2015-09-04 13:54:00

Shën Egjidi: në Tiranë 400 personalitete të botës politike e fetare për të thënë se ‘paqja është përherë e mundshme’


Në 20-vjetorin e përfundimit të luftës së fundit ballkanike, Bashkësia e Shën Egjidit, në bashkëpunim me Konferencën ipeshkvnore katolike shqiptare, me Kishën ortodokse autoqefale të Shqipërisë dhe Qeverinë shqiptare, organizojnë takimin e 28-të ndërkombëtar për paqen, që do të mbahet në Tiranë, më 6 deri më 8 shtator. Në këto kohë të vështira e të ndërlikuara, që po jetojmë, të mbushura me konflikte të  vjetra e të reja, përfaqësuesit e Kishave të krishtera, liderët e feve të mëdha botërore dhe personalitete të kulturës e të politikës ndërkombëtare, do të mblidhen në Tiranë për të dialoguar e për t’u lutur për paqen, duke sjellë në Shqipëri, shpirtin e Asizit.  

 Në shtator Tirana do të jetë Kryeqytet i paqes. Për gjithë këto,  flet sot, në mikrofonin tonë, Kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, duke vënë theksin tek tema e paqes, në qendër të vëmendjes së takimit:

Përgjigje: - Ne i bëjmë bashkësisë ndërkombëtare thirrje për paqen, por duam të marrim mbi vete edhe përgjegjësitë tona. Përgjegjësia e parë, e madhe, vjen nga shpirti i Asizit, të cilin na e la trashëgim Shën Gjon Pali II. Shën Egjidi nuk e ka lënë kurrë mbas dore në këto 30 vjet. Sot shpirti i Asizit ballafaqohet me probleme të reja: nëse më parë, madje qysh kur lindi, më 1986, iu desh të ndodhej ballë për ballë me shqetësimet, që buronin nga Lufta e Ftohtë, sot ballafaqohet me emigrantët e me shkaqet e luftërave, ose me temën e terrorizmit fetar e të dhunës, që njihet si terrorizëm “me bazë fetare”. E prej këndej, së bashku me shumë liderë fetarë, por edhe me personalitete të botës politike e të shoqërisë civile, duam të marrim mbi vete përgjegjësinë për të propozuar rrugëzgjidhje e për t’i folur botës për këtë. Jemi para një pyetjeje, që ia bëjnë vetes edhe fetë: “Ku dështuam?”.“Ku nuk mundëm t’i bindim njerëzit?”. “Pse ekzistojnë foreign fighters”(luftëtarët e huaj)?”. “Pse ka ende njerëz, që besojnë se një nga shprehjet e islamit është dhuna?”. Këto janë pyetjet, që duam të bëjmë edhe së bashku me bashkëbiseduesit tanë myslimanë.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për Shqipërinë, që vijon të mjekojë plagët e hapura nga diktatura dhe ateizmi shtetëror?

Përgjigje: - Besoj se Shqipëria, e Tirana, janë me të vërtetë vende, që të ngjallin shumë kujtime. Shumë vuajtje të kësaj bote duhen kuptuar edhe nën dritën e historisë. Nëse sot kemi emigrantë nga Siria, sepse atje zjen lufta, në vitet ’90 kishim emigrantë nga Shqipëria, sepse vendi dilte nga një gjysëm shekulli regjimi të tmerrshëm komunist, që nuk ishte mjaftuar të mbyllte kufijtë tokësorë. Qe përpjekur t’i mbyllte edhe kufjtë qiellorë, duke deklaruar ateizmin e shtetit e duke i persekutuar me dhunë të paparë të gjithë ata, që besonin në një Zot të vetëm, të krishterë e myslimanë.  Atëherë mund të themi me gojë plot se Shqipëria të kujton një popull që vuajti shumë e që viteve të fundit përpiqet të dalë e të ridalë pambarimisht nga kushtet e vështira, në të cilat jetoi e vijon të jetojë. Sepse plagët gjysëmshekullore nuk mund të mbyllen aq shpejt. Çka ne deri dje e kujtonim si “pushtimi i epokës”, nga dyndjet e shqiptarëve, sot as që e kujtojmë më, sepse shqiptarët që vërshuan drejt Botës së madhe, tashmë shkelin me hapa të sigurt në shoqërinë e re, ku jetojnë, punojnë ndërmjet nesh e pastaj rikthehen në Shqipëri, për të ndihmuar në zhvillimin e vendit të tyre, të shtëpisë së tyre, prej nga u larguan një ditë me rrëmbesë, për t’u rikthyer në kohë më të mira, duke mos i lënë trojet veta në dorë të të pamunduarve. Shqipëria është model, për t’iu treguar edhe sot atyre, që kanë frikë nga emigrantët.

Pyetje: - Më 14 shtator do të mbahet takimi i rangut të lartë i Bashkimit Evropian mbi emigracionin. Në qendër të vëmendjes,  kërkesa, nevoja, për ta rishikuar traktatin e Dublinit. Ç’mendon për këtë Shën Egjidi?

Përgjigje: - Bashkësia e Shën Egjidit që prej disa muajsh shpreh mendimin se Traktati i Dublinit duhet shndërruar, duhet ndryshuar. Mendojmë se  Evropa mund të përfitojë prej normave të tij, ndërmjet të cilave, edhe Neni 78, ku flitet për mundësinë e zgjerimit të konceptit të mbrojtjes së përkohshme jo vetëm të njerëzve të veçantë, por edhe të grupeve. Sot, për shembull, koncepti i mbrojtjes mund të zgjerohet lidhur me mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve sirianë, popull që shihet qartë se ikën nga lufta e nuk ka asgjë për të fshehur… Vjen, pastaj, propozimi italian për të drejtën e strehimit evropian, i mbështetur edhe nga kancelarja Merkel. Mund të kujtohen një mori mundësish, po unë mendoj se ajo që duhet bërë, është të nxitohemi, kemi pak kohë, vuajtja është tepër e madhe, për të pritur. Ne kërkojmë që të hapen edhe zyra në vendet e kalimit, ku mund të dorëzohen këto kërkesa. Ky është propozimi ynë i madh, që e bëmë së bashku me Federatën e Kishave ungjillore italiane. E tani jemi në pritje të përgjigjes së Ministrisë së Brendshme. Nga Ministria e Jashtme e kemi marrë tashmë përgjigjen pozitive. Tani presim që kjo të kryhet sa më shpejt.

Pyetje: - Përballë gjithë këtyre përpjekjeve, vendeve të Evropës së Lindjes, në disa drejtime, u mbyllen përsëri portat…

Përgjigje: - Kjo, pa dyshim, të bën të mendohesh shumë e edhe të pyesësh ç’kuptim ka për Evropën një nga parimet themelore, mbi të cilat ngrihet, ai i solidaritetit. Besoj se duhen bindur më shumë popujt evropianë, kombet e ndryshme, se këta njerëz, sot në ikje, kanë nevojë, janë të vuajtur sa më s’mban. Kamioni i gjetur në Austri i tundi shumë ndërgjegje njerëzore, por përsa u përket atyre qeveritare, nuk më duket se u tundën edhe aq shumë. Duhet të vijojmë, prandaj, të dëshmojmë, të shpjegojmë, në të gjitha mënyrat e mundshme, se emigrant bëhesh kur e ke lakun në fyt, kur ikën nga situata të padurueshme, kur toka jote mëmë të bëhet njerkë. E, prej këndej, duhet t’u kërkojmë popujve evropianë t’i ndjejnë sadopak këto vuajtje, si të ishin të vetat.








All the contents on this site are copyrighted ©.