Maria, pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet nga Kisha
si shembull e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pajisur me dinjitetin
mbretërore të Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë
përjetësisht në amshim me Të. Pra, Festa e sotme e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë,
që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955.
Para reformimit të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit
të veçantë marian në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i
takonte Zemrës së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë
Mbretëreshë, për t’i afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumturimin e saj përmes
Ngjitjes në Qiell. Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishtit Mbret, vjen nga një
numër i madh titujsh, të cilët shpjegohen nga Papa Piu XII në letrën enciklike ‘Ad
Coeli Reginam’ (11 tetor 1954), duke u nisur nga titulli ‘Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve
të korpit mistik’, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë
e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe
të ndikimit të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit mistik që është Kisha
e populli i Zotit. Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’
(mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh). Po ta shikosh me
syrin njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh
si sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën
në fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes
së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhrat
nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban
këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin.
Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse
shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e
popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretneshë, e bukura!
Mbi krye tand ndritë kunora,
Që e popujve edhe e kombeve
Desht me vendue dora,
Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,
Toka ty t’ thotë se t’ don!”.
“Dhurojani veten Jezusit për të hyrë në pafundësinë e Zemrës së Tij të madhe, që përmban Zemrën e Nënës së tij të Shenjtë e atë të të gjithë shenjtorëve, si edhe për të humbur në këto thellësi dashurie, bamirësie, mëshire, përvujtërie, durimi, nënshtrimi e shenjtërie” - Benedikti XVI
All the contents on this site are copyrighted ©. |