2015-08-29 17:12:00

Kardinali Parolin mbi emigracionin: mjaft me polemika, të bashkojmë forcat!


Lidhur me emigracionin “polemikat nuk i zgjidhin problemet, madje i thellojnë vështirësitë dhe i acarojnë shpirtrat”. Janë fjalët e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në përfundim të kremtimit të një Meshe në Poliklinikën Gemelli të Romës. Gjatë homelisë, Kardinali kërkoi që shëndetësia të mos shikohet vetëm me syrin e shpenzimit.

Tragjeditë e tmerrshme të emigracionit në Mesdhe e në vise të tjera të Evropës, tashmë janë bërë të përditshme. Jemi para një emergjence të vërtetë humanitare, përballë së cilës nuk duhet të ndahemi, theksoi me forcë kardinali Parolin:

“Kjo  duhet të jetë vërtet një thirrje drejtuar të gjithëve për të bërë detyrën e vet. E nëse ndokush nuk e bën, ta mendojë mirë cila është përgjegjësia  e tij. T’i bashkojmë forcat në përpjekjen për t’iu përgjigjur kësaj emergjence. Është problem botëror, problem, që kërkon përgjigje në nivele të ndryshme, me përgjegjësi të ndryshme, por që duhet t’i përfshijë të gjithë”.

Shkarkimi i përgjegjësive mbi të tjerët, nuk i shërben askujt, përkundrazi. I acaron shpirtrat e i bën gjithnjë më të largëta rrugët e zgjidhjes së problemit. T’i kthejmë sytë nga Siria. Sipas kardinalit, të gjithë duhet ta shikojnë me vëmendje këtë dramë e, posaçërisht, të përpiqen të vënë në lëvizje gjithçka është e mundur, edhe në këndvështrimin diplomatik. Atyre, që e akuzojnë Kishën për ndërhyrje në punët e brendshme, kur flet për emigracionin, kardinali Parolin u përgjigjet kështu:

“Unë besoj se Kisha duhet të flasë, e duhet të flasë edhe për këtë temë, për temën e emigracionit, posaçërisht duke u kërkuar të gjithëve ta hapin zemrën për t’i mikpritur të tjerët, të mos kenë frikë nga të tjerët e të përpiqen t’i integrojnë të tjerët, duke ndërtuar,  kështu, një botë më të drejtë e më solidare”.

Gjatë homelisë, përballë të sëmurëve e personelit të Gemelli-t, sekretari i  Shtetit të Vatikanit theksoi se vëmendja për të sëmurin ka vlerë shoqërore  dhe ekonomike e kërkon investime në mbrojtje të atyre vlerave, që përmblidhen në urdhërimin e dashurisë për të afërmin. Prej këndej theksoi se s’ka gjë më katastrofike për fenë e për kulturën shëndetësore dhe mjekësore, sesa ta humbasësh nga sytë njeriun, parë në gjithanshmërinë e tij.

Pastaj kujtoi se më 27 qershorin e vitit të kaluar, Papa pati dashur të  vizitonte Gemelli-n, por takimi nuk u mbajt, për shkak se pikërisht atë ditë pati një shqetësim shëndetësor. Kardinali pohoi se ky takim, heret a vonë, do të realizohet.

Pas Meshës, sekretari i Shtetit të Vatikanit vizitoi qendrën, ku asistohen të sëmurët me Sklerozë laterale amiotrofike dhe me Atrofi muskolare spinale, si dhe repartet e Ostetrikës e të Neonatologjisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.