2015-08-26 17:02:00

Një minut me Nënë Terezën: çfarë është Jezusi për mua


Si sot, 105 vjet më parë, lindi Nënë Tereza, e Lumja shqiptare, që i mësoi botës ç’do të thotë t’u bësh mirë e t’i duash si Krishtin më të varfërit, ata që s’kanë asgjë mbas shpirtit. Pse e bënte këtë? Sot, në ditëlindjen e Ganxhe Bojaxhiut, me anë të fjalëve të saj, përpiqemi të japim një përgjigje. Minuti i fundit i emisionit, kësaj radhe është pak më i gjatë se 60 sekonda, por na thotë ç’ishte Krishti për Nënë Terezën:

“Ja çfarë është Jezusi për mua:

Fjala e bërë njeri.

Buka e jetës.

Viktima e flijuar mbi kryq për mëkatet tona.

Flija e ofruar në meshë për mëkatet e mia e të botës.

Fjala, që duhet kumtuar.

E vërteta, që duhet shpallur.

Rruga, që duhet përshkuar.

Drita, që duhet ndezur.

Jeta, që duhet jetuar.

Dashuria, që duhet dashur.

Gëzimi, që duhet ndarë.

Flija, që duhet ofruar.

Paqja, që duhet dhuruar.

Buka e jetës, që duhet ngrënë.

I Urituri, që duhet ushqyer.

I Eturi, që duhet t’i japim ujë.

I Zhveshuri, që duhet veshur.

I Pastrehu, që duhet mirëpritur.

I Sëmuri, që duhet shëruar.

I Braktisuri, që duhet dashur.

I Padëshiruari, që duhet ta ndjejë se e duam.

I Gërbuluri, të cilit i duhen larë plagët.

Lypësi, të cilit i duhet dhuruar një buzëqeshje.

I Dehuri, që duhet dëgjuar.

I Sëmuri mendor, që duhet mbrojtur.

I Vogli, që duhet përqafuar.

I Verbëri, që duhet udhëhequr.

I Pagoji, në vend të të cilit duhet folur.

I Çali, me të cilin duhet ecur.

I Droguari, me të cilin duhet lidhur miqësi.

Prostituta, që duhet larguar nga rreziku e duhet parë me miqësi.

I Burgosuri, që duhet vizituar.

I Moshuari, që duhet shërbyer.

Për mua

         Jezusi është Zoti im.

         Jezusi është dhëndërri im.

         Jezusi është jeta ime.

         Jezusi është dashuria ime e vetme.

         Jezusi është gjithçka imja në gjithçka.

         Jezusi është gjithçka për mua”.

(Bazuar mbi "Madre Teresa - meditazioni per ogni giorno dell'anno liturgico", botuar me kujdesimin e Dorothy S. Hunt nga RCS Libri, 2003 (edicioni Tascabili Bompiani))








All the contents on this site are copyrighted ©.