2015-09-07 15:05:00

Papa në videokonferencë: vij në SHBA për të ndenjur me njerëzit


Vij në SHBA për të ndenjur pranë njerëzve e për t’i ndihmuar në udhën e jetës. Gjatë një videokonference, të transmetuar nga rrjeti televiziv amerikan “Abc”, Papa Françesku shpjegoi si po përgatitet për udhëtimin, që nga data 22 deri më 28 shtator, do të çojë në Amerikë, në veçanti në Filadelfia për Takimin Botëror të Familjeve. Me Atin e Shenjtë, dialoguan në distancë emigrantë dhe njerëz në vështirësi, për të cilët ëndërra amerikane ka mbetur e parealizuar. Atyre, para udhëtimit që do ta çojë edhe në Shtëpinë e Bardhë e në OKB, u tha:

 “Unë jam në shërbim të të gjitha Kishave e të gjithë njerëzve vullnetmirë. Për mua ekziston diçka shumë e rëndësishme, që është afërsia. Për mua është e vështirë të mos u qëndroj pranë njerëzve. Kur u afrohem njerëzve, siç do të bëj edhe me ju, është më e lehtë t’i kuptoj e t’i ndihmoj në udhën e jetës. Prandaj është kaq i rëndësishëm ky udhëtim, për t’iu afruar udhës dhe historisë suaj”.

Të rinjve, që e pyetën ç’pret prej tyre, Papa u vuri në dukje dy aspekte. Së pari, që të rinjtë të mos ecin kurrë vetëm në jetë, por të shoqëruar për dore me Jezusin e me Marinë. Së dyti, që të ecin me guxim, sepse ai të bën t’i gjesh gëzimin e shpresën – dhuratë e Zotit. Mos kini frikë nga vështirësitë, nënvizoi Papa, kini kujdes, por mos u ndalni. Gjeni forcën për t’i kapërcyer. E Ati i Shenjtë përgëzoi një nënë të re me dy fëmijë, e cila me guxim, i kishte sjellë në dritë, megjithëse e vetme, pa i abortuar për të shpëtuar nga përgjegjësitë e nga vështirësitë.

 E para emigrantëve e jetës së tyre të vështirë, Papa Françesku nuk hezitoi të bëjë sërish thirrje për solidaritet:

 “Të gjithë jemi krijuar për ‘miqësinë shoqërore’. Të gjithë kemi përgjegjësi për të gjithë. Askush nuk mund të thotë ‘përgjegjësia ime mbaron këtu’. Miqësia shoqërore është arsyeja për të cilën na ka krijuar Zoti… Duke folur me gjuhën e futbollit do të thosha se loja luhet ndërmjet ‘miqësisë shoqërore’ dhe ‘armiqësisë shoqërore’. Secili prej nesh, në zemrën e vet, duhet të zgjedhë ndërmjet këtyre të dyjave e ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin në marrjen e këtij vendimi me zemër”.

Fundi i videokonferencës, përveç falenderimeve, mbahet mend nga historia e Uendit, vajzë 11-vjeçare, që mbërriti në Teksas me të ëmën, në ikje nga bandat e Salvadorit. Lotët e fëmijës, që i tregoi Papës një fotografi, shoqëruan tregimin e në fund, Françesku e falenderoi. Edhe në ato pika të mëdha e të kripura, që i rrëshqisnin vajzës poshtë nëpër faqe, duke i kujtuar fëmijërinë plot brenga, gjente vend jehona e heshtjes së Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.