2015-08-27 13:55:00

Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës: shtegtimi i parë i Gjon Palit II në Poloni


Emisioni XII i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet:  “Shtegtimi i parë i Gjon Palit II  në Poloni”.

Pasi folëm, në emisionin e kaluar, për tre shtegtimet  e para të Gjon Palit II në Poloni, parë në vija të përgjithshme, po ndalemi sot, në mënyrë të veçantë, tek Vizita e parë në vendlindje, e para e një pape në një vend komunist. Suksesi i jashtëzakonshëm i shtegtimit, gjatë të cilit e ndoqën pas më se 10 milionë vetë, e bëri të dridhej komunizmin i cili, që prej tridhjetë vjetësh, ia mohonte lirinë dhe progresin një populli të tërë.

Edhe pse tashmë kishin kaluar tetë muaj nga zgjedhja e Wojtylës, më 16 tetor 1978, edhe pse televizionët e botës mbarë e kishin transmetuar, janarin e mëpasëm, turmën vigane prej disa milionash të meksikanëve, mbledhur rreth tij gjatë shtegtimit të parë apostolik jashtë Italisë, personaliteti  i Gjon Palit II për shumë kënd mbetej i panjohur. Edhe më i panjohur ishte në Poloni, si në historinë kishtare, ashtu edhe në atë civile. Natyrisht ca me të lexuar e ca të tjerë me të dëgjuar, e dinin se ishte mburoja e Kishës Katolike në një botë të lidhur, për një mori aspektesh, me kulturën sllave, me traditën bizantine e edhe me trashëgiminë që lanë në këto troje, në fillim të shekullit X, dishepujt e Çirilit e të Metodit.

Duke dalë pjesërisht jashtë tekstit, po kujtojmë disa fragmente kuptimplote, të homelisë së parë, që shungulloi në Sheshin Fitorja të Varshavës, ku u mblodhën të paktën dhjetë milionë polakë, përfaqësues të të gjitha klasave e shtresave shoqërore: punëtorë, minatorë studentë, intelektualë, fshatarë, rregulltarë. Ngarendën, atë ditë e më pas, për ta dëgjuar fjalën e Papës edhe pasi kishin ecur një natë të tërë në këmbë, në Varshavë, Gniezno, Czestochowa, Nowy Targ, Wadowice, Auschwitz e Cracov. E ai u dha të gjithëve kyçin për të hapur dyert e mbyllura e për ta kuptuar historinë polake.

Në homelinë e Meshës, kremtuar në Varshavë, më 2 qershor 1979,  kërkoi qartë të drejtën e lirisë fetare dhe shprehu po aq qartë, dëshirën për rikrijimin e unitetit shpirtëror të Evropës së krishterë, duke e ditur mirë se do t’i duhej të ndeshej ballëpërballë me një forcë politike, që kishte nisur tashmë ta shikonte si rrezik praninë fetare, në gjendje të mobilizonte një numër të pabesueshëm njerëzish.

“Nuk mund të kuptohet Polonia, pa Kishën”,  ishin fjalët e para të Papës polak në Kisha e solli në Poloni Krishtin, kyçin për ta kuptuar realitetin e madh e themelor të njeriut. Nuk mund të kuptohet me fund njeriu, pa Krishtin. Ose, më mirë të themi, njeriu nuk mund ta kuptojë me fund vetveten, pa Krishtin! Nuk mund ta kuptojë as vetveten, as  dinjitetin e  tij të vërtetë, thirrjen e tij, fatin e tij të fundmë.  Nuk mund ta kuptojë gjithë këtë, pa Krishtin. Prandaj Krishti nuk mund të përjashtohet nga historia  e njeriut, nga asnjë pikë të globit, nga asnjë gjatësi as gjërësi gjeografike.  Historia e kombit polak nuk mund të kuptohet pa Krishtin!”.

Në Sheshin Fitorja, përballë një turme pa fund, Papa u kujtoi  të gjithëve se krishterimi është mbartës i së vërtetës më të thellë për njeriun e të gjitha kohëve e të të gjitha vendeve e, prej këndej, edhe për breznitë  e njerëzve që jetuan e jetojnë në Poloni. Çdo përpjekje për t’i mohuar ose për t’i zhdukur pasojat e këtij fakti, është e paracaktuar të dështojë  plotësisht,  duke dëmtuar rëndë vetë historinë e Polonisë.

Kisha, tha më pas, solli në Poloni Krishtin, çelësin për ta kuptuar këtë realitet të madh, themelor për njeriun. Përjashtimi i Krishtit nga historia e njeriut është akt kundër vetë njeriut. Pa Krishtin nuk mund të kuptohet  historia e breznive, që kaluan e kalojnë mbi këtë tokë. Historia e Kombeve e historia e njerëzve. E historia e çdo njeriu zhvillohet në Jezu Krishtin. Në Të bëhet histori shëlbimi.

Kujtonte, kështu, se historia e Polonisë, si dhe e vendeve të tjera, që ecnin në të njëjtën rrugë historike, nuk ishte aspak ajo, që tregohej qysh nga vitet ’45 në librat e shkollave e të universiteteve. Ishte ajo kristiane, ajo, që  ndërgjegjja civile e fetare e breznive të tëra e kishte ruajtur, pasuruar e trasmetuar me kujdes e dashuri.

Nuk është vështirë të përfytyrohet si u pritën këto fjalë, shumë më të mprehta se tehi i shpatave, që i hapën njerëzimit epoka të reja historike, nga autoritetet komuniste të vendit. Ashtu si nuk është e vështirë të përfytyrohet ç’ndjente turma prej një milion njerëzish, e cila e ndiqte në heshtje të thellë zërin buçimtar, që tundte sheshin, duke sjellë një fjalë sa të lashtë, aq edhe të re. Ishte ngjarje e pashembullt, jo vetëm për këtë shekull, por edhe për mbarë mijëvjeçarin e jetës së krishterë polake. E njëkohësisht, pjesë përbërëse e shërbesës papnore për Kishën Universale.

Nga një vetëdije e tillë, populli do të merrte forcë për një zgjim të ri shpirtëror, por edhe shoqëror e politik. E këtë polakët e kuptuan menjëherë. Thirrja e fuqishme e Papës: “Nuk jeni skllevër!”, u thith me etje nga miliona njerëz e u bë flamur e moto e një breznie të re, që ia doli mbanë të ngadhënjente paqësisht mbi regjimin komunist.








All the contents on this site are copyrighted ©.