2015-09-07 19:12:00

Papa: t’u propozohet bindshëm Ungjilli të rinjve


Që të rinjtë të tërhiqen nga Ungjilli, në një epokë kur përhapet indiferenca ndaj fesë, është e nevojshme që Krishti i katekizmit të bëhet i dukshëm përmes dëshmisë së jetës së katekistit e të bashkësisë së krishterë. Është një nga mendimet qendrore të fjalës, që Papa Françesku u dorëzoi sot ipeshkvijve portugezë, të cilët i priti në vizitë “ad Limina”.

         Kur Krishti i pyeti një ditë dishepujt: “Edhe ju doni të ikni?” e Pjetri u përgjigj në emër të Dymbëdhjetëve: “Te kush do të shkojmë? Vetëm Ti i ke fjalët e jetës së pasosur”, atë ditë, Apostujt treguan qartë se “propozimi i Jezusit i kishte bindur”, nënvizon Papa në fjalën e tij. Sot, në shumë Kisha të shekullit të 21-të, të rinjtë largohen, sepse mënyra si ua paraqesim ne Jezusin nuk është bindëse.

         Me një autokritikë pa doreza, Ati i Shenjtë vë në dukje kërkesën e kardinalit patriark të Lisbonës për Kishën në Portugali: kthimin, bashkimin, misionin. Problemi, vë në dukje Ati i Shenjtë, nuk është ne tekstet e katekizmit, apo në formimin teorik që të rinjtë marrin në Kishë, por në dëshminë e jetës së katekistit e të gjithë bashkësisë së krishterë, që e rrethon. Papa i fton ipeshkvijtë të kalojnë nga modeli skolaresk i mësimdhënies në atë katekumenal: pra, jo vetëm njohuri intelektuale, por takim personal me Jezu Krishtin, përjetuar në dinamikat e formacionit vokacional, sipas të cilit Zoti thërret e njeriu përgjigjet. Kisha duhet të jetë shtëpia e secilit dhe e të gjithëve, nënvizon Ati i Shenjtë, që vë në dukje amullinë e disa famullive, apo përqendrimin e jetës së tyre vetëm rreth famullitarit, i cili, nganjëherë është kaq i zënë sa i mungon koha edhe për lutje. Së fundi, Ati i Shenjtë kërkon kthimin e barinjve e të besimtarëve në udhën e vërtetë të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.