2015-09-07 16:25:00

Kalendari kishtar përkujton Shën Regjina e Alize


Më 7 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Regjina e Alizesh, virgjër e martire.

Për Shën Regjinën (emër që në gjuhën frënge Reine ka kuptimin mbretëreshë) kemi pak lajme. I mësojmë nga një dëshmitar, i cili pohon se e ka parë gjithçka me sytë e vet.

Shenjtorja lindi e jetoi në Alize (Gali), pranë Otunit, në shekullin III. E ëma i vdiq në sa po e lindte. Si u rrit, iu kushtua Krishtit dhe jetoi sipas mësimeve të Tij. Dihet se i ati, Olibri, pagan, si u mundua më kot ta bindte të hiqte dorë nga feja e krishterë, pa ia arritur qëllimit, e burgosi e pastaj ia preu kokën. Prej këndej kuptojmë se ishte sundimtar i Galisë së shekullit III.

Vajza u martirizua në Alize, vend ku komandanti i galëve, Verçingjetorigje u burgos nga komandanti romak, Jul Cesari.

Regjina, ndonëse ende e njomë, pranoi tmerret e martirizimit, e sigurtë për atë që e priste. Vajza zgjodhi këtë përfundim të jetës së saj tokësore, duke e ditur se po i hapej përpara rruga që e çonte drejt një jete më të mirë. Mbretëresha ishte e sigurtë se do t’i jepej një mbretëri shumë më e shkëlqyer, një mbretëri e amshuar.

Në kundërshtim me lajmet e pakta për jetën e saj, kulti i Shën Regjinës pati një përhapje të jashtëzakonshme, sidomos në Francë, në Borgonjë, në Alize, në Flavinji e në Osnabryk të Gjermanisë. Në shekullin XVII dy qytetet e fundit nisen të grinden, sepse secili prej tyre pohonte se kishte reliket e martires. Grindjes i dha fund ipeshkvi i Otynit, i cili më 1693 i autorizoi të dy qytetet t’i ekspozonin reliket e Shenjtores.

Është e qartë se Regjina nderohej në Alezia që para vitit 628 e se në vitin 750 në këtë vend lartohej një bazilikë ku thuhej se ruheshin reliket e saj. E pranë bazilikës ishte edhe një kuvend kushtuar Shenjtores. Në vitin 854 reliket u mbartën në Flavinji, ku ruhen ende edhe zinxhirët me të cilët qe lidhur kur ishte e burgosur.

Kisha kushtuar shenjtores u ngritën pak nga pak kudo. Në shekullin XVII kulti i saj arriti edhe në Paris, ku më 1604, pranë Kishës së Shën Eustakut, u themelua një bashkëvëllazëri me emrin e saj: ‘Saint Reine’.

Në art paraqitet me palmën tradicionale të martirizimit, me sëpatën që u përdor për t’i prerë kokën dhe me zinxhirët e burgut.

Festa e saj që në lashtësi kremtohet më 7 shtator, datë që shënohet edhe sot e kësaj dite në të gjithë kalendarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.