2015-09-06 17:34:00

Papa: jeta e Nënë Terezës dëshmoi Mëshirën e Zotit


Papa: jeta e Nënë Terezës dëshmoi Mëshirën e Zotit. Thirrje Evropës, famullive kishtare t’i presin emigrantët, edhe në Vatikan do të strehohen refugjatët
“Mëshira e Zoti dëshmohet përmes veprave tona, siç ka dëshmuar jeta e së Lumes Nënë Terezë, të cilën e kujtuam të shtunën në përvjetorin e vdekjes”. Kështu tha Papa Françesku dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në mesditë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke kujtuar dramën e refugjatëve e të emigrantëve dhe drejtuar thirrjen për solidaritet njerëzor, sipas shembullit të jetës dhe veprës të së lumes shqiptare Ganxhe Bojaxhiu.
“T’u japim emigrantëve një shpresë konkrete”. Ja  pse atëherë “para tragjedisë së dhjetëra mijëra refugjatëve që janë në ikje nga vdekja për shkak të luftës e të urisë  dhe janë në udhëtim plot shpresë drejt një jete të re, Ungjilli na thërret e na kërkon t’u jemi ‘afër’ më të vegjëlve e të braktisurve, t’u japim atyre një shpresë konkrete. Mos t’u themi vetëm ‘guxim, durim!’, por të ofrojmë vepra konkrete solidariteti”.
“Në afërsi të Jubileut të Mëshirës, u bëjë thirrje famullive kishtare, komuniteteve rregulltare, manastireve dhe shenjtëroreve të mbarë Evropës ta shprehin konkretësinë e Ungjillit dhe të pranoj e mirëpresin një familje refugjatësh. Një gjest konkret në përgatitje të Vitit të Shenjtë”.
Prandaj, Papa Bergoglio iu drejtua Kishës katolike duke thënë: “Çdo famulli kishtare, çdo komunitet rregulltarë, çdo manastir, çdo shenjtërore e Evropës, të pres një familje refugjatësh, duke u nisur nga dioqeza ime e Romës. Po u drejtohem vëllezërve të mi Ipeshkvijve të Evropës, barinjve të vërtetë, që nëpër dioqeza të tyre ta mbështesin këtë thirrje timen, duke kujtuar se Mëshira është emri dytë i Dashurisë: ‘Gjithçka keni bërë për njërin prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua””, kujtoi Papa fjalët e Jezusit.
Së fundi njoftimi i Atit të Shenjtë: “Edhe dy famullitë kishtare të Vatikanit do t’i pranojnë këto ditë dy familje refugjatësh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.