:00

Në Tiranë, thirrje e feve për paqen: lufta, kurrë e shenjtë


Përfundoi dje në Tiranë, Takimi Ndërkombëtar i feve i organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. 400 personalitete fetare nga e gjithë bota u konfrontuan mbi temën “Paqja është gjithnjë e mundshme”, që nga e diela, 6 shtator, e deri dje. Një thirrje për paqen doli njëzëshëm nga përfaqësuesit fetarë, të cilët, që në hyrje, vënë në dukje se u mblodhën në Tiranë, pikërisht sepse është kryeqyteti i një vendi – simbol bashkëjetese ndërmjet feve, por edhe i një vendi që ka provuar prepotencën e së keqes, e cila e pati përjashtuar Zotin e lirinë nga jeta e popullit shqiptar.

         Pikërisht dje mbrëma, në sheshin para Piramidës, në praninë e të gjitha feve - besimtarët e të cilave u lutën pasdite, secili sipas mënyrës së vet, për t’u bashkuar pastaj në procesionin e përbashkët - u nënshkrua Thirrja për Paqen, që iu dorëzua 40 të rinjve, të cilët përfaqësojnë simbolikisht brezat e ardhshëm. Atyre u thuhet se në këtë botë, që ndryshon me shpejtësi, nevojitet që zhvillimi e shndërrimi i shoqërive të mbruhet me shpirt. “Bota – theksohet në Thirrje – rrezikon ta humbasë ndjenjën e kufirit dhe të ndjehet e gjithpushtetshme, ndërsa rriten pushtetet anonime, që luajnë me fatin e popujve”.

         Përfaqësuesit e feve përmendin vuajtjen, që vjen nga idhujtaria e pushtetit dhe e parasë, nga korrupsioni, nga largimi prej Zotit në emër të “unit” personal, nga konsumi pa kriter e pa të ardhme i Gjithësisë, nga mbizotërimi i njeriut mbi njeriun, nga projekti i çmendur i një bote pa tjetrin, nga dhimbja e luftrave pa fund, ngjitëse, jashtë kontrollit.

         “70 vjet pas hekatombës bërthamore e pas fundit të Luftës II Botërore – shkruajnë pjesëmarrësit në Takim – njerëzimi duket sikur e ka harruar që lufta është aventurë pa kthim… Forca e së keqes sot, godet miliona fëmijë, gra, të moshuar, familje: krijon luftëtarë, që mbahen peng nga një logjikë e dhunshme dhe e çmendur. Dhjetra milionë refugjatë mësyjnë Azinë, kufijtë e Evropës dhe zona të tjera të botës”.

         Shekulli ynë, vërejnë me keqardhje, por edhe me nerv të tendosur përfaqësuesit e feve, është në udhëkryq. Puna është çfarë do të zgjedhë bota: dorëzimin apo ardhmërinë, indiferencën apo solidaritetin. Fetë bëjnë thirrje për globalizimin e solidaritetit. “Duhet t’i hapim portat e zemrave, të vendeve tona, sepse nuk ka mure e tela me gjemba, që mund të ndalojnë nevojën për të jetuar e për t’u garantuar një të ardhme fëmijëve. Feve u themi – ngrenë zërin përfaqësuesit e tyre – ta ndihmojnë botën të gjejë një përgjigje njerëzore për luftën, për emigrancionin botëror, për krizën e ambientit, për varfërinë dhe për pikëpyetjet mbi kuptimin  e jetës. Si krerë fesh e kulturash të ndryshme e ndjejmë për detyrë morale ta ndihmojmë botën të mos shkatërrohet, të mos e heshtojë humanitetin njerëzor”.

         Më pas, thirrja bëhet më e fuqishme dhe u flet drejtpërdrejt përgjegjësve:

         “Qeveritarëve u themi: lufta nuk fitohet me luftë: është gabim trashanik! Lufta të ikën nga dora. Mos u mashtroni! Lufta bën çnjerëzorë popuj të tërë. Të rinisemi nga dialogu, i cili është art i madh dhe ilaç i pazëvendësueshëm për pajtimin ndërmjet popujve.

         Feve tona u kujtojmë: lufta nuk është kurrë e shenjtë, eliminimi dhe shtypja e tjetrit në emër të Zotit është gjithnjë blasfemi. Zhdukja dhe shtypja e tjetrit dhe e historisë së tij, duke përdorur emrin e Zotit, është tmerr”.

         Përfaqësuesit e feve kërkojnë mobilizimin e të gjithë popujve kundër terrorizmit dhe dhunës, në Frymën e Asizit, pra të takimit ndërmjet religjioneve. Ata i drejtojnë njerëzit kah lutja, sepse paqja është dhuratë e Zotit, është gjuha e së ardhmes, të cilën duhet ta mësojmë të gjithë.

         “Paqja është gjithmonë e mundshme – shkruhet në fund të Thirrjes, duke cituar temën e Takimit të sivjetëm. Për këtë duhet ta ndërtojmë së bashku, të gjithë, besimtarë e jo besimtarë. Ta ndërtojmë paqen! Me ndihmën e Zotit do ta shndërrojmë këtë kohë në kohë paqeje. Sepse asgjë s’është e pamundur për Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.