2015-08-30 15:01:00

Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës: Angazhimi i Gjon Palit II drejt botës komuniste


Emisioni XIV i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet: Angazhimi i Gjon Palit II në drejtim të botës komuniste.

Kishin kaluar 50 vjet  nga fillimi i Luftës II Botërore. Në vitin 1980, në një situatë emergjence kombëtare, kur rrezikohej pavarësia e Polonisë, Papa iu drejtua drejtpërdrejt Kreut të Shtetit sovjetik, duke i kërkuar të bënte ç’ish e mundur për ta mënjanuar rrezikun e pushtimit të vendit. Duke i kujtuar nenet e Marrëveshjes së Helsinkit, domethënë parimin e mosndërhyrjes në Shtetet nënshkruese, Papa i kujtonte Brezhnjevit se një akt i tillë dhune, do të mund të krahasohej vetëm me pushtimin nazist të vitit 1939. Nuk mund të mos shikojmë një lidhje të ngushtë ndërmjet angazhimit të Gjon Palit II në drejtim të botës komuniste dhe atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit, më 13 maj 1981, nga dora e turkut Ali Mehmet Agça (që Papa, më pas, e vizitoi në qeli dhe e fali). Me këtë akt kriminal u morën një mori pendash të njohura, jo vetëm të historisë, e u bënë një mori përshkrimesh, të gjitha me bazë komploti. Edhe përsa u përket shkaqeve të ngjarjes, kemi një mori hamendjesh. Të gjitha të lidhura me personalitetin e jashtëzakoshëm të Papës Polak.

Sidoqoftë, në epokën e terrorizmit ndërkombëtar, figura e Papës që lëkundej e binte në papamobilin e tij, i qëlluar me tre plumba të kalibrit 9, të dalë nga një pistoletë Browning, u bë shenjë shqetësuese  e kohëve. Nuk u arrit të vërtetohej nëse pas gjestit të atentatorit ishte një komplot ndërkombëtar (me vulë komuniste), por këto pamje e lidhën përgjithnjë figurën e Papës me atmosferën e pasigurisë  e të frikës, që  kishte nisur të ndjehej fort në Evropën e këtyre viteve, kur vijonte kundërvënia ideologjike (por edhe kulturore dhe ekonomike) ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Kundërvënie që tashmë kishte prekur pjesën më të madhe të planetit.

Para syve të opinionit publik botëror, Papnia e Gjon Palit II  karakterizohej nga dy shenja të fuqishme, në pamjen e parë, kontradiktore: nga shenja “dramatike” e atentatit (i cili në disa mjedise interpretohej si shenjë fetare –apokaliptike), e nga ajo “paqësore” e shtegtimeve të tij ndërkontinentale – Gjon Pali II bëri më se 104 – në të cilat Papa u bë kasnec i palodhur i mbrojtjes së lirisë fetare, i të drejtave të popujve për vetëvendosje dhe të drejtave të njeriut, nga lindja, në përendimin e natyrshëm të jetës.

Sidoqoftë, kur flitet për atentatin, duhet kujtuar edhe se Wojtyla ishte Papa i parë jo italian, pas 450 vjetësh, që nga kohët e hollandezit Adriani VI (1522-1523), i pari papë polak e sllav në histori. E më pas akoma, se që në fillim të papnisë, ndërmori një veprimtari të guximshme politike e diplomatike kundër komunizmit dhe shtypjes politike. Arriti, shumë shpejt, të konsiderohej një nga autorët e shembjes së sistemit të socializmit real, të kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik, që shumëkujt i dukej i pathyeshëm e i përjetshëm.  Në këtë kontekst dha sqarimet duhura edhe për Teologjinë e Çlirimit, pa harruar të mbajë qëndrim thellësisht kritik  kundër kapitalizmit të shfrenuar e konsumizmit, të cilët i shikonte si kundështarë të drejtësisë shoqërore e të dëmshëm për dinjitetin e njeriut e të popujve. Në fushën morale, iu kundërvu vendosmërisht abortit dhe pohoi qëndrimin tradicional të Kishës. Bëri, kështu, shumë “armiq”, ndërmjet tiranëve të botës, e shumë, tepër shumë, miq, ndërmjet popujve të Planetit. Në ç’arsenal u shkrinë plumbat që përshkuan tej e ndanë trupin e Papës Polak, sa të quhej mrekulli shpëtimi i jetës së tij? Kush e armatosi dorën e Ali Açait, që e ka hapur gojën shumë herë, por asnjë, për të treguar të vërtetën? Këto pyetje nuk kanë ende përgjigje të saktë e përfundimtare. Me to do të vijojë të merret historia. 








All the contents on this site are copyrighted ©.