2015-09-08 11:35:00

Imzot Dodë Gjergji: Nënë Tereza ikonë e dashurisë së Hyjit në bamirësi të njeriut


Më 5 shtator, kalendari liturgjik i Kishës katolike kujtoi e kremtoi festën e së Lumes Nënë Terezë. Kështu edhe Kisha katedrale e Prishtinës e kremtoi festën me një Meshë solemne e nisma tjera. Në vijime propozojmë homelinë e ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit mbajtur me rastin e festës më 5 shtatorin e kaluar në kryeqytetin e Kosovës.

Homelia e Imzot Dodë Gjergjit për festën e  së Lumes Nënë Tereza

Fort të dashur vëllezër e motra,

Të nderuara autoritete civile dhe diplomatike,

Të dashur miq!

Si çdo vit, edhe sot jemi bashkuar në këtë Katedrale, në Shenjtëroren e së Lumes Nënë Tereza, që solemnisht të kremtojmë festën e saj. Ditën kur ajo mbylli sytë e trupit duke zbrit në varr dhe hapi sytë e shpirtit duke u rilind për amshim. U ngritë  në shtëpinë e Atit qiellor dhe atje lutet për ne.

Kremtimi solemn i kësaj feste na mundëson që të nxjerrim dy mësime burimore, nga kjo bijë e popullit tonë: 

në njërën anë,  mësojmë nga shembulli i jetës së saj, se si duhet të jetojmë  të lumtur  “për dashuri, me dashuri, dhe në dashuri”.
 në anenë tjetër, nëpërmjet uratës sigurojmë ndërmjetësimin e saj, te Zoti. Sepse ajo vazhdon të lutet për ne në qiell para fytyrës së Hyjit Atë. 

Nënë Tereza, si vajzë e re, ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm për jetën e saj: ta braktisë vetveten në “dorën e Zotit”. T’i besoj Jezu Krishtit dhe të ecë gjurmëve të tija në vuajtjet e njerëzve. 

Me gëzimin ungjillor në shpirt dhe me lumturinë e të bijve të Hyjit në zemër, ajo shihte, në ata që vuanin, Krishtin e kryqëzuar. Kujdesej për të gjithë të varfrit, të mjerët e të braktisurit dhe përpiqej të ju mundësonte atyre një jetë të dinjitetshme. Kur s’arrinte këtë gjë, së paku iu mundësonte që të përjetonin dashurinë e kujdesit njerëzor,  para se të vdisnin. Me bujarinë e zemrës së vet, në mënyrë mbinjerëzore është kujdesur t’u shërbente më të varfërve të ndër varfër, më të mjerëve në mesin e të mjerëve dhe më të braktisurve nderë të braktisur .

Çdo gjë që kishte dhe donte e bënte, siç thoshte ajo: “Për fukaratë e mi”. Sa herë që e takonim thoshte, lutuni për fukaratë e mi, sa herë që i dhuronin diçka, thoshe e kam për fukaratë e mi, çmimin Nobel, thoshte, e pranoj për fukaratë e mi. Një ditë e pyeten ku dëshiron të varrosësh? E ajo, pa as një hezitim, tha: “Dua që edhe në varrë të jam me fukaratë e mi.”

Vëllezër e motra,

pa hezitim mund të themi se e gjithë jeta e saj ka qenë një Himn dashurie për Zotin dhe një  altar sakrifice për vëllain e motrën njeri.  Ishte një person bujar dhe i përvuajtur  që, me duart e veta, lëngonte plagët, dhe me dashurin e vet, përkulej para bukurisë së shpirtit të atyre, që të tjerët i braktisin.

Mbi gjitha, ajo arriti të flijohet plotësisht, të dhurohet tërësisht dhe që t’i mohoj vetës gjithçka, në emër të dashurisë ndaj Jezu Krishtit, për nevojat e njerëzve.

Veprimtarinë e Nënë Terezës mund të përmbledhim në tri shtylla kryesore

Ajo gjurmojë në bukurinë e shpirtit të shumë vajzave të reja dhe i thirri që t’i bashkoheshin në këtë vepër dashurie. Ato ajo i quajti “Misionaret e dashurisë”.  Asaj iu bashkuan aq shumë vajza të reja sa që deri sa ishte gjallë i shpërndau në të gjitha skajet e botës. Më vonë, asaj iu bashkuan edhe shumë burra e gra, të cilët në mënyra të ndryshme u vuan në shërbim të më të varfërve të botës me jetë, me punë vullnetare ose me kontribut financiar.
Ajo e shtrinte dorën e shërbimit, jepte fjalën e ngushtimit dhe ia dhuronte dashurinë e zemrës vet, çdo njeriu. Dëshira e saj për t’i ndihmuar të varfëritë e të mjerët e të braktisurit ishte aq e madhe  sa që me kreativitetin e dashurisë, për ata që s’kishte as një fije shprese të mbijetonin, hapi shtëpinë e vdekjes, me qëllim që njerëzit të vdisnin duke e ndierë  përkëdheljen e dorës së njeriut dhe një zemër që i do. Ajo ishte koherente në jetën e saj, dhe shumë e vendosur që t’i japë botës, një shembull ndryshe: dashurinë. Këndej ajo, përkulej para të mjerëve, para të varfërve, para të përbuzurve dhe para të braktisurve, me të njëjtën dashuri dhe respekt me të cilën përkulej para Papëve, para ipeshkvijve, para meshtarëve, para të pushtetshmëve të botës ose para atyre që e ndihmonin.  Ajo i bënte të gjitha këto, sepse ishte e bindur që të gjithë janë krijesa të Zotit dhe në secilin njeri, e shihte Krishtin, të dashurin e vet dhe shpëtimtarin e botës.
Po ashtu ishte e përkushtuar që me të njëjtin zell, t’u shërbente Hinduve , myslimanëve e të krishterëve. Sepse ishte e bindur që varfëria, vuajtja, padrejtësia, mjerimi, urrejtja, luftërat, braktisja, aborti, droga, prostitucioni, nuk janë as hindu, as myslimane e as të krishtera, por mizori njerëzore dhe sëmundje shoqërore që burojnë  nga lakmia, egoizmi e mbi të gjitha nga mungesa e dashurisë.

Me këtë mënyrë ajo, për shumëkënd në botë  u bë dritë shprese që ngushëllon, zâ i ndërgjegjes që qorton dhe shembull dashurie që nxitë.

Vëllezër e motra të dashur,

Nënë Tereza deri sa ishte gjallë, pa pushim, ndërmjetësonte te autoritetet e botës, për fukaratë e saj dhe për popullin e vet. Jam i bindur se, edhe në qiell,  ajo i lutet Hyjit, siç thoshte ajo, për  “Fukartë e mi e për popullin tem shqiptar që e kam për zemër.”

Ajo lutet për kthimin tonë për të arritur te e vërteta, te paqja, te drejtësia, te falja e pajtimi. Sot, duke e ndjek shembullin e saj, edhe ne duam t’i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e saj, të shtojë bujarinë e zemrave tona, që të mund të pranojnë dhuntitë dhe hiret.  Sepse dashuria, mirësia, bujaria, gëzimi, lumturia dhe paqja e brendshme nuk arrihen me shkathtësinë ose zotësinë tonë, as me kapital e pushtet, as me strategji e politika e as me diplomaci e marrëveshje ndërkombëtare, këto janë dhurata që burojnë nga qielli dhe mund t’i grumbullojnë dhe t’i shpërndajnë, vetëm ata që kthehen e besojnë dhe përpiqen që jenë të pafajshëm.

Si popull, individualisht ose kolektivisht, shpeshherë kemi qenë refuzues të këtyre virtyteve dhe kësaj dashurie. Në të kaluarën e largët, kjo ka ndodhur sepse na mungonte guximi për të përqafua sakrificën; në të shkuarën e afërt, sepse na mungonte mundësia për të kuptuar të vërtetën; kurse sot, refuzuesve të rinj, urrejtja iu ka shuar gacën fundit të dashurisë, në vatrën e zemrës së tyre.

Në anën tjerë, lakmitarët për pushtet, famë e pasuri, përpiqen të bëjnë hije me heroizmat, patriotizmat, me  fuqinë  dhe madhështinë e tyre, bëhen pengës që të na ngrohin këto rreze dashurie, gëzimi dhe shprese.

