2015-08-22 18:17:00

Siri. Atë Jihad: rrënojnë manastiret, jo fenë tonë


Sipas SHBA, Shteti i vetëshpallur Islamik mendohet të ketë përdorur armë kimike kundër kurdëve peshmerga, më 11 gushtin e kaluar, në Siri. Ndërkaq vendi vijon të jetë në kaos. Në kufirin jugor pati ndeshje të armatosura me Izraelin, me pasojë 5 të vdekur e dhjetra ushtarë e civilë sirianë të plagosur, ndërsa në zonën qendrore, jo larg Homsit, milicët e Shtetit të vetëshpallur Islamik vijojnë të rrënojnë monumentet siriane. Ngjarja më e freskët, është rrënimi i manastirit katolik të Mar Elian,  ngritur në shek. V pas Krishtit, në qytetin Qaryatayn, bombarduar, së pari, nga regjimi në ndeshjet me rebelët, e tani bërë rrafsh me tokë nga milicët. Pas arritjes së Is e rrëmbimit, majin e kaluar, të të parit të kuvendit, atë Jacques Mourad, bashkësia u zhvendos në Deir Mar Musa, një qendër tjetër monastike, prej nga vjen edhe dëshmia e  atë Yousef Jihad,  i cili tregon ç’ka ndodhur, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Nga 4 gushti, kur hyri Shteti i vetëshpallur Islamik, duke shtënë në dorë qytetin e Qaryatayn, ne nuk kemi më asnjë lajm nga manastiri. E dimë se ishte një grup laikësh, që punonte aty, katolikë e myslimanë së bashku e, kur hyri Is, i dëbuan të gjithë. U dhanë afat vetëm një orë, për t’i therur, pastaj. E ata, natyrisht, ikën. Fotografitë tregojnë rrënimin e zonës arkeologjike, të kryqeve e kumbonares, një kumbonare e vogël. Rrënojnë, sistematikisht. Is, që, sipas meje, pak e aspak e njeh Islamin, dëshiron ta rrafshojë historinë e vendit. Misioni i tij është të shkatërrojë gjithçka është e mirë e domethënëse. Gjithçka. Veç fesë. Fenë nuk mund ta rrënojnë, e as shpresën. Mund të shkatërrojnë manastiret, kryqet, duke harruar se kështu nuk bëjnë tjetër, veçse rrënojnë e  deformojnë vetë fytyrën e Islamit, nësa ne përpiqemi të rrojmë në paqe me të gjithë, edhe pse këto ditë fjalët e mia duhet të tingëllojnë si të çuditshme e të parealizueshme. Por ne besuam në Ringjalljen, që ishte e pamundur. Besojmë, pra, edhe në të pamundurën….

Pyetje: - Manastiri i rrënuar ishte oazë e vërtetë dashurie të krishterë e mikpritjeje edhe për shumë refugjatë…

Përgjigje: - Po, sidomos për myslimanët e zonës, e pastaj këtu ishin edhe 47-48 familje të krishtera, me 100 fëmijë e ne, si murgjër, organizonim programe për t’i zbavitur të vegjlit…

Pyetje: - Mund të themi se ishte shenjë shprese për gjithë këto troje të shkretuara…

Përgjigje: - Sigurisht, e sipas meje, prandaj deshën ta heqin qafe atë Jacques, sepse ishte i rrezikshëm për ta, për mendjet e tyre, që duan të ndezin gjithnjë sherrin ndërmjet shiitëve e sunitëve, ndërmjet myslimanëve e të krishterëve.

Pyetje: - Dini gjë për atë Jacques?

Përgjigje: - Për fat të keq, asgjë të sigurt!

Pyetje: - Atë Jacques më kujton atë Dall’Oglion dhe manastirin nga i cili ju po më flisni, bashkësinë e Deir Mar Moussa. Sa jeni atje tani? E ç’mendoni për vëllezërit e zhdukur prej vitesh?

Përgjigje: - Jemi katër murgjër e dy murga, me një grup prej dy-tre punëtorësh, myslimanë e të krishterë, që vinë këtu për punë. Si jetojmë? Jetojmë me shpresë për t’i rigjetur e për t’i përqafuar përsëri vëllezërit e rrëmbyer, të gjallë, një ditë e, në se jo këtu, në Qiell.

Pyetje: - Po a nuk keni frikë, pas gjithë këtyre ngjarjeve?

Përgjigje: - Frika është pjesë e jetës. Ne jemi njerëz e nuk mund të mos kemi frikë, por shpresa jonë është më e fortë se frika; dëshira për të jetuar në paqe, më e fortë se ndeshjet e rrënimet. Natyrisht i lutemi Zotit të na përforcojë në fe, por nuk është se e kërkojmë martirizmin, duke ndenjur këtu. Nuk besojmë se Is do të vijë e të na therë fare pa kuptim. Nuk jemi të kapur fort pas manastirit tonë, e as mendojmë se duhet të rrimë këtu me çdo kusht. Manastir është jeta jonë, thirrja jonë, që mund ta jetojmë në të katër anët e botës, ku ka të krishterë e myslimanë së bashku, sepse kjo është karizma, që na ka dhuruar Zoti: t’i duam të gjithë, posaçërisht, vëllezërit myslimanë. Prej këndej, vijojmë të shpresojmë se mund të dialogojmë e të bashkëjetojmë.

Pyetje: - Po ju, a keni pasur të bëni drejtpërdrejt me atë, që sot konsiderohet “armik”, domethënë, me Is?

Përgjigje: - Kur isha në Qaryqatayn, tre muaj më parë, pashë ndonjë fytyrë të Is. Ishin vendas. Por më pas u fuqizuan, duke sjellë elementë të tjerë nga jashtë e situata u përmbys…

Pyetje: - Ç’i bën, sipas, jush, kështu… ju vetë e përdorët fjalën “të këqij”?

Përgjigje: - E kuptojnë keq Islamin, Kuranin e edhe vetë jetën e Profetit Muhamet: duan një Islam, që kontrollon gjithçka e gjithkënd, edhe vetë myslimanët. E tregon vetë fakti se shumica e viktimave të tyre janë myslimanë. Kur hynë në Palmirë, therën 200 deri në 400 vetë: të gjithë sunitë myslimanë. Këta  mendjekëqij nuk mund t’i quajmë kristianë, arabë e as lindorë… mund të jenë ndërkombëtarë, që synojnë të mbjellin terror, urrejtje e varfëri në këtë zonë, për ta kontrolluar më mirë ekonomikisht e politikisht. Pastaj ata dinë të rrëmojnë, të kërkojnë e të gjejnë elementë të përshtatshëm, njerëz të varfër, të paditur , të edukuar për të urryer. Me ta duan të ngrenë një shtet islamik, që nuk mund të rrijë kurrë mbi këmbët e veta!   








All the contents on this site are copyrighted ©.