2015-08-28 13:08:00

Papa: Lumnimi i Melkit, shpresë për të krishterët në Lindjen e Mesme


Papa Françesku dëshiron që Lumnimi i imzot Flavien Michel Melki-t, martirizuar njëqind vjet më parë gjatë persekutimeve të Perandorisë Otomane, të jetë mesazh shprese e inkurajimi për gjithë  të krishterët, sot  të shtypur e të poshtëruar: këtë pohon kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që merr pjesë në ritin e Lumnimit të ipeshkvit siro-katolik nesër, në Harisa të Libanit. Për kardinalin, shumë të krishterë në Lindjen e Mesme, por edhe gjetiu, vuajnë e masakrohen, nësa perëndon një qytetërim njerëzor me bashkëjetesë paqësore. Por këta vëllezër tanë nuk duan të dorëzohen përballë terrorit e i përgjigjen dhunës, me guximin e fesë së patundshme, ashtu si imzot Melki, për të cilin na flet kardinali Angelo Amato, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Flavian Michel Melki lindi në vitin 1858, në një fshat të vogël pranë Mardinit (në Turqi). Familja i përkiste Kishës monofizite siro-ortodokse (e njohur edhe me emrin jakobite). Sapo i mbushi dhjetë vjeç, u dërgua në manastirin e Zaafarane, seli e Patriarkanës ortodokse, për të vijuar mësimet. Ndenji aty dhjetë vjet. Në moshën 20 vjeçare u shugurua diakon e nisi të punojë si bibliotekar i manastirit. Gjatë kësaj periudhe vendosi të  kthehet në katolicizëm. Asnjë kundërshtim nuk mundi ta bëjë të ndërrojë mendje. Prej këndej, u largua nga Zaafarane, për t’u vendosur pranë Patriarkatit katolik, në Liban, ku hyri në bashkësinë e Shën Efremit. Bëri tre kushtet: atë të varfërisë, pastrisë e bindjes dhe ia la, me testament, vëllazërisë të  gjitha pasuritë.

Pyetje: - A mund të na thoni diçka për martirizimin e tij, më 29 gusht 1915, në Djezireh-ibn-Omar të Turqisë?

Përgjigje: - Rrethanat e kësaj vrasje ishin ato të urrejtjes së myslimanëve kundër të krishterëve gjatë persekutimit vrastar turk, që shkaktoi shfarosjen e armenëve dhe masakrimin e pakicave të tjera të krishtera. Në këtë periudhë, Shërbëtori i Zotit u bë mbrojtës i palodhur i të drejtave  të popullit të vet e nisi t’i ndihmonte, pa asnjë dallim, të gjithë të krishterët e Djezireh, që keqtrajtoheshin e masakroheshin. Miku i tij mysliman, Osmani, i krijoi mundësinë të ikte, për të shpëtuar, në qytetin Yézidis. Nuk pranoi. Pohoi se ikja ishte në kundërshtim me fenë e tij e me detyrën e bariut. Nuk mund të shpëtonte vetveten e të braktiste grigjën në gojë të ujkut. E kapën në gjysmën e gushtit të vitit 1915, së bashku me disa meshtarë e laikë dhe e mbyllën në burgun vendas, ku i përforcoi të gjithë në fe. E morën në pyetje për t’i propozuar ta shpëtonte jetën, duke u kthyer në islam. Po ai refuzoi E edhe të tjerët ndoqën shembullin e tij. Prandaj u pushkatuan të gjithë. Ishin pesë vetë. Por për imzotin Melki “u kujdesën” në mënyrë të veçantë. E shtrinë përdhe  dhe e rrahën derisa u shndërrua një një lëmsh të përgjakur mishi e eshtrash. Pastaj e tërhoqën zvarrë dhe e pushkatuan. Trupi i tij i martirizuar, i larë në gjak, u flak, ashtu si i të tjerëve, në ujërat e lumit Tiger.

Pyetje: - Edhe sot persekutimet e të krishterëve vijojnë, si të mos kishin kaluar njëqind vjet nga kjo kohë mizorish, që sot duhet të tingëllonin si legjenda…

Përgjigje: - Sot, ashtu si njëqind vjat më parë, errësira është dyndur mbi shumë toka të lashta të qytetërimitit të krishterë. Besimtarët diskriminohen, persekutohen, dëbohen, vriten. Shtëpitë e tyre nuk shënohen me gjakun e qengjit të Pashkëve, për t’i shpëtuar, por me një N të kuqe (që do të thotë nazareni, të krishterë) për të treguar se duhen dënuar. Ashtu si njëqind vjet më parë, në kohën e martirizimit të imzot Melkit, të krishterëve u mohohet çdo liri, detyrohen të braktisin atdheun e tyre. Për ta nuk ka asnjë rrugë të mesme: o të kthehen në islam, o të vriten! Në mendjet e zemrat prej guri të persekutuesve sundon vetëm mendimi i vdekjes. Nuk mund ta durojnë qytetërimin e krishterë, fenë e lirisë e të vëllazërimit; të respektit për të afërmin e të drejtësisë; fenë, që predikon  dashurinë deri për armiq të tillë.

Pyetje: - Për çfarë kanë nevojë të krishterët e Lindjes së Mesme?

Përgjigje: - Të krishterët e Lindjes së Mesme kanë nevojë për solidaritet, për lutje, për prani konkrete. E në këtë këndvështrim ka shumë rëndësi Lumnimi i imzot Melkit, që është dhuratë e Papës Françesku për Kishën në Lindjen e Mesme e, posaçërisht, për Kishën siro-katolike. Është dhuratë për ta bërë të njohur në mbarë botën vlerën njerëzore e të krishterë të këtij heroi të Krishtit, që është i Lumi Melki, e për të dikuar guxim e shpresë në zemrat e vëllezërve të poshtëruar e të fyer nga shtypësit e sotëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.