2015-09-03 14:35:00

Takimi Wojtyla-Gorbaçov në Vatikan”.


Emisioni XVIII i Rubrikës “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet “Takimi Wojtyla-Gorbaçov në Vatikan”.

Kulmi i vizitës së Gorbaçovit në Itali, ishte takimi me Gjon Palin II, në Vatikan. Ngjarje me të vërtetë historike: nuk kishte ndodhur kurrë që një lider sovjetik të kapërcente muret leonine e të shkelte mbi kalldrëmin e Sheshit të Shën Damasit. Prej këndej, vizita u ndoq me vëmendje të madhe, ndonëse jo pa ndonjë shqetësim nga ana e mjediseve konservatore, në mbarë botën. Gorbaçovi pohoi, në bisedë me Papën, se për shumë tema përkonte plotësisht me të. I kujtoi se edhe ai, ashtu si Papa, e kishte shumë për zemër problemin e paqes dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ndërsa Papa, duke dialoguar me kreun e Kremlinit, pohoi se interesohej shumë për perestrojkën në vijim e posaçërisht, për rikthimin e lirisë së plotë të fesë në Bashkimin Sovjetik.

Por kapitulli më interesant i bisedimit, ishte ai, që iu kushtua evoluimit të plotë të Bashkimit Sovjetik. Gorbaçovi pohoi se nuk e shikonte  ardhmërinë në përkim me modelin perëndimor amerikan, por me traditën dhe kulturën e secilit vend. Wojtyla e ndjeu vetën në sintoni me fjalët e liderit sovjetik e iu përgjigj: “Nuk është e mundur të pretendohet që ndryshimet në Evropë e në botë të bëhen sipas modelit perëndimor. Evropa, si protagoniste e historisë botërore, duhet të marrë frymë me të dyja mushkëritë. Kjo, theksoi me forcë Papa, është besojma ime evropiane.

Këto fjalë e prekën thellë Gorbaçovin, i cili, që asokohe, e ndjeu veten të lidhur thellësisht me Papën polak. Prej këndej, do ta vizitonte për herë të dytë në nëntor 1990. Edhe i dyti qe takim jashtëzakonisht i përzemërt. E kjo, sepse dy burrat e mëdhenj e respektonin shumë njëri-tjetrin. E Papa  ia shprehu solidaritetin dhe afërsinë në çastet më të vështira të qeverisë së tij, si në rastin e grushtit të shtetit, që solli në pushtet në Rusi, Boris Eltsin. Ky i fundit u tregua shumë më i matur e më i përmbajtur në lidhjet me Papën. Ndonëse u takua me të dy herë. Ëndrra reformuese e Gorbaçovit, që frymëzoi perestrojka e tij, u  pasua nga një zgjim i padëshiruar, më 1991, me shpërbërjen e perandorisë sovjetike: Rusia u rikthye në  kufijtë e lashtë e shumë kombe fituan, pa gjakderdhje, pavarësinë kombëtare.

Revolucioni paqësor në Poloni, në vitin 1989, është pjesë përbërëse e një udhe, që kishte nisur disa vjet më parë në vende të ndryshme, si në Evropë, ashtu edhe në vise të tjera të botës,  si Kili, Filipinet e disa vende afrikane, e kudo, i mbështetur nga Kisha katolike, posaçërisht nga vetë Gjon Pali II. Në të vërtetë viti 1989 shënoi një kalim, për të cilin shumë pak është reflektuar: fundin e përdorimit të mjetit revolucionar (mjet i dashur për traditën evropiane jakobine). Prej këndej, edhe fundin e rendit  politiko-institucional dhe fillimin e tranzicioneve paqësore demokratike, të cilat modifikonin rendet që mendoheshin si të patundura. Sipas François Furet, “Revolucioni i 1989-tës i dha goditjen e mbrame  atij të 1789-tës. I dha fund dy shekujve të revolucionit francez”. 1

Për fat të keq kjo stinë politike kaloi ngutshëm, e, në vend të saj, nisi një rend i ri politik botëror, që nuk mbështetej mbi logjikën e luftës së ftohtë, por mbi dhunën dhe luftën e nxehtë. Vetë Gjon Pali II, në vitet e fundit të papnisë së tij të gjatë, e denoncoi shumë shpesh këtë rend të ri, duke bërë thirrje për harmoninë ndërmjet popujve e feve dhe për nevojën që të bëhej më i fortë e më i vendosur, ndërmjetësimi i organizmave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, në  zgjidhjen e situatave të krizave humanitare e politike.

 

1 F. Furet, Il passato di un illusione. L’idea comunista nel XX secolo, Milano, Mondadori, 1995, Id., Critica alla Rivoluzione francese, Roma-Bari, Laterza, 1995








All the contents on this site are copyrighted ©.