2015-09-04 12:26:00

Papritmas Papa hyri në një dyqan optike në Romë


E papritur, në qendër të Romës. Papa Françesku mbrëmë u duk në një nga dyqanet më të njohura optike të Rrugës së Babuinit, në Romë, për të ndërruar syzet, i shoqëruar nga ceremonieri, imzot Guillermo Karcher.  Papa arriti me makinë e hyri në dyqan, ndërsa jashtë u mblodh menjëherë një turmë  njerëzish, në pritje që ta takonin, kur të dilte. Françeskun e priti pronari, Alessandro Spiezia, pasi qe paralajmëruar se do të vinte Papa, pasi okulisti e kishte këshilluar të ndërronte numrin e syzeve, për të parë më mirë nga afër. Pas një vizite të re, u këshillua të përdorë lente shumëfokale, për të parë më mirë nga afër e nga larg njëherësh. Në këtë pikë optiku i propozoi një mori skeletesh, duke e ftuar të zgjidhte atë, që do t’i pëlqente më shumë. Por  Papa u përgjigj: “Nuk dua skelet të ri, duhen ribërë vetëm lentet. Pse të shpenzoj, pa nevojë?”. Pastaj, në vesh, sipas rrëfimit të vetë pronarit, kishte shtuar: “Të lutem, Alessandro,  dua të paguaj, aq sa kushtojnë”. E  pronari, gjithnjë në vesh: “Shenjtëri, do të më paguani mbi bazën e asaj, që kam paguar vetë”.

Pas rreth 40 minutash, Papa u largua nga dyqani e hyri në auto, për t’u kthyer pas pak në Vatikan.

Papa u kthye në Vatikan, por duke lënë pas një gjurmë të pashlyeshme, sidomos në kujtesën e atyre, që e panë, e të pronarit, që u shpreh kështu: “Në këto pesëdhjetë vjet veprimtarie këtu kanë kaluar një mori personalitetesh të shquara: Fellini, la Masina, Pietro Germi, Eduardo De Filippi e deri Bill Klintoni, por të presësh Papën, është emocion që të mbush me mornica”.

Syzet e reja do t’ia dorëzojë Papës, para se të niset për Kubë e SHBA, vetë optiku, duke provuar edhe një emocion të ri, tejet të fortë, e tepër pozitiv.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.