2015-09-03 11:31:00

Me 3 shtator, Kisha përkujton Shën Gregorin e Madh, Papë.


Me 3 shtator, Kisha përkujton Shën Gregorin e Madh, Papë. Ai ishte pranë nevojtarëve, sepse qe bërë një me Hyjin.

Sot me 3 shtator Kisha katolike përkujton festën liturgjike të Shën Gregorit të Madh, Papë e Doktor i Kishës.
Shën Gregori romak e murg është ndër papët më të mëdhenj në historinë e Kishës. Me largpamësi profetike, Gregori e kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga takimi mes trashëgimisë romake dhe popujve të ashtuquajtur “barbarë”, falë forcës së lidhjes e ngritjes së lartë morale të Krishterimit.

Ishte i madh, sepse i përvujtë, Shën Gregorin e Madh, qe i pari që e quajti papën ‘Shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit”. Jeta e tij, që zgjati nga viti 540 deri në vitin 604, qe e jashtëzakonshme: në moshën 30 vjeçare u bë prefekt i Romës; murg më vonë; e më pas u zgjodh papë, pa dëshirën e vet. Ishte një papë që bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës perandorak, me stilin kundrues e asketik të jetës oshënare. Gregori i Madh shkruante kështu: “Jeta e bariut të shpirtrave duhet të jetë sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe e veprimit, e frymëzuar nga dashuria, që prek majat e larta kur përkulet plot mëshirë mbi shqetësimet e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur para mjerimit të tjetrit, është masa e forcës së sulmit drejt lartësisë”. (II,5) (Engjëlli i Tënzot i 3 shtatorit 2006)
Në ndryshim nga perandori bizantin, që mendonte se longobardët s’ishin tjetër, veçse një turmë me njerëz të pagdhendur e grabitqarë, të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur, Gregori i Madh i shikonte me sytë e bariut të mirë, që dëshiron t’ua kumtonte edhe atyre Fjalën e Hyjit të shëlbimit, duke lidhur me ta, marrëdhënie vëllazërore.
Njihte thellësisht Shkrimin Shenjt, Biblën, që vijonte ta lexonte me përvujtëri, e me të njëjtën përvujtëri ua shpjegonte besimtarëve.
“Përvujtëria intelektuale është rregulli kryesor për atë, që kërkon të depërtojë në realitetet e mbinatyrshme, duke u nisur nga Libri i Shenjtë. Përvujtëria nuk e përjashton studimin serioz, por është e domosdoshme, në se duam që ky studim të jetë shpirtërisht i frytshëm, duke i krijuar studiuesit mundësinë të hyjë në thellësi të teksteve. Vetëm kështu mund të dëgjohet e të perceptohet me të vërtetë zëri i Zotit. Nga ana tjetër, kur kujtojmë Fjalën e Hyjit, duhet të kemi parasysh se nuk mjafton ta kuptosh, në se kuptimi i saj nuk të nxit edhe të veprosh”. (Benedikti XVI Audienca e përgjithshme e 4 qershorit 2008)
Shën Gregori i Madh zhvilloi një veprimtari të dendur baritore e civile, reformoi muzikën liturgjike e cila, nga emri i tij, u quajt ‘gregoriane’. Pati në qendër të vëmendjes të varfërit.
“Ishte njeri që qe bërë një me Zotin. Kishte etje të pashuar për praninë e Hyjit, të cilin e ndjente deri në thelb të shpirtit. E pikërisht për këtë arsye, ishte gjithnjë pranë njeriut, pranë të gjithë nevojtarëve të kohës së vet. Në këtë kohë tepër të vështirë, madje të dëshpëruar, diti të sjellë paqe e të japë shpresë. Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund të gjinden burimet e vërteta të paqes, na mëson prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj mund të themi me plot gojën se edhe sot e kësaj dite mbetet prijës për ne”. (Benedikti XVI Audienca e përgjithshme e 28 majit 2008).








All the contents on this site are copyrighted ©.