2015-09-04 14:10:00

Një fjalim, që duhet kujtuar, nga Dritarja e Engjëllit


Është hera e tretë që kujtojmë historikun e lutjes së Engjëllit të Tënzot. E natyrshme. Eshtë lutja kryesore, e ndjekur nga qindra mijëra besimtarë, nga e diela, në të dielë. E kështu, që nga Engjëlli i parë, kremtuar nga Papa Piu XII nga ajo, që nisi të quhej “Dritarja e Engjëllit”. Bota pa të dalin aty  disa papë, dëgjoi shumë e shumë mesazhe ungjillore, shumë ftesa për të jetuar me gëzimet e shqetësimet e botës së madhe, ku nuk pushojnë kurrë luftërat, shumë mesazhe në kremtimet e ngjarjeve të mëdha. Por, ndërmjet gjithë këtyre fjalëve, që nganjëherë fluturuan në Shesh të shoqëruara edhe me flatra pëllumbash të bardhë, simbol i paqes, në kujtesën e mbarë botës mbeti një fjalim, që u bë menjëherë i njohur me emrin “Fjalimi hënës”. E mbajti Papa i Mirë, Shën Gjoni XXIII, në  vitin tashmë të largët 1962, kur  mbi Vatikanin perëndonte dita e hapjes së Koncilit II, e përshëndetur nga këmbana, që bie për ngjarje të mëdha, ndërsa në Shqipëri këmbanat rroposeshin nga kumbonaret me një rropamë, që të kujtonte Apokalipsin e Shën Gjonit, ditën e fundit të botës!

Por ndërsa fjalët e komunizmit kaluan, “Fjalimi hënës” mbeti, për të na kujtuar muzgun e 11 tetorit të vitit 1962, që binte ngadalë mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të një dite të jashtëzakonshme, asaj të hapjes së Koncilit II të Vatikanit, që do t’ia përtërinte fytyrën Kishës.

Pikërisht në këtë muzg të praruar vjeshte, me qiell blu, ndriçuar nga drita e hënës, që atë natë doli çuditërisht shpejt, Papa Gjoni XXIII u duk, i brohoritur nga mijëra besimtarë, të cilët e ndiqnin nga Sheshi, me sytë mbërthyer në Dritaren e Engjëllit:

“Të dashur bij, ishin fjalët e para të Papës, dëgjoj zërat tuaja. Zëri im është një i vetëm, por bashkon të gjitha zërat e botës; e këtu  përfaqësohet me të vërtetë mbarë bota. Do të thosha se deri hëna nxitoi sonte … Vërejeni atje lart, si e shikon këtë shfaqje… Ne mbyllim një ditë të madhe paqeje… Po, ditë paqeje”: Lumni i qoftë Zotit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”.

E, në vijim:

“Nëse do të kisha mundësinë ta pyesja secilin: e ju, prej nga na vini? Bijtë e Romës, që përfaqësohen posaçërisht këtu, do të më gjegjeshin; ah, ne jemi më të afërmit e ju jeni ipeshkvi ynë! Epo mirë, o vëllezër të Romës, ju e ndjeni veten përfaqësues të “caput mundi”, kryeqytet i botës, ashtu siç është e thirrur të jetë, sipas planit të Zotit, në shekuj të shekujve”.

Besimtarët dëgjonin, në vijim, një pohim prekës:

“Unë nuk kam kurrfarë vlere: jam thjesht një vëlla, që ju flet, që u bë atë me vullnesën e Zotit tonë”.

Kështu fliste atë muzg të jashtzakonshëm, Papa i Mirë, nga Dritarja e Engjëllit, nësa deri hëna nga lart dukej sikur i regjistronte fjalët e tij të paharrueshme, që turma i ndiqte në heshtje të thellë, për t’i ndërprerë kur e kur me duartrokitje të stuhishme. 

Ishte ftesë dashurie, ftesë miqësie, ftesë bashkimi:

“Të vijojmë, pra, të duhemi me njeri-tjetrin, të takohemi, të pranojmë çka na bashkon e ta lëmë mënjanë, në se ka ndonjë gjë, që mund të na krijojë vështirësi…”.

E në këtë pikë fjalët e Papës arritën një kulm fetar e njerëzor, që bota nuk do ta harrojë kurrë, sepse preku në thelb, miliona zemra. Duke i ulur sytë,   nga hëna, në Sheshin poshtë Dritares së Engjëllit, Gjoni XXIII iu drejtua turmës brohoritëse me fjalët e paharrueshme, që më pas hynë, pa trokitur në të gjitha shtëpitë, e edhe në histori: 

“Duke u kthyer në shtëpi, do të gjeni atje fëmijët, jepuni një ledhatim e thojuni: ‘Kjo është përkëdhelja e Papës’!”.

Do të gjeni ndoshta ndonjë lot, për ta terur.

Do t’i thoni ndonjë njeriu, që vuan, një fjalë ngushëllimi.

Ta dinë gjithë njerëzit, që vuajnë, se Papa është me bijtë e vet, në orët e pikëllimit e të hidhërimit…

E pastaj të gjithë së bashku të mbushemi me gjallëri: duke kënduar, duke psherëtirë, duke qarë, por, gjithnjë plot me besim në Krishtin, që na ndihmon, na dëgjon, ta nisim përsëri udhën tonë.

“Mirupafshim, bijtë e mi! I shtoj sonte bekimit edhe përshëndetjen ‘Natën e mirë!’”.

E kjo përshëndetje mbyllte, për atë natë, Dritaren e Engjëllit. Po ajo vijon të hapet, e jo vetëm të dielave. Hapet sa herë që Kisha Katolike universale kremton ngjarje të mëdha. Ngjarje të cilat i përkasin mbarë njerëzimit, ashtu si Dritarja, që hapet çdo të diel mbi Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me njerëz, të cilët vijnë këtu nga skajet më të largëta të botës e ndjekin, nën dritë dielli a hëne, zërin e Papës, që ua përsërit në një mori formash e me një mori fjalësh, në përkim me  çastet e jetës së njerëzimit mbarë, “Lajmin e Mirë, Fjalën e Ungjillit të Krishtit.

 “Angelus Domini…..








All the contents on this site are copyrighted ©.