2015-08-24 12:43:00

Në gusht 1939 Papa Paçeli bënte thirrje për shmangien e Luftës II Botërore. Piu XII mbrojtës i paqes.


Piu XII mbrojtës i paqes. Në gusht të vitit 1939 Papa Paçeli bënte thirrje për shmangien e Luftës së Dytë Botërore. Në gusht të vitit 1939, shpresat e mbarë botës për parandalimin e luftës veniteshin përfundimisht me paktin Ribentrop-Molotov, i cili vulosi edhe shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

Një nga zërat që u pat ngritur pa druajtje në mbrojtje të paqes botërore qe edhe ai i Papës Piut XII. I zgjedhur Papë vetëm pak muaj më parë, Piu XII me anë të Radio Vatikanit i bënte thirrje qeveritarëve të mos hynin në rrugën shkatërrimtare të luftës. Mesazhi radiofonik i tij i 24 gushtit 1939,  është dëshmi e gjallë e përpjekjeve të Kishës Katolike për mbrojtjen e paqes në botë.

“Drejtësia ecën përpara me forcën e arsyes e jo të armëve”. Kanë kaluar, pra, mbi 70 vjet nga mesazhi radiofonik i Papës Paçeli, por fjalët e tij e ruajnë aktualitetin e domethënien ende sot. Nuk kishte kaluar veçse një ditë kur ministri i jashtëm gjerman  Fon Ribentrop dhe ai sovjetik Molotov nënshkruanin Paktin famëkeq të ‘Mossulmit’ ndërmjet vendeve të tyre, pakt i cili në pjesën e dytë të tij - mbetur sekrete për vite me radhë - përfshinte edhe disa rreshta që parashikonin copëtimin e Polonisë.

Ja se si shprehej Papa Piu XII duke u përpjekur deri në fund të mbronte botën nga lufta që tashmë dukej e pashmangshme: “Asgjë nuk humbet me paqen. Gjithçka mund të humbet me luftën. Njerëzit t’i rikthehen arsyes”. “Të na dëgjojnë të fuqishmit që të mos bëhen të ligsht nëpërmjet padrejtësisë. Të na dëgjojnë të fuqishmit nëse duan që fuqia e tyre të mos jetë shkatërrim por ndihmë për popujt e mbrojtje për rendin e punën.” Kjo ishte thirrja e Piut XII, thirrje së cilës fatkeqësisht nuk ia vuri veshin kush. E në fakt,  pak ditë më vonë, më 1 shtator, Gjermania sulmoi Poloninë dhe krejt njerëzimi u fut në rrugën pakrye të shkatërrimit që do të sillte me vete lufta.

Megjithatë, ai zë i vetmuar i Papës Piut XII nuk mbeti në harresë. Në 25-vjetorin e kalimit në amshim të Papës Paçeli, pasardhësi i tij, Papa Gjon Pali II e kujtonte me këto fjalë impenjimin për paqe të Piut XII: “Shkroi e veproi pa u lodhur që lufta, Lufta e tmerrshme e Dytë Botërore, të mos shpërthente. Bëri gjithçka që ishte e mundur për t’i zvogëluar pasojat e tmerrshme e tragjike të konfliktit të madh që sa vinte e përhapej duke korrur me miliona viktima.”

Po ashtu edhe pasardhësit tjerë në fronin e Shën Pjetrit nuk kanë harruar të vënë në dukje impenjimin e Papës Piut XII në shërbim të paqes nëpër botë. Shpesh është nënvizuar, pra, sesi Papa Eugjenio Paçeli bëri të pamundurën për t’i kthyer qeveritarët e pushtetshëm të botës në rrugën e arsyes, i bindur se vetëm Krishti është shpresa e vërtetë për njeriun: “Vetëm duke besuar tek Ai, [në Krishtin], zemra njerëzore mund të hapet për dashurinë e cila fiton kundër urrejtjes. Kjo vetëdije e shoqëroi Piu XII në misionin e tij si Pasardhës i Krishtit, misionin që filloi pikërisht kur në qiellin e Evropës dhe të mbarë botës po grumbulloheshin retë kërcënuese të një konflikti të ri botëror, të cilin Piu XII u përpoq ta shmangte me çdo mënyrë.”








All the contents on this site are copyrighted ©.