2015-09-08 13:35:00

Papa: Zoti ecën me të gjithë ne, shenjtorë e mëkatarë


Zoti pajton e paqëson në jetën e përditshme, në gjëra të vogle të jetës, duke ecur me popullin e vet. Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në homelinë e Meshës së sotme të mëngjesit, kremtuar në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio mori shkas nga festa e sotme e lindjes së Zojës së Bekuar për të nënvizuar se të gjithë ne jemi të thirrur të jemi të përvuajtur dhe të jemi pranë të afërmit tonë, siç na mësojnë Lumit ungjillore të kreut 25 të Ungjillit të Mateut.


“Si pajton Zoti”, “cili është stili i pajtimit të Zotit?” Papa Françesku e shtjelloi homelinë e tij, duke u nisur nga këto pyetje, pikërisht në ditën kur Kisha përkujton lindjen e Virgjërës Mari. Detyra e Jezusit, tha Ati i Shenjtë Bergoglio, është pikërisht “ pajtimi e paqëtimi “. Por, tërhoqi vëmendjen Papa, Hyji për të pajtuar nuk thërret “ndonjë asamble të madhe”, nuk nënshkruan “ndonjë dokument”. Zoti, pohoi Papa, “pajton me një mënyrë të veçantë. Pajton e paqëton në gjëra të vogle e në udhëtim”.
Ati i Shenjtë Françesku iu referua kështu Leximit të parë të Meshës së sotme, nga Libri i Mikesë profet, ku flitet për Betlehemin e vogël që do të bëhet i madh sepse nga ai vend “i vogël vjen paqja”. Zoti, ripohoi Papa, gjithmonë zgjedh “gjëra të vogla, gjëra të përvuajta për të bërë vepra të mëdha. E neve na këshillon të bëhemi të vegjël si fëmijët për mundur të hyjmë në Mbretërinë e Qiejve”. Zoti, vuri në pah Papa, “pajton e paqëton në të voglën e jetës së përditshme”:
“Por, edhe për udhë: duke ecur. Zoti nuk ka dashur të paqëtojë e pajtojë me shkopin magjik: sot – bum! – gjithçka është bërë!. Jo, Ai u vu për udhë për të ecur me popullin e vet dhe këtë e kemi dëgjuar në fragmentin e Ungjillit të sotëm të Mateut që flet për gjenealogjinë e Jezusit: por ndoshta, fragmenti është pak i mërzitshëm apo jo? Aty thuhet ky lindi këtë, ky lindi këtë, ky lindi këtë.... Është një listë e gjatë : mirëpo është udhë e Zotit! Udhëtimi i Zotit në mesin e njerëzve, të mirë e të këqij, sepse në këtë listë ka shenjtorë e ka edhe kriminelë mëkatarë. Ka kaq shumë mëkat, këtu. Mirëpo Zoti nuk frikësohet: ecën. Ecën me popullin e vet”.
E në këtë udhëtim, shtoi Papa,  Hyji “bënë të rritet shpresa e popullit të vet, shpresa në Mesinë”. Zoti ynë, tha Papa duke përmendur një fragment të librit të Deuteronomisë, është një “Hyji i afërt”. Ecën me popullin e vet. E, vërejti Papa, “kjo ecje me të mirëdh e të këqij na tregon stilin tonë të jetës”.
Prandaj, si të krishterë, si duhet të ecim për të pajtuar siç bëri Jezusi, pyeti Papa? Duke zbatuar në jetën e përditshme protokollin e dashurisë ndaj të afërmit, kjo është përgjigja, që na ofron kreu 25 i Ungjillit të Mateut:
“Populli ëndërronte çlirimin. Populli i Izraelit kishte këtë ëndërr sepse i qe premtuar, të lirohej, të ishte i lirë, të ishte i pajtuar dhe i paqëtuar. Jozefi ëndërronte: ëndrra e Jozefit është pak si një përmbledhje e ëndrrës së tërë historisë së udhës së Zotit me popullin e vet. Mirëpo jo vetëm Jozefi ka ëndrra: edhe Hyji ëndërron. Hyji Ati ynë ka ëndrra, e ëndërron gjëra të bukura për popullin  vet, për çdonjërin prej nesh, sepse është Atë dhe duke qenë Atë mendon e ëndërron gjërat ma të mira për bijtë e vet”.
Hyji është i gjithëpushtetshëm dhe i madh, tha Papa Françesku, por na “mëson të bëjmë punë të mëdha të pajtimit e të paqëtimit në gjëra të vogla, gjatë udhës së përditshme, duke mos e humbur shpresën me atë aftësi të ëndërrimit të ëndrrave të mëdha, të horizonteve të mëdha”. Sot, nënvizoi Papa, në përkujtimin e një etapa vendimtare të historisë së Shpëtimit, siç është lindja e Zojës së Bekuar, të kërkojmë prej Hyjit hirin e bashkimit, të pajtimit e të paqes”.
“Por përherë në udhëtim, në afërsi me të tjerët, siç na mësojnë Lumnitë e Ungjillit të Mateut në kreun 25, e edhe me ëndrra të mëdha. E tani ta vazhdojmë kremtimin, në përkujtim të Zotit në gjëra të ‘vogla’: në një copëz bukë, në pak verë...diçka krejt ‘e vogël’. Por në këtë vogëlsi kemi gjithçka. Kemi ëndrrën e Zotit, kemi dashurinë e tij, kemi paqen e tij, kemi pajtimin e tij, kemi Jezusin: Ai është e gjithë kjo”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.