2015-09-02 15:14:00

Françesku: familja që do Zotin, e ngroh zemrën e qytetit


“Familja, që i jeton lidhjet e veta në dritën e Ungjillit, me dashuri të aftë për bujari edhe jashtë portës së vet, risjell shpresën mbi tokë”. Është bindja e Papës, shprehur gjatë katekizmit të audiencës së pëgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar lidhjes së familjes me dëshmimin e fesë.

Shkretëtirë urbane, ku dëfrehesh shumë, por ku të qesh  buza, jo syri. E  në këtë shkretëtirë, familja është oazë e vërtetë, që vaditet nga dashuria e Zotit, duke ua rikthyer ngrohtësinë njerëzore  banorëve të “rrokaqiejve të akullt, pa jetë”.

Familje të shndërruara

E pashterrshme, aftësia e Papës për ta përshkruar me të gjitha ngjyrimet e veta,  jetën e familjes së krishterë, duke e paraqitur si zemër e një bote më të mirë. Këtë herë, objekt i reflektimit ishte aftësia e familjes për ta transmetuar fenë. Françesku niset nga bërthama e familjes, që e jeton Ungjillin dhe vë në dukje forcën e së resë:

“Vetë këto lidhje familjare, përmes përvojës së fesë e të dashurisë së Zotit, shndërrohen, mbushen me një kuptim më të thellë e bëhen të afta për të shkuar përtej vetes, për të krijuar atësi e amësi më të gjerë, për të pranuar si vëllezër e motra edhe ata, me të cilët lidhjet janë tejet të largta”.

Gramatika e ndjenjave

Jeta e familjes, vërejti, na mëson edhe gramatikën e ndjenjave që, përndryshe, nuk mësohet aq lehtë. E kjo gjuhë është e njëjtë me atë, përmes së cilës Zoti  flet e kuptohet nga të gjithë:

“Ftesa për t’i vënë lidhjet familjare në caqet e bindjes së fesë e të besës me Zotin, nuk i lëndon, përkundrazi, i mbron, i shpengon nga egoizimi, i ruan nga zvetënimi, i shpëton për jetën, që nuk vdes. Qarkullimi i stilit familjar në marrëdhëniet njerëzore është bekim për popujt: sjell përsëri shpresat e humbura mbi tokë”.

 Zemra e madhe, shtëpi që i zë të gjithë

E kjo shpresë, vijoi Papa, ka shumë fytyra, aq sa gjestet e bujarisë, për të cilën janë të aftë nënat e baballarët, të cilët e shikojnë me syrin e familjes edhe kë jeton jashtë portës së shtëpisë së vet:

“Vetëm një buzëqeshje, që ndriçon mrekullisht fytyrën e dëshpëruar të një fëmije të braktisur, ta shpjegon se dora e Zotit vepron në botë, më shumë sesa një mijë traktate teologjike. Një burrë i vetëm a një grua e vetme,  e aftë për të rrezikuar a për t’u flijuar edhe për birin e tjetërkujt, e jo vetëm për të vetin, na i shpjegon mrekullisht punët e dashurisë, të cilave shumë shkencëtarë nuk dinë më t’ua gjejnë fillin”.

Një muzikë tjetër

Për Françeskun, familja, që i përgjigjet thirrjes së Jezusit, ia rikthen regjinë e botës besëlidhjes së burit e të gruas me Zotin. Mendoni, kujton, ç’do të ndodhte nëse kësaj besëlidhjeje do t’i dorëzohej përsëri “timoni i historisë”, e çdo vendim, në çdo fushë shoqërore,  do të merrej me syrin e drejtuar nga breznia që vjen:

“Në temat e tokës e të shtëpisë, të ekonomisë e të punës,  do të tingëllonte një muzikë krejt tjetër! Nëse do t’ia rikthenim protagonizmin - duke nisur nga Kisha – familjes, që dëgjon Fjalën e Zotit dhe e vë në jetë, do të bëheshim vera e mirë e dasmës së Kanës, do të fermentoheshim si tharm i Zotit!”.

Buzëqeshja e një familjeje fiton mbi shkretimin e qytetit

E ja, përfundoi Françesku, tharmi, që e rikthen jetën në Kullën e Babelit të qytetërimit modern, ku ka shumë dëfrime, por zemra mbetet shpesh shkret:

“Qytetet tona janë shkretuar, sepse mungon dashuria, mungon buzëqeshja. Shumë dëfrime, tepër gjëra për të humbur kohën kot, për të të bërë të qeshësh, por gjithnjë pa dashuri. Dashuria mungon. Buzëqeshja e familjes është e aftë ta mundë këtë shkretim të qyteteve tona. E kjo është fitorja e dashurisë së familjes. Asnjë inxhinieri ekonomike a politike nuk është në gjendje ta zëvendësojë këtë ndihmesë të familjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.