2015-09-03 15:20:00

Dita e lutjes për Krijimin. Papa: të kapërcehet kriza ekologjike


“Dëshirojmë të japim ndihmesën tonë për kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi”. Kështu u shpreh Papa, duke njoftuar se më 1 shtator do të kremtohej Dita e parë botërore e lutjes për kujdesin ndaj Krijimit.

Lidhur me këtë Ditë, në të cilën u ndje fort afërsia ndërmjet gjithë të krishterëve, intervistuam kryepeshkopin e Kishës ortodokse autoqefale të Italisë e të Rumanisë, Fortlumturinë e Tij Gilberto Bertoglio:

Përgjigje: - Është shumë e rëndësishme që të krishterët t’i kushtojnë vëmendje Krijimit, edhe pse bota që na rrethon  është rrënuar tepër, nga ata që nuk mendojnë tjetër, veçse ta bëjnë natyrën para. Bota rrezikon të numërojë çastet e fundit. Në mos bota, sigurisht që mund të marrë fund gjithë njerëzimi. Duhet trajtuar me respekt gjithçka krijoi Zoti, sepse në çdo skaj e skutë të natyrës shihet e preket dora e Zotit. Zoti nuk na dëftohet vetëm  si Vetje, por duket vazhdimisht në fytyrat e të tjerëve e në bukuritë e natyrës. Natyra duhet respektuar njëqind për qind. Ka ardhur koha t’i jepet fund prerjes së drunjve e të fillohet mbjellja e filizave të rinj. E edhe kafshët duhen respektuar. Në këtë periudhë, në vendin ku jetoj, kanë varur një afishe me një kokë të prerë ujku: më duket gjë e turpshme. Edhe kafshët, që ishin para nesh, duhet të vijojnë të jenë. Nëse vijojmë ta vrasim natyrën, do të kemi vrarë veten, sepse nuk është aspak në natyrën e Zotit të rrënojë gjithçka.

Pyetje: - Françesku kërkoi që kjo Ditë, e kremtuar të martën e kaluar, të ishte edhe një çast i fortë për pranimin e stileve koherente të jetës, pra, Papa kërkoi fakte e jo fjalë...

Përgjigje: - Pikërisht. Fakt do të thotë të fillosh e ta respektosh natyrën. Ne, si murgjër, e respektojmë shumë natyrën e, para se t’i vëmë sopatën një druri, mendohemi njëmijë herë; druri është jetë, gjethimi është frymë nuk është e drejtë ta rrëzosh përdhe, sepse të bën hije, se të besdis a pse i lëshon gjethet përmbi pishinë a mbi kanalet e ujit. Kështu mendojnë shumë njerëz. Gabim! Druri duhet respektuar. Duhet t’i respektojmë të gjitha krijesat e Zotit, një për një.

Pyetje: - Të krishterët ndoshta duhet të mësohen edhe të japin dëshminë e tyre më guximtare, duke i kërkuar politikës strategji, që ndikojnë pikërisht për mbrojtjen e Krijimit...

Përgjigje: - Politika duhet të mendojë për ta shpëtuar këtë natyrë në mbarë botën. Pastaj duhet pasur parasysh se natyra na u dha hua, sepse ne këtu jemi në kalim, shpejt a vonë do të shkojmë e do ta lëmë gjithçka. E atëherë, pse duhet ta lëmë të rrënuar? Pse t’ua lëmë kështu bijve tanë? Ç’do t’u lëmë atyre për ta gëzuar ardhmërinë, nëse shkatërrojmë tokën, ujin e deri ajrin, pa të cilin nuk mund të ketë jetë? T’i lëmë trashëgim një botë pa gjethime, një botë pa bimë, pa kafshë? Një botë, që jep shpirt?








All the contents on this site are copyrighted ©.