2015-08-25 16:55:00

Papa: i krishteri i dhënë pas parave gabon udhën


“Një i krishterë kur është i dhënë tepër pas parave, e gabon udhën”. Kështu pohon Papa Françesku në një tweet botuar në faqen e internetit @Pontifex. Një tërheqje e vëmendjes, kjo e Papa Françeskut, jo e re në mësimet e tij drejtuar përherë me sinqeritet, pa dorashka, si besimtarëve e po kështu edhe episkopatit e klerit mbarë. Papa na fton të gjithëve të mbështetemi dhe të rrënjosemi në Zotin. Të hapësh dorën e të ndihmosh të varfrit do të thotë të hapësh horizontin.
E s’ka dyshim se udha e drejtë është ajo e dhurimit të vetvetes dhe të të mirave materiale të tjerëve, sidomos të varfëve e nevojtarëve, siç pati kujtuar Papa Françesku në homelinë e Meshës së 25 majit të kaluar, kremtuan në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, duke komentuar ungjillin e ditës.

Prandaj, duhet vepruar në mënyrë të tillë që pasuritë, kur janë, të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët. Pasuria e pamasë, e ruajtur vetëm për vete, ngjall trishtim, zhduk çdo shpresë, është zanafillë e të gjitha llojeve të korrupsionit, të madh a të vogël. E pohoi Papa Bergoglio në homelinë e Meshës së mëngjesit të 25 majit të kaluar, kremtuar në Kapelën e Shën Martës.

Skena, që Papa komentoi me atë rast në homeli, është nga më të famshmet ndërmjet sa e sa skenave të tjera të Ungjillit. Djaloshi pasanik takohet me Jezusin, dëshiron ta ndjekë Mësuesin Hyjnor, e siguron se i jeton urdhërimet e Tënzot, por brenda një çasti të vetëm ndryshon plotësisht.  Djaloshi e humbet fare humorin e entuziazmin kur Jezusi i tregon cili është hapi i fundit, që duhet të bëjë, “gjëja e vetme”, që i mungon: t’i shesë të gjitha pasuritë, t’ua ndajë paratë të varfërve e atëherë të vihet pas gjurmëve të Krishtit. Fjalë këto që e godasin si rrufe në qiell të kthjelltë djaloshin dëshirtar; gëzimi, hareja, shpresa  shuhen, sepse ai është i lidhur fort me pasuritë. Për të mos hequr dorë prej tyre, heq dorë prej Krishtit.

“Lidhja me pasurinë është zanafillë e çdo lloj korrupsioni, kurdoherë e kudo: korrupsion personal; korrupsion në punë; edhe korrupsion i vogël tregtar i atyre që i heqin një 50 gramësh peshës së duhur; korrupsion politik, korrupsion në edukim….. E pse? Sepse ata që jetojnë të kapur fort pas pushtetit, nuk kanë horizont, nuk kanë shpresë. Në fund të fundit do t’u duhet të lënë gjithçka mbi dhe”.

Etja për pasuri është mister, vërejti Papa Bergoglio. Pasuritë kanë aftësi të joshin, ta bëjnë njeriun të besojë se është në parajsën tokësore. Ndërsa, shtoi Papa, kjo parajsë tokësore është vend i mbyllur, pa pikë horizonti. I ngjashëm me atë lagjen e Buenos Ajres-it, që Françesku e pati parë në vitet ’70-të, të banuar nga njerëz të kamur, krejtësisht të fortifikuar për t’u ruajtur nga hajdutët.

“E të jetosh pa horizont është jetë shterpë, jetë pa shpresë, jetë e trishtë. Lidhja me pasurinë të mbush me trishtim e të bën shterpë. Them ‘kapje pas pasurisë’ jo ‘mbarështim i pasurisë’, sepse pasuritë janë për të mirën e përbashkët, për të gjithë. E nëse Zoti ia jep ndokujt, nuk ia jep që t’i mbajë vetëm për vete, për t’i mbyllur në zemër të vet, që të bëhet pastaj, i korruptuar e i trishtuar”.

Pasuritë, pa bujari, nënvizoi Papa Françesku, na bëjnë të besojmë se jemi të pushtetshëm, si Zoti. E në fund na marrin gjithçka kemi më të mirë: shpresën. Po Jezusi në Ungjill, përfundoi ai, na tregon cila është udha e drejtë për ta jetuar begatinë. “Lumnia e parë: ‘Lum të varfërit në shpirt’, që do të thotë të zhvishesh nga kjo prirje e t’i përdorësh pasuritë që t’i dha Zoti, në shërbim të së mirës së përbashkët.

E vetmja mënyrë. Të hapësh dorën, të hapësh zemrën, të hapësh horizontin! Po nëse ti e ke dorën të mbyllur, zemrën të mbyllur, si ai burri që bënte gosti e vishej me salltanet, nuk ke horizont, nuk shikon se rreth teje ka edhe të tjerë, që kanë nevojë e përfundon si burri me petka të mëndafshta, por pa horizont: larg Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.