2015-08-23 12:55:00

Papa, thirrje për Ukrainën. “Jezusi, jo mendësia e botës, na e shuan urinë për amshimin


 Një thirrje për paqe në Ukrainë, ku konflikti vijon, i ndjekur me shqetësim të thellë nga Papa, dhe një reflektim kushtuar besnikërisë ndaj Krishtit, sipas porosive të Ungjillit të së dielës: besnikëri e vënë në krizë nga “mendësia e botës”, që nganjëherë përpiqet ta ligështojë  shpirtin e Ungjillit në jetën e të krishterëve.

Ishin këto, dy pikat, rreth të cilave Papa Françesku e shtjelloi lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit,  në praninë e mijëra njerëzve nga të katër anët e botës.

Çdo zonë e botës, ku ndizet lufta, është periferi e qytetërimit, e shtëpisë së përbashkët, e Papa i periferive, sa herë del në dritaren e Engjëllit të Tënzot, shikon larg, shumë larg. Sot shikimi i Atit të Shenjtë u ngul mbi Ukrainën, këtë periferi të Evropës lindore, ku vijon konflikti, të cilin mediat e vënë në faqet e para me shumë ndërprerje, por që javët e fundit, vërejti Françesku, është ashpëruar deri në atë pikë, sa, siç ceket në kronikat, e shtyu presidentin ukrainas Poroshenko të pohojë se mund të zgjasë me dhjetra vite. Po Papa nuk mendon për luftën, mendon për dialogun. Sipas Françeskut, çdo kohë është e përshtatshme për dialog e për paqe. E, në përfundim të lutjes mariane, i fton përsëri të gjithë të mos e shikojnë si utopike këtë shpresë:

“Përsëris thirrjen time të ngutshme, që të respektohen angazhimet e marra për të arritur në paqësimin e, me ndihmën e organizatave e të njerëzve vullnetmirë, t’i jepet përgjigje emergjencës humanitare në vend. Zoti i dhëntë hirin e paqes Ukrainës, që përgatitet të kremtojë nesër, festën kombëtare”.

Të zhgënjyerit nga Mesia

Nga një zonë e tronditur prej armëve, tek shpirtrat e tronditur të dishepujve të Krishtit. Në sfondin e fragmentit të Ungjillit, propozuar nga liturgjia e sotme, ndjehet fort pakënaqësia e turmës. Shumë prej atyre, të cilëve Mesia ua shoi urinë mrekullisht, duke shumëzuar bukët e peshqit, mbetën keq, ngaqë fjalët e Mesisë e përjashtojnë ëndrrën e tyre të lavdisë. E kjo, sepse ky Mesi, kujtoi Françesku, e quan veten “Bukë e rënë nga qielli”, e arrin deri atje, sa ta paraflasë vdekjen, duke pohuar “se do ta jepte korpin e vet, si ushqim e gjakun e vet, si pije”. Pak e aspak i pëlqen turmës një perspektivë e tillë:

“Këto fjalë i zhgënjejnë njerëzit. I gjykojnë si të padenja për Mesinë, që duhet të ishte ‘fitimtar’. Me këtë sy e shikonin disa prej tyre Jezusin, si Mesi, i cili duhet të fliste e të vepronte në mënyrë, që misioni i tij të kishte sukses. Madje, menjëherë. Por pikërisht për këtë gaboheshin; për mënyrën si e kuptonin misionin e Mesisë! Deri dishepujt nuk arrijnë t’i pranojnë këto fjalë, tepër tronditëse, të Mësuesit”.

Fjalë, që vënë në krizë

Nuk i pranojnë ndonëse, në të vërtetë, i kanë kuptuar, edhe tepër mirë, fjalët e Jezusit, të cilat nuk duan t’i dëgjojnë, ngaqë e vënë në krizë mendësinë e tyre, ashtu si na vënë ne, shtoi Papa, fjalët e Tij, përballë shpirtit të botës, mendësisë së  saj:

“Por Jezusi jep çelësin për t’i kapërcyer vështirësitë: çelës i përbërë nga tri elemente. Elementi i parë, zanafilla e Tij hyjnore: ‘Ai zbriti nga qielli e do të ngjitej përsëri atje, ku ishte më parë’. I dyti, fjalët e Tij mund të kuptohen vetëm përmes veprimit të Shpirtit Shenjt, Atij, që jep jetë (…). I treti: shkaku i vërtetë i moskuptimit të fjalëve të Tij, është mungesa e fesë: ‘Ndërmjet jush ka edhe nga ata, që nuk besojnë’, thotë Jezusi”.

Çështje, që ka të bëjë me zgjedhjen e rrugës

Por Jezusi, kujtoi Françesku, nuk tërhiqet as nga pakënaqësia e të vetëve, madje i detyron të zgjedhin një rrugë të mirëpërcaktuar: - “Edhe ju doni të shkoni!?” - i pyet. E Pjetri përgjigjet në emër të të gjithëve: “Zot, e tek kush të shkojmë? Vetëm ti ke fjalët e jetës së pasosur”. Papa tërheq vëmendjen pikërisht mbi këtë dëshmim të fesë: “Nuk thotë – vëren – ‘ku do të shkojmë?’, por ‘tek kush do shkojmë?’":

“Problemi themelor nuk është të shkosh e ta braktisësh veprën e nisur, por tek kush duhet shkuar. Nga pyetja e Pjetrit, ne kuptojmë se besnikëria ndaj Zotit, është besnikëri ndaj një vetjeje, me të cilën lidhesh, për të ecur së bashku në të njëjtën udhë. E kjo Vetje është Jezusi. Gjithçka mund të na japë bota e mund të marrim prej saj, nuk na e shuan etjen, as urinë për pafundësinë, për amshimin. Kemi nevojë për Jezusin, për të ndenjur me Të, për t’u shtruar në sofrën e Tij, për të dëgjuar fjalët e jetës së pasosur”.

Kush është Jezusi për mua

Krishti nuk është ndonjë element plotësues: është ‘bukë e gjallë”, vijoi Françesku, e në vijim i ftoi të gjithë të heshtin një çast, për të rrëmuar ndërgjegjet e për të përsëritur, edhe gjatë gjithë javës, atë, që për të krishterin është nëna e të gjitha pyetjeve:

“’Kush është Jezusi për mua? Është thjesht një emër? Një ide? Është vetëm  personalitet historik? Apo është me të vërtetë Ai, që më do, që flijoi jetën për mua e që ecën përkrah meje?’. ‘E për ty, kush është Jezusi? A je me Jezusin? Përpiqesh ta njohësh Fjalën e Tij? A e lexon Ungjillin çdo ditë, së paku një copëz, për ta njohur  nga afër Jezusin? A e ke Ungjillin e vogël në xhep? Në çantë? Për ta lexuar kudo? Sepse, mos harroni, sa më shumë që jemi me Të, aq më shumë na shtohet dëshira për të ndenjur me Të’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.