2015-09-06 17:58:00

Papa: thirrje Evropës, famullive kishtare t’i presin emigrantët, edhe në Vatikan do të strehohen refugjatët


“Në afërsi të Jubileut të Mëshirës, i drejtoj një thirrje famullive kishtare, komuniteteve rregulltare, manastireve dhe shenjtëroreve të mbarë Evropës ta shprehin konkretësinë e Ungjillit dhe të pranoj e mirëpresin një familje refugjatësh. Një gjest konkret në përgatitje të Vitit të Shenjtë”. Kjo është thirrja që bëri sot Ati i Shenjtë  Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke i ftuar ipeshkvijtë e Evropës ta mbështesin këtë thirrje në favor të refugjatëve dhe të emigrantëve që mbërrijnë në Evropë.

“Çdo famulli kishtare, çdo komunitet rregulltarë, çdo manastir, çdo shenjtërore e Evropës – shtoi Papa – të pres një familje refugjatësh, duke u nisur nga dioqeza ime e Romës. Po u drejtohem vëllezërve të mi Ipeshkvijve të Evropës, barinjve të vërtetë, që nëpër dioqeza të tyre ta mbështesin këtë thirrje timen, duke kujtuar se Mëshira është emri dytë i Dashurisë: ‘Gjithçka keni bërë për njërin prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua””, kujtoi Papa fjalët e Jezusit.

Së fundi njoftimi: “Edhe dy famullitë kishtare të Vatikanit do t’i pranojnë këto ditë dy familje refugjatësh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.