2015-08-21 14:32:00

Viti i mëshirës. Papa: rrëfim si ai i Shën Leopoldo Mandić


Një nga pajtorët  e Vitit Shenjt të Mëshirës, që do të hapet më 8 dhjetorin e ardhshëm, do të jetë Shën Leopoldi Mandić, kapuçin i thjeshtë, rrëfyes i përvuajtur, pionier i ekumenizmit, që lutej për bashkimin e plotë të Kishës së Lindjes me atë të Perëndimit.

Frat i përvuajtur. Imcak. I varfër. Shëndetlig. E megjithatë, njeri me shpirt të madh, të fuqishëm, me aftësi për të ndikuar mbi ndërgjegjet e shumëkujt, për t’i hapur për hirin hyjnor, për t’i shndërruar. I lindur në vitin 1866 në Dalmaci, aso kohe nën Perandorinë austriake, i kaloi në heshtje të plotë, në vetmi e përvuajtëri 52 vitet e jetës meshtarake. Gjatë homelisë për shenjtërimin e tij, më 16 tetor 1983, Shën Gjon Pali II  pati kujtuar se Shën Leopoldi ishte gjithnjë i gatshëm, gjithnjë me buzë në gaz, gjithnjë tejet i thjeshtë. Me të mund të bisedoje pa droje. Sepse ishte mjeshtër, që të impononte respekt e këshilltar shpirtëror plot duresë, që të kuptonte dhe e kuptoje. Rrëfimet e tij nuk zgjasnin shumë. Mëshira e Zotit, thoshte, është më e lartë e më e fuqishme se të gjitha shpresat tona. Ishte në rrëfyestore deri pak orë para se të vdiste, më 30 korrik 1942. Misioni i tij u përshkua edhe nga një dëshirë e zjarrtë: dëshira për t’i parë gjithë të krishterët të bashkuar. Është Shenjt i pajtimit dhe i ekumenizmit shpirtëror, nënvizon atë Flaviano Giovanni Gusella, rektor i shenjtërores së Shën Leopoldit Mandić, në Padovë:

Përgjigje: - Atë Leopoldi ia kushtoi gjithë jetën shërbesës së Rrëfimit. Ishte “rrëfyes”, siç e quajti edhe Gjon Pali II në homelinë e shenjtërimit. Por edhe profet i ekumenizmit shpirtëror. Për më se 50 vjet e ndjeu fuqimisht në shpirt këtë thirrje, që e shtynte ta dhuronte vetveten, të kushtohej i tëri, të lutej e të punonte për bashkimin e të krishterëve, posaçërisht të Kishës së Lindjes me atë të Perëndimit, Kishës katolike me atë ortodokse. E tërë jeta e tij kaloi brenda mureve të kuvendeve e, sidomos, mbyllur në hapësirën e ngushtë të rrëfyestoreve të Padovës, gjithnjë me këtë dëshirë, me këtë shtytje të fuqishme për ta dhuruar plotësisht vetveten për bashkimin e  të krishterëve.

Pyetje: - Viti Shenjt i Mëshirës do të jetë edhe rast për të shijuar gëzimin e faljes e për ta kuptuar akoma më thellë, shërbesën e rrëfyesit, aq të dashur për atë Leopoldin….

Përgjigje: - Ishte shërbyes i Sakramentit të Pajtimit, ikonë e Mëshirës Hyjnore. E e ushtroi këtë shërbesë me një stil profetik – siç ishte profetik edhe për ekumenizmin shpirtëror - plot me mëshirë, me butësi, me aftësinë për të mirëpritur, me stilin, në të cilin pasqyroheshin fjalët e shkruara nga Papa Françesku në “Misericordiae vultus”, duke shpallur  Vitin Shenjt të Mëshirës. E ushtroi Sakramentin e Pajtimit në mënyrë profetike, duke i bërë të gjithë ata, që gjunjëzoheshin në rrëfyestoren e tij, ta shijonin kënaqësinë, që buron nga pajtimi me Zotin, me vëllezërit, me vetveten. E nga kthesa e madhe, gatishmëria për ta hapur zemrën për hirin hyjnor, të cilin Zoti është gati t’ua dhurojë të gjithëve.

Pyetje: - Ishte Papa Françesku, që njoftoi se Shën Lepoldi do të jetë një nga Pajtorët e Vitit Shenjt të Mëshirës….

Përgjigje: - Krejt rastësisht, por mund të shtoj edhe providencialisht, pata fatin të shkëmbej dy fjalë me Papën Françesku në audiencën publike të së mërkurës, më 22 prill. E kur i tregova një figure me fytyrën e Atë Leopoldit, më tha menjëherë: “Do të jetë një nga pajtorët e Jubileut të ardhshëm të Mëshirës”. E shtoi: “Po ti, mos harro, duhet të rrëfesh si ai”. Iu përgjigja, gjithë ndrojtje, se përpiqem ta bëj, ndonëse nuk është aspak e lehtë t’i përngjash një shenjti…. E ai ma ktheu: “Duhet t’u thuash edhe vëllezërve të rrëfejnë si ai”. Më preku thellë kjo bisedë e shkurtër. Prej saj mësova se Papa Françesku e njihte atë Leopoldin, njihte stilin e  tij dhe ua  propozonte jo vetëm fretërve kapuçinë, por edhe të gjithë rrëfyesve të botës.  








All the contents on this site are copyrighted ©.