2015-08-22 14:44:00

Papa Françesku ndërmjet besimtarëve në festën e Shën Piut X


Një ngjarje e papritur, dje paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Me rastin e përkujtimit të Shën Piut X, ndërmjet besimtarëve, që ndoqën Meshën e orës 07.00 në kapelën kushtuar Papës Sarto, ishte edhe Papa Françesku. Kremtimin e kryesonte imzot Lucio Bonora, trevizian, zyrtar pranë Sekretarisë së Shtetit. E intervistuam:

Përgjigje: - Sapo u hap Bazilika, Papa hyri nga Porta e Lutjes, nga ana e Shën Martës, dhe u drejtua nga elteri i Piut X. Kur dola, bashkë me dy meshtarë të tjerë për kremtuar Meshën e orës 07.00,  xhandarët dhe rojet e tjera m’u afruan e më thanë: “Është Ati i Shenjtë në elterin e Piut X: Po lutet”. Mendimi i parë, që më erdhi, ishte: “Po unë, ç’të bëj?”. I dyti, i thënë me zë të lartë: “Të kthehem pas?”. “Jo imzot - më thanë - shko”. E unë shkova. Papa më pa e më tha se kishte ardhur të lutej, pasi e kishte kremtuar Meshën shumë heret, menjëherë pas zgjimit, në Shën Martë. E pas Meshës kishte ndjerë fort dëshirën të lutej në elterin e Piut X. Kur e pa se aty po fillonte Mesha, vendosi të marrë pjesë, bashkë me besimtarët e tjerë.

Pyetje: - E pastaj, i përshëndeti besimtarët?

Përgjigje: - Natyrisht, u dha përqafimin e paqes, shtrëngoi duart e atyre, që kishte pranë. E kur edhe unë zbrita për t’i dhënë Papës përqafimin e paqes, Françesku doli nga banka e erdhi drejt meje. Ishte një çast vërtet prekës. E jo vetëm për mua, por për të gjithë besimtarët, të cilët e panë të mrekulluar Papën, që ndiqte Meshën, si të ishte një prej tyre, një besimtar, duke u lutur pranë varrit të Piut X. Ky gjest më flet, e jo vetëm mua. Më kujton se duhet t’i nderojmë shenjtorët, për të cilët kemi devocion, në ditën e festës së tyre, dies natalis, kur lindën për qiell. Kështu e ndjejmë veten në shoqëri të mirë. E edhe Papa e ndjeu veten në shoqëri të një Pape tjetër, që e kupton mirë rëndësinë e shërbesës së tij ndaj Kishës e botës. Prej këndej, ishte gjë e bukur ta shikoje  kah vinte në elter jo si Papë, por si të ishte një besimtar i thjeshtë. Pastaj më tha se u lut shumë për katekistët, sepse kur ishte në Buenos Ajres, dita e Shën Piut X i kushtohej katekistëve. Kujtoi se Papa Piu X është pikërisht Papa i katekizmit, prej këndej ai takohej këtë ditë me katekistët, në dioqezën e tij, që mbante pikërisht emrin e Piut X.

Pyetje: - Është i devoçëm i Piut X, Papa?

Përgjigje: - Po, ma ka thënë edhe dy vjet më parë, kur i pata treguar se isha nga Treviso. E ai më rrëfeu se ka devocion të madh, personal,  për Piun X.








All the contents on this site are copyrighted ©.