2015-08-26 14:10:00

Françesku: në familje mësohet lutja drejtuar Zotit me dashuri


Familja është vend i zgjedhur për të mësuar lutjen plot dashuri, dalë nga zemra, drejtuar Zotit. E pikërisht kjo është lutja më e bukur, që nuk ka nevojë për shumë fjalë e gjeste. E shpjegoi Papa Françesku, duke i kushtuar lidhjes së familjes me lutjen, katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, e 100-ta e papnisë.

I largët  e i akullt, si një gjykatës. Apo i afërt e i përzemërt, si një atë. T’i lutesh Zotit me gjithë zemër, varet plotësisht nga mënyra si e perceptojmë. E perceptimi lind nga lidhja, që kemi me Të. Personale, natyrisht, por edhe familjare. Në fund është tejet e thjeshtë, shpjegoi Papa që, pasi është thelluar, gjatë audiencave të tjera, në shpjegimin e lidhjeve ndërmjet familjes e festës, familjes e punës, sot vuri në  dukje edhe lidhjen ndërmjet familjes e lutjes.

Zoti, ledhatim i jetës 

Para se të reflektonte për mungesën e ndjeshme të lutjes së përbashkët në gjirin e familjes, Françesku foli për vete, për mënyrën si e jeton e si e ndjen kohën e lutjes. Është mirë, shpjegoi, të shpresosh që Zoti të na ndihmojë në çastin e rrezikut; e mirë është edhe ta falënderojmë, madje është detyrë. Gjithçka mirë. Por, a e ndjejmë thellësisht në shpirt dashurinë për Zotin? A na prek thellë në zemër? Na mrekullon? Na e zbut shpirtin?

“A ia dalim mbanesh ta mendojmë Zotin si ledhatim, që na mban në jetë? Ledhatim nga i cili asgjë në botë, e as vetë vdekja, nuk mund të na ndajë? Apo e mendojmë vetëm si qenie madhore, si të Gjithëpushteshëm, që i ka bërë të gjitha sendet, si gjykatës të rreptë, që kontrollon çdo lëvizje, çdo sjellje tonën? Gjithçka është e vërtetë, natyrisht. Por vetëm kur Zoti është dashuria e të gjitha dashurive tona, vetëm atëhere këto fjalë marrim kuptimin e tyre të plotë. A nuk është thellësisht prekëse të mendosh se Zoti na përkëdhel me dashuri, si atë? Tepër e bukur është! Tepër!”.

Zemërngrohtësi, më shumë se fjalë

Në thelb, vijoi Papa, nëse nuk kemi në zemër një dashuri të valë për Zotin, mundemi edhe të derdhim lumenj fjalësh, si bëjnë paganët, ose t’i shtojmë ritet tona, siç bënin farizenjtë, por pa afshin e lutjes së vërtetë, që ta kall shpirtin flakë nga dashuria:

“Një zemër, ku banon afshi i dashurisë për Zotitn, e bën lutje edhe  mendimin e pathënë me fjalë, ose lutjen para figureve të shenjta. E lutje e bën edhe një puthje në drejtim të kishës! Gjë e bukur kur nënat i mësojnë fëmijët ende të njomë t’i japin një puthje të nxehtë Jezusit e Zojës së Bekuar. Sa njomësi ka në këtë puthje! Në këtë çast zemra e fëmijëve  shndërrohet në vend lutjeje”.

Ajo pak kohë, që duhet fituar

Është Shpirti Shenjt ai, që ndez një dashuri plot afsh për Zotin, që të shtyn ta thërrash “Abbà”, “Atë”. E kjo dhuratë e Shpirtit Shenjt, nënvizoi Françesku, mësohet në familje. Është familja, që të mëson ta vlerësosh. Nëse e mëson, ashtu si mëson të thuash “nënë” e “baba”, atëherë, siguron Ati i Shenjtë, e ke mësuar përgjithmonë, të është ngulitur mirë në kokë e në zemër aq, sa koha nuk mund ta shkulë më. Gjithsesi, njerëzit e kohëve moderne mendojnë se kanë tepër pak kohë për t’u lutur e, në familje, koha bëhet një element gjithnjë më i ndërlikuar, zihet me njëmijë telashe, mbushet me gjithfarë shqetësimesh… E atëherë mbetet pak, tepër pak kohë, për t’u lutur së bashku:

“Kush ka familje mëson shpejt e shpejt të zgjidhë një ekuacion, të cilin as matematikanët më të mëdhenj nuk dinë ta zgjidhin. Gjatë 24 orëve duhet bërë punë sa për dyfishin e tyre. Është kështu, apo jo? Ka nëna e baballarë që do të mund ta fitonin Çmimin Nobel për këtë. Brenda 24 orëve, bëjnë atë, që mund të bëhet në 48. Nuk e di si e bëjnë, por ama e bëjnë. Lëvizin papushim dhe e bëjnë. Ka punë familja. Shumë! Koha mungon gjithnjë. Por shpirti i lutjes na e rikthen kohën, që i kushtojmë Zotit, na bën të dalim nga ankthi i një jete, në të cilën mungon gjithnjë koha, na rikthen paqen e gjërave të nevojshme e na zbulon gëzimin e dhuratave të papritura”.

Ritmet familjare në harmoni

Françesku përfundoi duke treguar dy modele të Ungjillit, Martën e Marinë, motrat që, pohoi, mësojnë nga Zoti harmoninë e ritmeve familjare, ose, më mirë të themi, bukurinë e festës, paqen e punës, frymën e lutjes:

“Lutja buron nga afërsia me fjalën e Zotit. A e kemi këtë afërsi në familjet tona? E kemi Ungjillin në shtëpitë tona? E hapim ndonjëherë? E shfletojmë, për ta lexuar së bashku? E meditojmë, duke thënë, gjithnjë bashkë, Rruzaren? Ungjilli i lexuar e i medituar në familje është si buka e mirë, që ushqen zemrën e të gjithëve. E në ag e në muzg  e kur  shtrohemi në sofër, të mësohemi për ta thënë së bashku një uratë, të thjeshtë, por të dalë nga zemra. Është Jezusi, që vjen mes nesh, ashtu si shkonte në familjen e Martës, Marisë, Lazrit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.