2015-08-24 13:35:00

Shën Bartolomeu Apostull, i parë nga Papa Benedikti XVI


Bartolomeu është njëri nga të Dymbëdhjetë Apostujt, që e ndoqën Jezusin. Dimë se ishte nga Kana e Galilesë, por nuk e dimë as datën e lindjes e as atë të vdekjes. Mendohet se vdiq nga gjysma e shekullit I, ndoshta në Siri. Qe Katolikosi i të gjithë armenëve. Festohet më datën 24 gusht. 
“Zoti na befason, duke na bërë ta gjejmë atë që kërkonim, pikërisht atje ku nuk e prisnim” – këtë u kujtoi Benedikti XVI në audiencën e 4 tetorit 2006 shtegtarëve, të cilëve u paraqiti shembullin e Shën Bartolomeut. Apostulli njihet edhe me emrin Natanael, që do të thotë “Zoti ka dhënë”. Shën Filipi Apostull e njofton se kishin gjetur Jezusin, të birin e Jozefit nga Nazareti. Natanaeli i përgjigjet me një paragjykim: “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?”. E Filipi ia kthen: “Eja e shih”. Prej këndej do kuptuar se në lidhjen tonë me Jezusin nuk duhet të përqendrohemi vetëm tek fjalët; që ta njohim mirë, kemi nevojë për një përvojë të gjallë: “Dëshmia e të tjerëve është sigurisht e rëndësishme, sepse si rregull, e gjithë jeta jonë e krishterë fillon me kumtimin që vjen deri tek ne përmes veprës së një ose disa dëshmitarëve. Por më pas duhet të jemi ne vetë që hyjmë personalisht në lidhje të ngushtë e të thellë me Jezusin”.
“Qe një izraelitas i vërtetë, në të cilin nuk ka dredhi”, brohoret Jezusi duke takuar Natanaelin, i cili i përgjigjet: “Rabbì, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”. Kemi të bëjmë me pohimin e një feje të pastër, që nxjerr në dritë përmasën e dyfishtë të Jezusit: “Nuk duhet ta humbasim nga sytë as njërën as tjetrën nga dy përmasat, sepse po të shpallim vetëm përmasën qiellore të Jezusit, krijohet rreziku ta bëjmë një qenie qiellore dhe të vagëlluar; e në qoftë se, përkundrazi, pranojmë vetëm praninë e tij në histori, errësojmë përmasën hyjnore, që e cilëson Krishtin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”.
Nuk kemi lajme të tjera për Bartolomeun, i cili na mëson se bashkimi me Jezusin mund të jetohet e të dëshmohet edhe pa kryer vepra të jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.