2015-08-24 15:45:00

Papa: pranë të vuajturve, lutem për frymën e paqes në Ukrainë


“Lutem për vendin tuaj në këtë situatë të vështirë”,  e  “i mbështet të gjitha përpjekjet, që e ndihmojnë kombin ukrainas të ecë përpara me frymën e paqes e të ribashkimit”. Janë fjalë të shkëputura nga mesazhi, dërguar nga Papa Françesku presidentit Poroshenko, në  ditën kur kremtohet 24- vjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit evropiano-lindor. Urimet e Papës, që rikujton edhe “afërsinë shpirtërore me viktimat dhe njerëzit e vuajtur”, vijnë menjëherë pas thirrjes për paqe në Ukrainë, në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës uroi që të marrë fund konflikti, shkaktar i mijëra vdekjeve, plagosjeve, humbjeve të vatrave e strehëve për banorët e vendit të martiriziuar prej disa vitesh.

Pushkët e reja, që vetëtinin në paradë dhe përpjekjet për të krijuar atmosferën e festës, nuk mundën ta shlyenin shijen e hidhur të dramës. Kievi ishte epiqendra e  kremtimit të 24-vjetorit të pavarësisë, por shifrat  që i kumtoi presidenti Poroshenko turmës dhe mbarë vendit në fjalimin e tij zyrtar, nuk shkaktojnë entuziazëm. Asnjë buzë e qeshur, në mes të turmës. E kjo, sepse presidenti flet për 2.100 ushtarë të vrarë  në konfliktin e Donbasit kundër filorusëve; për 7 mijë të plagosur; për 6.800 të vdekur që në fillim të ndeshjeve, shumica civilë.

Në këtë atmosferë të nderë,  në festën me vezullime metalesh, por jo buzagazesh, fjalët e Françeskut arrijnë si fllad që freskon shpirtrat e djegur nga lufta e që jep shpresë, siç  pohon, në mikrofonin tonë, don Ivan Kulyk, famullitar i famullisë së Shenjtorëve Sergji e Bahu, kishë kombëtare e ukrainasve, në Romë:

 Ka shumë rëndësi për ne, që Papa e bëri këtë thirrje për paqe në Ukrainë. Besoj se të gjithë ukrainasit, të cilët i dëgjuan këto fjalë, u kënaqën pa masë, sepse Papa, kreu i Kishës, lutet për Ukrainën, e kujton në zemër të vet popullin e Ukrainës, kujton këtë situatë të vështirë, që po jeton Ukraina”.

Në agjendat e kancelarive evropiane, kriza e Ukrainës është në rend të parë, ashtu si ajo e emigracionit. E është temë kryesore edhe në takimin e rangut të lartë tripalësh: Gjermani-Francë-Ukrainë, që do të mbahet në Berlin. Pas përpjekjeve të politikës e të diplomacisë, zë një vend të dorës së parë edhe çështja humanitare e dhjetra mijëra njerëzve të mbetur pa strehë e pa tokë:

 Ka shumë njerëz, që e lanë a duhet ta lënë tokën, ku jetojnë, sepse pothuajse gjithçka u shkatërrua. Ka shumë fëmijë, gra e burra, që duan e duhet të largohen nga kjo zonë konflikti. Këta njerëz, kur ikin, kanë nevojë për shtëpi, për banesë, e kjo është emergjencë tepër e madhe, jashtëzakonisht e vështirë”.

E pas kësaj panorame dramatike, don Ivan nuk mund të mos e urojë nga zemra vendin e vet të largët, që kremton një festë, ndonëse pa shijen e festës:

 Duhet të jemi popull i bashkuar. Duhet të jemi gjithnjë bashkë, posaçërisht në këtë çast të vështirë, sepse bashkimi bën fuqinë. E dua të uroj që të gjithë ne ta ndjejmë fort në zemrat tona këtë dhuratë kaq të madhe, që është pavarësia, liria. Ta ndjejmë se prej 24 vjetësh populli i Ukrainës është popull i lirë. E kjo është dhuratë e madhe e Zotit tonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.