Një herë Nënë Tereza, thoshte: “… ndoshta njerëzit kanë shumë të mira materiale, është e mundur që i kanë të gjitha, por nëse shohim shtëpitë tona është vështirë të gjejmë një buzëqeshje,  e buzëqeshja është thelbi i dashurisë. “

Duke dëgjuar sot, Ungjillin e Lumturive dhe Himnin e Dashurisë të Shën Palit, më shkojnë në mendje vitet e nëntëdhjeta kur na ngrohej zemra me rreze dashurie sipas shembullit të Nënë Terezës. Se si atëherë: a) ne arrinim nën sundimin e një regjimi të hekurt, të bashkëndanim, dhimbjen, vuajtjen, skamjen, lotët dhe bukën e gojës, kurse sot më të ftohta se “ai hekur” janë bërë zemrat tona; b) ne dinim të jemi të lumtur, entuziast dhe plot shpresë, pa liri,  kurse sot në paqe,  jemi dëshpëruar në shpirt dhe na është ngrirë buzëqeshja në buzë. Aq keq jemi dëshpëruar sa që jemi të gatshëm të braktisim gjërat,  për të cilat kemi sakrifikuar gjithçka; c) ne dinim të falnim gjaqe dhe të kremtonim solemnisht pajtimin në manifestime popullore, kurse sot disi jemi përçarë e shpërndarë, si është më keq. Puna ka shkuar deri aty sa që në festë e dasmë, të vret i vëllai valluan; d) dinim, po ashtu, të lironim vendin më të bukur të këtij qytetit për të ndërtuar Katedrale, kurse sot, ata që e dhanë duan të ja marrin një copë. Thua se kanë gabuar ose janë penduar që ishin aq të mirë. Prandaj me kokëfortësi, duan që këtë bukuri të brendshme ta vejnë nën hijen e shëmtimit të jashtëm.

Kur i mendojmë gjitha këto, me të drejtë pyetemi:  Çfarë po ndodh me ne­­? A e kemi të njëjtën arsye, a e kemi të njëjtën dije? A e kemi të njëjtën zemër? Sigurisht që po, por këto janë shenja të mungesës së kondicionit shpirtëror për të qenë në vazhdimësi të mirë dhe se kemi kapacitet të vogla në zemër pa dashuri të mjaftueshme në kohë.

Vëllezër e motra të dashura,

shpirti i njeriut që nuk ka kontinentet frymëzimi prej Hyjit, dashuri dhe zemër që nuk arrin të shndërrohet në një burim të përhershëm dashurie për të afërmin, s’mund të ketë qëndrueshmëri në të mirën as vazhdueshmëri në lumturi.

Ka edhe shumë e shumë gjëra tjera që na pengojnë të këndojmë me jetën tonë Himnin e dashurisë dhe të gjejmë lumturinë e vërtetë të jetës. Por një gjë është e sigurt që Zoti na do, ai ka mëshirë dhe kujdesët për ne,  në mënyrën e vet.

Ja se çfarë bëri Zoti për ne: “Gjithë dashurinë që njerëzit tanë e kanë mohuar në histori, Zoti e ka vu në zemrën e Gonxhes. Dhe kjo dashuri e derdhur në një zemër bujare, te një vajze Shqiptare, e ka mahnitë gjithë njerëzimin. Fryti i kësaj dashurie ka shëruar plagë, të trupit e të shpirtit,  të shumë njerëzve mbi tokë.

Kësaj bije të popullit tonë, kësaj Nëne të njerëzimit dhe këtij engjëlli të qiellit, ne i kemi ngritë këtë Katedrale kaq të bukur ku secili që do, mund të mësojë t’i përngjajë asaj dhe të rimarr, virtytet e mohuara për t’i kthyer vetes: bukurinë e shpirtit,  pastërtinë e zemrës, dashurinë vetëmohuese,  guximin e vetëflijimit për të mirën e të afërmit dhe gëzimin familjar.

Vetëm kështu jeta e të gjithëve do të jetë një himn dashurie, ashtu si ishte jeta e Nënë Terezës, dhe buzët tona mund t’i këndojnë himn e Nënës Terezë që do ta promovojmë solemnisht sonte. Amen.

Katedralja “Nënë Tereza” Prishtinë, 5 shtator 2015








All the contents on this site are copyrighted ©.