2015-09-04 16:45:00

Nënë Tereza, drejt shenjtërimit


Shërimi i menjëhershëm dhe i pashpjegueshëm i një burri brazilian në prag të vdekjes, për shkak të një tumori  malinj në tru, është mrekullia, që mund ta çojë të Lumen Nënë Terezë drejt shenjtërimit, gjatë Vitit shenjt të Mëshirës. Njoftimin e jep Vatican insider, një projekt i së përditshmes italiane “La Stampa”, organ i pavarur, kushtuar informacionit të përgjithshëm për Vatikanin, veprimtarinë e Papës e të Selisë së Shenjtë, praninë ndërkombëtare të Kishës katolike dhe temat fetare, që del në tri gjuhë: anglisht, italisht e spanjisht.

Mrekullia

Në Santos, në shtetin e San Paolos, vijon procesi dioqezan për shërimin e mrekullueshëm. E Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve, po mbledh provat dhe dëshmitë mjekësore drejtpëdrejt në vendin e ngjarjes. Në Vatikan kanë arritur e vijojnë të arrijnë sinjalizime nga e gjithë bota për mrekulli të mundshme, kryer me ndërmjetësimin e Rregulltares së Lume shqiptare. E, sa herë kujtohet emri i saj, aq herë përmendet, me nderim të thellë, edhe emri i atdheut të Ganxhe Bojaxhisë. Flitet edhe për një mrekulli tjetër, ndodhur në SHBA. Por mrekullia, që meriton të thellohet  e ka më shumë mundësi të shikohet si e tillë, është ajo e dioqezës së Santos, ku besimtari i sëmurë me kancer, në prag të vdekjes së sigurt, në sa po bënte tac-un, iu lut me gjithë zemër për ndërmjetësim Nënë Terezës. Kërkonte prej Zotit rikthimin e shëndetit, nëpërmjet së Lumes. E, nësa specialistët realizonin tac-un, tumori, që kishte pushtuar pothuajse gjithë trurin e të sëmurit, u zhduk papritmas e në mënyrë fare të pashpjegueshme.

Kanë kaluar 12 vjet nga Lumnimi i Nënë Terezës

Nënë Tereza u lumnua me një kremtim madhështor, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Gjon Pali II. Procesi, që kishte njohur një herë virtytet e saj heroike, e pastaj mrekullinë e parë, të nevojshme për ta shpallur “E Lume”, atë të shërimit të mrekullueshëm të indianes Monika Besra, nisi më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë së Nënës të të varfërve. Postulator i Çështjes ishte atë Brian Kolodiejchuk. 

Shenjte, në Vitin Jubilar?

Me shpresë se do ta shikojmë Shenjte pikërisht gjatë këtij Viti të jashtëzakonshëm Jubilar, kujtojmë se Nënë Tereza iu përgjigj me gjithë jetën thirrjes së Jezusit: “Eja, ji drita ime”, duke na lënë testamentin e fesë së patundur, shpresës së pashuar, dashurisë së pazakontë për Zotin e njeriun. Shenjtërimi i saj do të ishte një nga çastet më të fuqishme shpirtërore të Vitit të jashtëzakonshëm Shenjt, kushtuar Mëshirës Hyjnore, që do të hapet më 8 dhjetor 2015, për të përfunduar më 20 nëntor 2016.

Papa Françesku për Nënë Terezën

Gjatë kremtimit të Meshës Shenjte në Sheshin Nënë Tereza, në Tiranë, Papa Françesku i pati kujtuar kështu Shën Karolin e të lumen Terezë, bashkë me martirët, që e dëshmuan fenë me heroizëm:

“Kur Gjon Pali II vizitonte Shqipërinë, kishte përkrah Nënë Terezën. Sot Papa Vojtila është Shenjt e Nënë Tereza e Lume’, ... atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – e sigurisht galdojnë e luten në Qiell për punën e burrave dhe të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri”.

E edhe në përshëndetjen,  që Françesku i la kujtim popullit shqiptar, ishte emri i së Lumes, dashtë Zoti edhe shenjte në Vitin e jashtëzakonshëm të Mëshirës, të cilën ajo diti ta mishërojë si moskush, duke ecur në gjurmët e Krishtit:

“Duke ardhur sot mes jush, të dashur vëllezër e motra të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, dëshiroj ta përsëris këtë pëshëndetje: paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.