2015-09-07 16:12:00

Festa e Madhe e të Lumes Nënë Tereza


Prano ketë flijim, o Zot!

Dëshmi që të dashuroj!

Ndihmoi gjallesës tënde sot!

Emrin do ta madhëroj!

Janë këto vetëm disa nga vargjet e Gonxhe Bojaxhiut, te Lumes Nënë Tereze, të cilat bijtë dhe bijat e saj i kthyen në nota muzikore duke i dhuruar botës himnin shpirtëror me titull ‘Valsi Hyjnor’, i cili u intonua të shtunën mbrëma në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, ku të pranishmit me emocione të forta e nderuan të ngritur në këmbë për disa minuta. Himni u këndua nga sopranoja me famë botërore, Inva Mula, në kuadër të koncertit shpirtëror që u organizua nga Kuvendi i Kosovës dhe Ipeshkvia e Kosovës gjithnjë në kujtim të 105 vjetorit të lindjes dhe 18 vjetorit të kalimit në amshim të të Lumës Nënë Terezë, Nobelistes së Paqes. Morën pjesë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, krerët fetarë te vendit, Imzot Dodë Gjergji e Myftiu Naim Tërnava, nga Shqipëria, Imzot Luciano Avgustini, nga Mali i Zi Imzot Zef Gashi, dhe shumë personalitete tjera shtetërore, arsimore, kulturore,  fetare, e qindra qytetarë që e kishin stërmbushur katedralen.

‘Është punë e madhe që jemi bashkuar këtu, si komb, pushtetarë, klerikë, artistë, të famshëm e të thjeshtë, të krishterë, myslimanë, gnostikë, për t’i kënduar këtë himn të Lumes Nënë Tereze’, tha ve[ tjerash Imzot Dodë Gjergji duke shtuar se jeta e Nënë Terezës ishte himn dashurie ndaj Zotit dhe njeriut. Ai shprehu bindjen se shqiptarët nuk mund të gjejnë formë më të mirë të bashkimit se me Nënë Terezën që sipas tij çdo kush si në pasqyrë mund të shoh zbukurimin dhe bujarinë e shpirtit të vet.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha me këtë rast se e Lumja Nënë Tereze është krenaria dhe udhërrëfyesja e kombit tonë.  ‘Tingujt e Himnit ‘Valsi Hyjnor’, nga këtu, nga toka e saj, nga Prishtina, do të dëgjohen në të gjithë botën, për të dhënë përsëri mesazhin  për të cilin veproi gjithë jetën e saj e Shenjta jonë e kombit, Nëna Terezë’, tha Veseli duke u zotuar se Kuvendi i Kosovës, 5 shtatorin, vitin e ardhshëm do të shpallë Ditë Kombëtare të Bamirësisë dhe Humanizmit.

Të kujtojmë se të shtunën  me 5 shtator, kulmore ishte mesha solemne e orës 11,00 që iu kushtua të Lumes Nënë Tereze, homelinë e se cilës e mbajti Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me një numër te konsiderueshëm meshtarësh nga Kosova e Shqipëria. Ndërsa aktivitete të shumta zhvilloi edhe SHHB ’Nëna Terez;’ në kuadër të 25 vjetorit të themelimit e punës së saj në Kosovë.

Rabije(Mrikë) Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.