Një Ditë botërore lutjeje për kujdesin e Krijimit: u themelua nga Papa Françesku më 6 gushtin e kaluar e do të kremtohet nesër për herë të parë. Në orën 17, në Bazilikën e Vatikanit, Ati i Shenjtë do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës.
Dita botërore e lutjes, përmasë ekumenike
Ta jetosh thirrjen për të qenë rojtar i veprës së Zotit, konsiderohet pjesë themelore e jetës së çdo të krishteri, që është i thirrur të bëjë kthesë të mirëfilltë ekologjike. Me Letrën e fillimit të gushtit drejtuar kardinajve Turkson e Koch, përkatësisht kryetarë të Këshillave Papnore të Drejtësisë e Paqes dhe të Bashkimit të të krishterëve, Papa themeloi Ditën Botërore të lutjes për kujdesin e Krijimit, më 1 shtator të çdo viti, në të njëjtën ditë, kur kremtohet edhe nga Kisha Ortodokse.
Konteksti i “Lëvduar qofsh”
Ka, prandaj, karakter të theksuar ekumenik, gjë që u vu fort në dukje edhe nga Patriku Bartolomeu dhe Metropoliti Ioannis, lidhur me kontributin e jashtëzakonshëm të Enciklikës papnore “Lëvduar qofsh”. E kjo, ngaqë Enciklika pohon se mbrojtja e shtëpisë sonë të përbashkët nuk lidhet vetëm me ambientin, por përfshin ekologjinë e gjithanshme, shqetësimin për drejtësinë, kujdesin për të varfërit, impenjimin në shoqëri si dhe gëzimin e paqen e shpirtit.
Urgjenca për një ekologji njerëzore
Tema të dashura për Françeskun, të trajtuara më se një herë në fjalimet e tij, si në audiencën e përgjithshme të 5 qershorit 2013, kur theksoi me forcë se bota po jeton një çast krize:
“E shikojmë në ambient, por edhe e sidomos në njeriun. Njeriu është në rrezik. E qartë, njeriu është në rrezik e kjo është urgjenca e ekologjisë njerëzore! Rrezik i madh, sepse shkaku i lindjes së këtij problemi nuk është sipërfaqësor, por tejet i thellë: nuk është thjesht çështje ekonomie, por etike e antropologjie.
Jeta nuk mbrohet
Sot, vëren Papa, sundojnë zhvillimet e një ekonomie e të një finance, në të cilat mungon etika, sepse nuk komandon më njeriu, por paraja. E pra Zoti na caktoi detyrën të kujdesemi për tokën, e jo për paratë, të kujdesemi për ne, burra e gra, që flijohen në elterin e idhujve të fitimit e të konsumit, nga kultura e hedhurinës, e përjashtimit:
“Jeta njerëzore, njeriu, nuk shikohen më si vlera të dorës së parë, që duhen respektuar e mbrojtur, posaçërisht nëse njerëzit janë të varfër a të gjymtë, nëse nuk vijojnë t’i shërbejnë parasë, nëse janë ende në ag a në perëndim të jetës”.
Dialog për ardhmërinë e Planetit
Atëhere Papa i fton të gjithë ta marrin shumë seriozisht angazhimin për ta respektuar Gjithësinë, duke punuar për kulturën e solidaritetit e të takimit. Këtij koncepti Françesku i rikthehet në Enciklikë, duke e thelluar, me dëshirën për ta bashkuar mbarë familjen njerëzore në kërkim të një zhvillimi të qëndrueshëm e të gjithanshëm, përmes dialogut mbi mënyrën e ndërtimit të ardhmërisë së planetit e, sidomos, me sigurinë se gjërat mund të ndryshojnë:
“Krijuesi, thekson Françesku, nuk bën hapa mbrapa në planit e Tij të dashurisë, nuk pendohet që na krijoi. E pikërisht për pranimin e stileve koherente të jetës e shpalli Papa Ditën për kujdesin e Krijimit”.
Në mbarë botën, kujtoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së përgjithme të javës së kaluar, realitete të ndryshme kishtare vendase kanë programuar nismat e tyre të lutjes e të reflektimit, për ta bërë këtë ditë çast të fuqishëm edhe në përpjekjen e zgjedhjes së stileve të jetesës, në përkim me temën e Ditës.
Në bashkim me vëllezërit ortodoksë, që e kremtojnë prej kohe, në të njëjtën datë: “Dëshirojmë të japim kontributin tonë për kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |