2015-09-07 20:04:00

Dy famullitë e Vatikanit mobilizohen për refugjatët


Pas thirrjes së Papës Françesku në Lutjen e Engjëllit të Tënzot te dielen e kaluar për të pritur familjet e refugjatëve, dy famullitë e Vatikanit – ajo e Shën Pjetrit dhe ajo e Shën Anës – po organizojnë mikpritjen. Folëm me famullitarin e Shën Anës, augustinianin, atë Bruno Silvestrini:

Si famulli e Shën Anës, ashtu edhe si ajo e Shën Pjetrit – të dyja realitete të Vatikanit – në bashkim me Lëmoshtarin e Shenjtërisë së Tij dhe me qendrën e Karitasit, që e kemi këtu në famullinë e Shën Anës, kemi menduar të ofrojmë dy apartamente. Po jo vetëm ato, sepse për të jetuar nuk mjaftojnë muret: ne impenjohemi të gjejmë punë për kryefamiljarin, në mënyrë që ta përballojë me dinjitet këtë periudhë, këtë kohë që do të qëndrojnë këtu, për t’u integruar më pas në shoqëri, ose për të shkuar në një vend tjetër, nëse është e nevojshme. Tani për tani, është koha e mikpritjes, këtu në Vatikan, veçanërisht, me buzëqeshje, me entuziazmin e krishterë të atij që hap dyert për t’i dashur njerëzit, që ka përballë.

Famullia e Shën Anës, prej vitesh u jep ndihmë dhe asistencë njerëzve, që trokasin në dyert e kësaj kishe…

Po, tashmë e dinë të gjithë. Famullia jonë është kishë kufiri. Është e hapur çdo ditë e gjithkush mund të vijë, pavarësisht nga gjuha, nga raca, nga kultura e nga feja. Të gjithë vijnë për të kërkuar, të tjerë japin gatishmërinë e tyre. Ne ndihmojmë aq sa mundemi, ashtu si mundemi, gjithnjë në bashkëpunim me Lëmoshtarin papnor, me Karitasin, që gjen ushqim, veshmbathje e çdo gjë që nevojitet.

Në veçanti, cilat janë shërbimet, që ofron Karitasi?

Ne kemi një qendër dëgjimi për ata, që duan të kërkojnë, të pyesin e të paraqesin gjendje të vështira. Kemi ekspertë, njerëz që vijnë vullnetarisht për ndihmë. Pastaj, Karitasi punon çdo ditë për t’iu përgjigjur nevojave konkrete, për sa mund të ndihmojmë. E kemi edhe të premten, ditë e veçantë për ne, e cila na impenjon që në 7 të mëngjesit. Ka njerëz, pensionistë apo të tjerë, që kanë më tepër kohë, që na ndihmojnë në shpërndarjen e ushqimeve. Mirëpresim edhe të moshuarit, të vetmuarit, të braktisurit, me ëmbëlsi, me dëshirë për t’i dëgjuar e ndihmuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.