2015-09-03 14:29:00

Shën Egjidi në Tiranë, për të kujtuar se paqja është e mundur


Zhvillimi, mjedisi, pabarazia shoqërore, por sidomos, drama e luftërave dhe e viktimave të tyre, si emigrantët, që arrijnë në brigjet evropiane, për të shpëtuar nga dhuna. Gjithë kjo do të jetë në qendër të takimit ndërkombëtar  të feve për paqen, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, që sivjet do të mbahet në Tiranë, nga 6 deri më 8 shtator e që u paraqit këto ditë në Romë.

“Paqja mund të sigurohet. Gjithnjë. Ky, titulli i takimit të sivjetëm, i zgjedhur me bindjen se duhet kundërshtuar me forcë pesimizmi, që i rrethon konfliktet e shumta në vijim, ashtu si dhe me vetëdijen se emigrimi  i madh i ditëve tona nga Jugu i botës e nga vendet në luftë, drejt Evropës, nuk mund të ndalohet, pa investuar, edhe shumë madje, për paqen. E shpjegoi persidenti i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagilazzo, duke  folur për takimin në Tiranë, ku do të mblidhen rreth 400 liderë fetarë, përfaqësues të kulturës e të institucioneve nga mbarë bota, gati për të dialoguar rreth temave kryesore të jetës së sotme: nga luftërat në vijim, në një mori vendesh, tek manipulimi i fesë për qëllime të dhunshme e terroriste, te angazhimi për mbrojtjen e ambientit e shqetësimet në botën e të rinjve.

Në mbledhjen e përurimit do të lexohet edhe mesazhi i Papës Françesku, që vitin e kaluar pati zgjedhur pikërisht Tiranën për shtegtimin e tij të parë apostolik evropian të papnisë. Do të jetë, pra, shpresa se mund e duhet besuar gjithnjë në paqen, filli i kuq, që do t’i përshkojë të gjitha takimet, gjatë tri ditëve, në Tiranë.

Por, për hollësitë, të dëgjojmë sekretarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, në mikrofonin e dom David Xhuxhës..

 








All the contents on this site are copyrighted ©.