2015-08-24 13:30:00

Tauran në Mitingun e Riminit: luftërat nuk janë fetare, por politike


Vijon, në Rimini të Italisë, Mitingu tradicional, nën shenjën e dialogut ndërfetar. Punimet i hapën një katolik, një hebre e një mysliman, që dëshmuan se fetë janë për ta ndërtuar, e jo për ta shkatërruar njeriun”. E pikërisht për rolin e feve foli, në ditën e dytë të Mitingut, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, sot, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në kohët tona nuk ka asnjë konflikt, që të jetë me natyrë fetare. Të gjitha konfliktet, me të cilat, për fat të keq, duhet të merremi, janë pasojë e arsyeve politike. Por, po ta vëresh mirë botën e sotme, nuk mund ta kuptosh pa fetë. E ky është paradoksi i madh. Një shekull më parë patën thënë: “Zoti vdiq!”. Por sot po e shohim se nuk ka vdekur aspak, se është i gjithëpranishëm. Prej këndej, pikërisht ky paradoks, na nxit të dialogojmë, sepse Zoti bën pjesë në jetën e njeriut të sotëm. Njeriu është “frymor” fetar.

Pyetje: - Atëhere pse ndodh që fetë të jenë të pranishme pikërisht në konflikt?

Përgjigje: - Para së gjithash, nuk janë fetë të pranishme, por ndjekësit e tyre, burra e gra me vulën e mëkatit të rrjedhshëm. E prej këndej, e dimë - e thotë Kushtetuta Konciliare Gaudium et spes - se dhuna do të jetë deri në fund të fundit të botës. Duhet, prandaj, t’i bëjmë ballë kësaj dhune. Ta mundim të keqen, me të mirë.

Pyetje: - Shumë qeveri “laike”, për të shmangur konfliktet, e shpërfillin identitetin, edhe atë fetar: ju duket udhë e drejtë kjo?

Përgjigje: - Jo, sepse në dialogun ndërfetar gjëja e parë tek e cila duhet të ndalemi, - siç e ka kujtuar edhe rektori i xhamisë së Lionit - është identiteti. Duhet ta dimë kush jemi, kujt i besojmë, cilat janë vlerat universale, që na prijnë në jetë. Nuk ka dialog ndërfetar, ku ka mëdyshje. Ne duhet ta kemi parasysh, ta dimë mirë përmbajtjen e fesë sonë.

Pyetje: - Feja dhe demokracia: shpesh ndërmjet tyre, dialogu nuk është aspak i lehtë...

Përgjigje: - ... me të drejtë: njeriu  është i lirë e shpesh herë e keqja sundon mbi të mirën. Ne duhet të veprojmë gjithnjë në mënyrë që forca e ligjit të  ketë epërsi mbi ligjin e forcës.

Pyetje: - Integralizmi islamik, ç’ide ka për fenë?

Përgjigje: - Integralizmi islamik, para së gjithash, nuk është islam i vërtetë. Është çoroditje. Integralistët janë grupe që, për fat të keq, gëzojnë mbështetjen e disa sektorëve, që nuk janë në favor të demokracisë.

Pyetje: - Mungesa e paqes sot varet edhe nga besëlidhja ndërmjet fesë e pushtetit?

Përgjigje: - Në disa raste, po. Pa harruar se fetë janë forcë e së mirës; e këtë e shikojmë vazhdimisht... Ka gjithnjë shumë rëndësi që mjetet e komunikimit të ngulin këmbë më shumë mbi këto aspekte pozitive: për shembull, një familje myslimane në Bagdad, që strehon prej dy vjetësh një familje të krishterë. Ky është fakt shumë i bukur, ose shembulli i etërve domenikanë, që dy vjet më parë themeluan, në Bagdad, Akademinë e Shkencave Shoqërore, ku kanë më se një mijë studentë, pothuajse të gjithë myslimanë. Këta shembuj janë rreze drite në errësirë, prej këndej duhet folur për ta.








All the contents on this site are copyrighted ©.