2015-08-26 12:46:00

Nënë Tereza, monument i gjallë i dashurisë së Zotit për njeriun


Nënë Tereza, lindur në Shkup, më 26 gusht 1910, rilindur për qiell në Kalkutë, më 5 shtator 1997 (festa e saj liturgjike), lumnuar më 19 tetor 2003, kremton sot ditëlindjen.

 

Mbarë bota e nderon Murgeshën katolike shqiptare, themeluesen e Kongregatës së Motrave të Bamirësisë, me një mori monumentesh. Duke nisur nga vendlindja, Shkupi, për të vijuar me Romën, me monumentin pranë kuvendit të motrave të saj në Shën Gregorio al Celio; me Mançesterin, Sarajevën, Prishtinën, Gjakovën, Tuzin, Shkodrën…. E, doemos, kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.

Kur shtegtari, vendas, mërgimtar a i huaj, shkel në trojet shqiptare, duke zbritur nga avioni me të cilin udhëtoi, takohet së pari pikërisht me Nënë Terezën.

E edhe kur shkel në Sheshin “Nënë Tereza” në Shkodër, ndodhet menjëherë përballë së lumes, me një pamje tejet të menduar, gjë e pazakontë për atë, që e kishte gjithnjë buzën në gaz. Gjithsesi, nuk mund të mos ndalet një ças, për një bisedë të shkurtër me të, ashtu pa zë, si njeriu që lutet…

Të shumta, pra shtatoret, që iu lartuan Nënës së Dashurisë së krishterë nëpër botë, punuar nga artistë të ndryshëm.

Por, po të shfletojmë mendimin kritikës shqiptare të artit, do të lexojmë se Nënë Tereza, simbol shpirtëror i popullit shqiptar, ikonë  e dashurisë së krishterë për mbarë Kishën universale, së cilës i janë kushtuar më se dymijë libra e albume në mbarë botën, nuk e ka gjetur ende skulptorin e duhur. E kjo, gjithnjë sipas kritikës, “sepse është figurë tejet e vështirë për t’u realizuar, pikërisht sepse tepër e thjeshtë”. Dy monumentet kushtuar Nënë Terezës, ai i Luan Mulliqit, që ishte në Aeroportin “Nënë Tereza”, në Tiranë dhe ai i Thoma Thomait, që është sot, nuk e përfaqësojnë plotësisht Nënë Terezën. Mendimi i kritikës, ky. I pari, që u zëvendësua me atë, që ndodhej në Sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, kur erdhi Papa Françesku në Shqipëri e që i ngjasonte shumë kryqit, pasi u hoq, u dergj për shumë kohë i shtrirë përdhe, në pritje “për t’u restauruar”, pranë qendrës për Realizmin e Veprave të Artit. Tjetri, sipas mendimit të shumëkujt, nuk arrin ta krijojë  ndjesinë e paqes, fjala e vetme që u vjen në mendje kritikëve shqiptarë të artit, kur kujtojnë emrin e kësaj Gruaje të madhe. Duhet të dalë, prandaj, një artist i përmasave të vetë Nënë Terezës, kulm thjethtësie e madhështie njëherësh, për të realizuar një kryevepër sadopak të ngjashme me atë, të cilën e nisi dhe e kreu Skulptori i madh e i amshuar, duke skalitur, përmes kësaj gruaje të thjeshtë, me një lëndë të pashkatrrueshme,  dashurinë e krishterë për gjithë njerëzit, deri në flijim.

Kritikët e artit e presin mrekullinë nga dalta e një skulptori, që me sa duket nuk ka lindur akoma. Ndoshta, duhet besuar në Zotin, para se të marrësh në dorë daltën për ta nxjerrë Nënë Terezën nga guri e nga mermeri. E për të realizuar, kështu, edhe mrekullinë, që  pritet e dëshirohet aq shumë:  shtatoren e përkryer, e cila do t’u pëlqente të gjithë shqiptarëve, pa përjashtim. Duke qenë, të paktën një herë, të gjithë njëmendjeje. E kjo do të ishte një nga mrekullitë më të mëdha të Nënë Terezës për bashkatdhetarët e vet!

Shtatorja e Nënë Terezës do të jetë vërtet Nënë Terezë, vetëm kur njeriu, që kalon pranë monumentit, do të ndjejë instiktivisht dëshirën për të përkulur gjurin para kësaj Ikone të  dashurisë e të flijimit për njeriun, për të gjithë njerëzit, në emër të Krishtit. Nuk është thjesht çështje arti, pra, por edhe, e sidomos, feje!

Sot, në 105 vjetorin e ditëlindjes, Nënë Tereza, më e thjeshta grua, që nuk i shkoi kurrë mendja se një ditë do të lartohej mbi piedestale, e shikon botën në bronz a në mermer, nga një mori monumentesh e, sidomos nga elteri, e i flet edhe nga kishat, që i kushtohen, posaçërisht nga ato të trojeve të saj, nga Kisha katedrale në Vaun e Dejës e ajo në Prishtinë

Gjithsesi, edhe nëse një ditë do të rroposeshin të gjitha monumentet, që ngriti për të jo vetëm shqiptari, me të cilin pati një gjak e një gjini, por mbarë njerëzimi,  edhe ai me një gjak e një gjini, ajo do të mbetej, sepse është kthyer vetë në Monument të njeriut-simbol i dashurisë e i vetmohimit për të gjithë njerëzit. Posaçërisht për më të zgjedhurit e Jezusit: më të varfërit, më të nëpërkëmburit, më të harruarit, më të plagosurit nga jeta. Monument, që nuk mund ta cënojë koha. Që nuk mund ta rrënojë dora e njeriut, për të cilin shkriu gjithë jetën. Që nuk mund ta përmbysë asnjë kundërshtar, sepse e skaliti vetë dora e Skulptorit të amshuar, dora e Zotit! 








All the contents on this site are copyrighted ©.