2015-09-09 14:06:00

Françesku: drejtësia, liria dhe solidariteti parandalojnë luftën


Rast për të përtërirë përgjegjësinë në kërkimin e mjeteve që parandalojnë çdo kërcënim për konflikt të armatosur, përmes promovimit të një drejtësie më të madhe shoqërore, të lirisë e të solidaritetit. Ky është urimi i Papës Françesku në mesazhin për Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ku paraqitet sërish vepra “Lufta dhe Paqja” pas restaurimit. Mesazhi nënshkruhet nga zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Angelo Becciu.

Dy afresket e mëdha të artistit bashkëkohor brazilian Candido Portinari (1903-1962) janë kthyer në shkëlqimin e mëparshëm pas një pune 5-vjeçare. Që dje, mund të admirohen sërish në selinë e asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Veprat, me 14 metra lartësi e 10 gjerësi, ilustrojnë shkatërrimin dhe shkretimin e njerëzimit nga njëra anë, ndërsa përvijojnë një botë të shëndetshme e të harmonishme, nga ana tjetër. Ato janë ekspozuar edhe në Brazil e në Francë, falë projektit “Portinari” organizuar nga i biri i artistit, José dhe nga Universiteti katolik i Rio-de-Zhanejros.

Në mesazhin dërguar kryeipeshkvit të São Sebastiao do Rio de Janeiro, kardinalit Orani João Tempesta, Papa Françesku, pasi përshkruan botën e sotme të përshkuar nga lufta, përfundon me fjalët: “Besnikë ndaj impenjimit të nënshkruar në këtë ndërtesë të Kombeve të Bashkuara, këtu në Nju Jork, presim me ankth kohën në të cilën kombet ‘do të thyejnë shpatat e do t’i kthejnë në parmenda, do t’i kthejnë heshtat në drapërinj; një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër kombit tjetër, nuk do të mësohet më arti i luftës” (shih Isaia 2,4)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.